Ngërçi institucional që ka përfshirë Kuvendin e Kosovës, pas dështimit për ta zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e tij, nxori në pah mangësitë ligjore dhe kushtetuese, të cilat mundësojnë zvarritje të pafundme të zgjedhjes së kryeparlamentarit.
Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në intervistë për Ekonomia Online, vlerësoi se problemi qëndron te mungesa e dispozitave të qarta kushtetuese për rastet kur Kuvendi dështon të konstituohet.
Ai tha se është pozitive që rregullorja e re e Kuvendit përcakton qartë se pas dështimit të seancës së parë, Kuvendi nuk mund të mbetet në pauzë më shumë se 48 orë.
Sipas tij, pavarësisht nga kjo normë, situata aktuale mbetet e ngërthyer, meqë partia shumicë nuk po arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit.
Jakaj thotë se një situatë e tillë është parë edhe në vitet 2014 dhe 2017. Problemi, sipas tij, qëndron te mungesa e dispozitave të qarta kushtetuese për rastet kur Kuvendi dështon të konstituohet.
“Është praktikë e mirë që është vendosur në Rregulloren e Kuvendit të Kosovës që më së largu 48 orë nga seanca paraprake mund të ketë pushim Kuvendi, në mënyrë që të mblidhet për të konstituar vetveten. Më herët ka pasur abuzime nga kryesuesi i seancës konstituive në legjislaturat e kaluara, kur ai nuk e ka thirrur seancën që të konstituohet Kuvendi i Kosovës, por ka lënë pauza ndërmjet seancës së mëparshme dhe seancës së ardhshme me nga katër ditë, dy javë, tri javë. Një gjë e tillë është mirë që nuk mund të ketë pauzë më të madhe se 48 orë. Për këtë arsye, tashmë po bëhet debat publik më i madh, Kuvendi po mblidhet, po vërehet pafuqia ose pamundësia për të zgjedhur një kryetar të Kuvendit nga shumica parlamentare, një praktikë, e cila ka qenë edhe në vitin 2014 dhe në vitin 2017, kur partitë nuk i kanë pasur votat e mjaftueshme. Ndërkohë, nuk tregohet sipas Kushtetutës dhe ligjit se si mund të dalim nga ky ngërç, për shkak të pamundësisë që i propozuari nga VV-ja t’i marrë shumicën e nevojshme, së paku 61 vota. Edhe në Kushtetutë dhe në Rregullore të Kuvendit shkruan që Kuvendi mblidhet brenda 30 ditëve nga dita e seancës konstituive, në kuptimin që po atë ditë që mblidhet – konstituohet, sepse pak herë ka pasur probleme të natyrave të tilla”, tha ai.
IKD-ja shpreh shqetësimin se mungesa e një zgjidhjeje të qartë ligjore mund të çojë në krizë më të thellë politike. Jakaj sugjeron që kjo situatë të adresohet përmes interpretimit nga Gjykata Kushtetuese, por thekson se vetëm presidentja ka të drejtë ta nisë një kërkesë të tillë, bazuar në kërkesat e krerëve të partive politike.
“Fakti që nuk ka një dispozitë kushtetuese në Kushtetutën e Kosovës dhe në Rregullore që nëse nuk votohet kryetari i Kuvendit nuk shkojmë në zgjedhje kjo nuk do të duhej të ishte problem për deputetët që ta konstituojnë dhe t’i hapin rrugë formimit të qeverisë. Qoftë nga shumica parlamentare aktuale, ose në rast të pamundësisë të kësaj, tjetra. Një gjë që mund të interpretohet tani ose që mund të vijë deri tek interpretimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese është që deri kur ka afat Kuvendi të konstituohet. Ose a prodhon pasojë juridike pamundësia për të konstitutuar Kuvendin, ndonjë pasojë në kuptimin ose të zgjedhjeve, ose të ndonjë zgjidhjeje që do të kishte ofruar. Gjykata nuk ka ofruar zgjidhje në vitin 2014 dhe tashmë do të duhej të bëhej një pyetje e re ndaj Gjykatës Kushtetuese që të interpretojë këtë normë, të normohet, të vendoset si praktikë që mos të ketë problem si në legjislaturat e kaluara. Një gjë e tillë është problem, sepse deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk mund të iniciojnë kërkesë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, përveç presidentes, e cila mund të aktivizohet vetëm pas kërkesave nga ana e kryetarëve të partive politike që do t’i shkonin në një takim të ardhshëm, ku ajo tashmë edhe me letrën që ka dërguar e ka lënë një derë të hapur që të shkoj në këtë takim”, tha ai.
Sipas Jakajt, zgjidhja mbetet politike dhe duhet të gjendet një marrëveshje për të votuar kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit si përfaqësues të shumicës dhe komuniteteve joshumicë. Ai paralajmëron se afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit është 27 prilli dhe çfarëdo zvarritje përtej kësaj date e cenon logjikën kushtetuese.
“Zgjidhja për të dalë nga kjo krizë është që të gjendet një mundësi, një marrëveshje politike që të votohet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit. Nënkryetarët votohen bllok edhe të shumicës shqiptare, edhe të komuniteteve jo shumicë atje. Kuvendi duhet që të konstituohet më së voni deri më 27 prill, kur është data e fundit kur Kuvendi do të duhej të mblidhej, sipas Kushtetutës.
Meqenëse është kështu, kjo normë do të duhej të interpretohej si afati i fundit, sepse nuk mund të ketë afat dymujor për Kuvend të Kosovës, ndërkohë të ketë afat 15 ditor për mandatarin e parë dhe 10 ditë për mandatarin e dytë. Kjo rregull nuk shkon kështu, sepse ne shkojmë në zgjedhje normalisht për Kuvend të Kosovës, por qëllimi final është zgjedhja e qeverisë. Paramendoni situata kur shkojmë në zgjedhje për 25 ditë, për shkak të pamundësisë së zgjedhjes së qeverisë, ndërkohë nuk shkojmë në zgjedhje për shkak të pamundësisë të konstituimit të Kuvendit për 30 ditë radhazi. Kjo situatë është dëshmi që do të duhej vepruar në kuptimin t’ i jepet një epilog final: që ose shkojmë në zgjedhje, ose e konstituojmë Kuvendin e Kosovës sa më shpejt”, tha ai për EO.