Një marrëveshje paqeje që i dha fund një konflikti vdekjeprurës në Sudanin e Jugut është në rrezik të shembet, duke ngjallur frikën se shteti më i ri në botë – dhe një nga më të varfrit – mund të zhytet sërish në luftë.
Sudani i Jugut u shkëput nga Sudani në vitin 2011, pas dekadash trazirash për pavarësi, por ka hasur vështirësi të vazhdueshme në ruajtjen e paqes në një territor të ndarë përgjatë vijave etnike. Në vitin 2013, vendi u përfshi nga lufta civile, e cila shpërtheu sërish tre vite më vonë, derisa një armëpushim i brishtë në vitin 2018 i dha fund dhunës së përgjakshme.
Sot, vendi drejtohet nga një qeveri e përbashkët, e udhëhequr nga presidenti Salva Kiir dhe pesë zëvendëspresidentë, përfshirë rivalin e tij Riek Machar, liderin e partisë SPLM/A-IO. Por tensionet janë rritur pas arrestimit të Machar këtë javë, duke çuar partinë e tij të deklarojë se marrëveshja e paqes tashmë ka dështuar.
Arrestimi i Macharit vjen pas shkarkimit dhe arrestimit të disa zyrtarëve të tjerë të SPLM/A-IO, si dhe pranisë së trupave nga Uganda, të ftuar nga Kiir për të ndihmuar ushtrinë në luftimin e një milicie lokale. SPLM/A-IO dënoi ndërhyrjen ushtarake si “agresion ndaj civilëve”. Machar e kritikoi gjithashtu këtë veprim në një letër dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, duke theksuar se kjo bie ndesh me termat e marrëveshjes së paqes.
Qeveria aktuale e Sudanit të Jugut është rezultat i një marrëveshjeje për ndarjen e pushtetit të arritur në vitin 2018 mes Kiirit dhe Macharit, e cila i dha fund një lufte civile pesëvjeçare që la të vrarë rreth 400,000 persona. Por tensionet etnike mes shumicës Dinka, prej nga vjen Kiir, dhe grupit të dytë më të madh etnik Nuer, nga i cili rrjedh Machar, vazhdojnë të përçajnë vendin.
Përplasjet e fundit në qytetin Nasir ndërmjet forcave qeveritare dhe milicisë Nuer të njohur si Ushtria e Bardhë, kanë tronditur paqen e brishtë të vendit. Në një incident tragjik, një helikopter i Kombeve të Bashkuara u sulmua gjatë përpjekjes për të evakuuar civilë dhe komandanti i ushtrisë, gjenerali David Majur Dak, u vra.
Autoritetet thanë se Machar ka nxitur rebelimin dhe ka frymëzuar sulmin ndaj bazës ushtarake dhe helikopterit të OKB-së. Ministri i Informacionit, Michael Makuei, deklaroi se Machar ka synuar të destabilizojë vendin për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve dhe për ta kthyer Sudanin e Jugut në luftë. Ai shtoi se Machar dhe bashkëpunëtorët e tij do të përballen me drejtësinë.
Komuniteti ndërkombëtar ka shprehur shqetësim të thellë. Zëdhënësi i OKB-së paralajmëroi se vendi është një hap larg nga rikthimi në luftë civile. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u shpreh se marrëveshja e paqes është në rrënoja dhe kërkoi uljen e menjëhershme të tensioneve.
Ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Francës, Gjermanisë, Holandës dhe Norvegjisë, së bashku me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian në Sudanin e Jugut, bënë thirrje për lirimin e Macharit dhe vendosjen e armëpushimit. Ndërkohë, ambasadat amerikane dhe britanike u kërkuan qytetarëve të tyre të largohen nga vendi.
Bashkimi Afrikan ka njoftuar se do të dërgojë një delegacion në kryeqytetin Juba për të ndihmuar në uljen e tensioneve. Edhe presidenti i Kenias, William Ruto, ka dërguar një të dërguar i cili u shpreh optimist për një rrugëdalje paqësore.
Ndërkohë, vendi përballet me një krizë të thellë humanitare dhe ekonomike. Sipas Bankës Botërore, më shumë se dy të tretat e popullsisë jetojnë në varfëri ekstreme. Megjithatë, Sudani i Jugut strehon mbi gjysmë milioni refugjatë nga vendet fqinje në konflikt.
OKB e përshkroi të premten Sudanin e Jugut si “një vend në buzë të greminës”, i përballur me shumë kriza njëherësh. “Nuk mund ta lejojmë të zhytet edhe më thellë,” tha Guterres.
Shteti më i ri në botë, i lindur nga sakrifica dhe gjakderdhje, është sërish në një udhëkryq mes paqes dhe luftës.