Sot bëhen 9 vjet reformë në drejtësi. Më 22 korrik të vitit 2016, Kuvendi i hapi rrugë miratimit të reformës dhe 140 deputetë votuan pro ndryshimeve kushtetuese që kishin për qëllim forcimin e sistemit të drejtësisë. Pak kohë pasi reforma hyri në fuqi, u ngritën edhe institucionet kryesore.
Në këtë kuadër, u ngritën edhe dy institucionet më të rëndësishme: Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit ose siç quhen ndryshe organet e vettingut në sistemin e drejtësisë.
Reforma u mundësua nga investimi i jashtëzakonshëm i SHBA dhe BE-së, ajo krijoi institucionin e vettingut dhe ndryshoi së bashku me Kushtetutën edhe më shumë se 25 ligje organike ose të thjeshta.
Reforma parashikoi krijimin e dy institucioneve të reja të hetimit dhe prokurorisë: Prokurorinë e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), të cilat janë të pavarura nga Prokurori i Përgjithshëm.
Prokuroria e Posaçme ushtron funksionet pranë gjykatave të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. BKH raporton vetëm tek Prokuroria e Posaçme. Prokurorët e prokurorisë së posaçme emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe shërbejnë për një mandat 9 vjeçar.
Zhvillimet më të rëndësishme rreth reformës në drejtësi:
– 22 korrik 2016: Miratohen ndryshimet në Kushtetutë me 140 vota, duke projektuar drejtësinë e re dhe shembur drejtësinë 24-vjeçare, e konsideruara si më e korruptuara në Evropë.
– 30 gusht 2016: Miratohet ligji i Vetingut me 88 vota, për kontrollin e rreth 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.
– Tetor 2016: Miratohen ligjet kryesore për zbatimin e reformës në drejtësi si ligji Nr. 96/2016 për statusin e gjyqtarëve dhe prokuroreve, ligji Nr. 97/2016 për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë, ligj Nr. 115/2016 për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, ligj Nr. 98/2016 për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë si dhe ligj Nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar (SPAK).
– Qershor 2017: Miratohen 27 njerëzit e organeve të Vetingut, duke përfshirë anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit si dhe Komisionerët Publikë. Deri më sot, organet e Vetingut kanë shkarkuar nga detyra 101 gjyqtarë dhe prokurorë, kanë konfirmuar në detyrë 87 të tjerë, ndërsa 40 subjekte kanë dhënë dorëheqjen nga frika e Vetingut.
– 20 dhjetor 2018: Konstituohet dhe fillon punën Këshilli i Lartë i Gjyqësor, organi më i rëndësishëm i drejtësisë së re për qeverisjen e gjykatave.
– 27 dhjetor 2018: Konstituohet dhe fillon punën Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i njohur si qeveria e sistemit të prokurorisë.
-12 korrik 2019: KLP emëron 6 prokurorë të rinj të diplomuar në Shkollën e Magjistraturës.
– 4 gusht 2019: KLGJ emëron 10 gjyqtarë të rinj, duke zëvendësuar të shkarkuarit nga Vetingu si të korruptuar.
– Nëntor 2019: Emërohen tre anëtare të Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji, ndërsa mbeten edhe 6 vende vakante, përfshirë edhe pozicionin e Viore Tushës, të cilës i ka mbarur mandati prej 3 vitesh.
– 5 dhjetor 2019: Olsian Çela u zgjodh Prokurori i ri i Përgjithshëm për shtatë vitet e ardhshme, duke zëvendësuar në këtë post Arta Markun.
-18 dhjetor 2019: Krijohet Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila do të shqyrtojë dosjet që do t’i referojë SPAK-u.
-19 dhjetor 2019: Krijohet Prokuroria e Posaçme (SPAK), fillimisht me 8 prokurorë. SPAK është një nga kolonat më të rëndësishme të reformës në drejtësi, për goditjen e korrupsionit dhe krimit në të gjitha nivelet në Shqipëri, sidomos në nivele të larta.
-10 janar 2020: KLGJ emëron 15 gjyqtarë të rinj, duke zëvendësuar të shkarkuarit nga Vetingu si të korruptuar.
-20 janar 2020: Zgjidhet kreu i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, duke i hapur rrugë në këtë mënyrë formimit të një tjetër institucioni të ri tejet të rëndësishëm në drejtësi, i cili ka për detyrë vlerësimin dhe ndëshkimin e praktikave abuzive në drejtësi.
-11 shkurt 2020: KLP emëron 6 prokurorë të rinj të diplomuar në Shkollën e Magjistraturës.
-11 mars 2020: Emërohen tre anëtarë të Gjykatës së Lartë nga 19 vende vakante. Emërohen Sokol Sadushi, Ervin Pupe dhe Ilir Panda. Mbeten edhe 16 vende vakante.