Askush nuk do ta kishte menduar deri pak vite më parë, që inteligjenca artificiale do të bëhej pjesë e pandashme e jetëve tona, madje duke dhënë një kontribut të madh në një prej proceseve më të rëndësishme të vendit, siç është integrimi në Bashkimin Europian. Një modul i krijuar me inteligjencë Artificiale që përdoret aktualisht nga më shume se 1400 ekspertë te integrimit, po bën të mundur përkthimin dhe përshtatjen e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së
Ajo që vite më parë kryhej nga një armatë përkthyesish dhe ekspertësh ligjor, sot bëhet vetëm me një klik. Përkthimi dhe përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian po realizohet përmes Inteligjencës Artificiale.
Një modul i krijuar enkas për këtë proces i është vënë në dispozicion grupit negociator. Drejtori i AKSHI-t për Inteligjencën artificiale, pjesë e grupit krijues të këtij projekti, tregon për Report Tv mënyrën e funksionimit.
“Ne kemi trajnuar rreth 600 persona për përdorimin e modulit dhe aktualisht përdoret nga më shumë se 1400 punonjës, ekspertë të procesi. Sistemi prek dy hapa kyç të procesit: përkthimi me anë të AI, i çdo direktive dhe rregullore të BE-së, dhe përafrimi i direktivave të BE me ato të akteve shqiptare. Saktësia e përkthimit arrin në mbi 95.5%, ndërsa përafrimi është rreth 70% i saktë por që pritet të rritet me përdorimin e përditshëm që po bëhet. Çdo output i prodhuar me AI verifikohet në çdo hap nga një përdorues human”, thotë Enio Kaso, drejtori i AI, AKSHI.
Modulin, Enio Kaso e tregon të suksesshëm, jo vetëm sepse nuk është kontestuar nga Brukseli, por sepse projekti pritet të vlerësohet me çmim ndërkombëtar në “Samiti Botëror mbi Shoqërinë e Informacionit”
“Projekti është aktualisht në fazën e marrjes së një çmimi nga WSIS, ku pritet të vlerësohet në njohje ndërkombëtare për arritje të tij. Jemi në proces të patentimit dhe është një përqasje që ne mund ta shtyjmë”, tregon për Report Tv Enio Kaso, drejtori i AI, AKSHI.
Ideja e përfshirjes së Inteligjencës artificiale në këtë proces, u njoftua nga kryeministri Edi Rama i cili kontaktoi për këtë, me një ndër ekspertet ndërkombëtare më të njohura të fushës, shqiptaren Mira Muratin
“Ajo na pajisi me dy ekspertë të vetët të cilët na asistuan dhe bashkëpunuan me ne së bashku me zyrën e kryenegociatorit për të zhvilluar një model të AI të aftë për të kryer dy procese kyçe që u vjen një ndihmë ekspertëve të integrimit”, theksoi Kaso.
Kohëzgjatja për të përkthyer dhe përshtatur një direktivë europiane 100 pika shkon përafërsisht pak më shumë se 16 minuta.