I kështuquajturi Institut Ndërkombëtar i Studimeve për Lindjen e Mesme dhe Ballkanin (IFIMES), në maj të këtij viti, ishte angazhuar që t’ia nxijë faqen Shqipërisë dhe kryeministrit, Edi Rama.
Kjo shtrojerë me seli në Lubljanë të Sllovenisë – në të cilën ka ndikim të madh edhe Martin Berishaj si njëri nga njerëzit e rrethit të ngushtë të ish-kryeministrit të Kosovës Albin Kurti – kishte bërë çmos që t’ia vinte kleçkën reputacionit të Shqipërisë.
E afishuar vetëm disa ditë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, analiza pa emra autorësh e kishte shkrehur më të rëndën akuzë për Ramën – sipas Institutit slloven, Partia Socialiste e Ramës “ia ka dalë të krijojë një regjim hibrid që ndërthur elemente të sundimit të Sllobodan Millosheviqit dhe Enver Hoxhës”, shkruan Nacionale.
Zi e terr për Shqipërinë
Qysh në kapitullin e parë të analizës, IFIMES ishte përkujdesur që t’i bënte një skicë të errët Shqipërisë e cila, kësisoj, paraqitej si e pagjasë për t’u anëtarësuar në BE.
Sipas autorëve, miq e bashkëpunëtorë të Martin Berishajt, “trysnia politike, frikësimi, korrupsioni i tejshtrirë dhe burimet e kufizuara vazhdojnë ta pengojnë gjyqësorin për të funksionuar në plotni, i pavarur dhe efektiv”.
Me gjuhë paushalli kudo dhe pa asnjë referencë, analiza e IFIMES-it i mëshonte asaj se gjoja “të hyrat nga tregtia e narkotikëve e tejkalojnë buxhetin kombëtar të Shqipërisë – duke e bërë trafikimin e drogës si të vetmin sektor tamam ‘në rrugën evropiane.’”
Duke e krahasuar Shqipërinë me Republikën Serbe të Milorad Dodikut, miqtë e Martin Berishajt ‘parashikuan’ se rruga e anëtarësimit në BE nuk është as afër.
“Bisedimet për anëtarësim në BE nuk janë askund afër me atë sesi regjimi i Edi Ramës dhe zyrtarë të caktuar përpiqen ta portretojnë”, shkruan analiza e Institutit slloven.
Frikë nga afrimi i Ramës me Trumpin
Autorët e paemër, miq të ambasadorit të Kosovës në Zagreb, kishin edhe një hall tjetër.
Në tekstin e tyre nxjerr krye brenga e tyre se kush vallë ne Perëndim, veçmas në BE, është fajtor për “oktopusin e korrupsionit” që e paska krijuar Rama.
“Si një mujshar i korruptuar, Edi Rama vazhdon ta lajthisë Perëndimin. Ai ka bërë përpjekje sidomos për ta marrë favorin e presidentit të ShBA-së Donald Trump dhe të sigurojë qasje të drejtpërdrejtë tek ai, përderisa njëkohshëm ka mbajtur lidhje të ngushta e të mirëqëndrueshme me kundërshtarët më të rreptë të Trumpit në Washington”.
Parlamenti Evropian e bëri copë e grimë propagandën e IFIMES-it
Por dy muaj e dy ditë pas ‘analizës’ së Institutit kundërthënës, Parlamenti Evropian dha vlerësimet më të larta për Shqipërinë dhe hapërimin e saj drejt BE-së.
Raporti i sivjetmë për Shqipërinë, i cili u miratua të mërkurën në Parlamentin Evropian më 502 vota, dha skicën më pozitive që është bërë ndonjëherë për shtetin shqiptar.
I përpiluar nga raportuesi Andreas Schieder, raporti i dha Shqipërisë cilësimin si “kryesuese” në rrugëtimin për anëtarësim.
Edhe grupi i demokratëve dhe socialistëve në Parlamentin Evropian e ka përgëzuar Shqipërinë.
“Të lumtë Shqipëri – e para në bisedimet për anëtarësim! Ne e mbështesimin plotësisht synimin për të qenë gati për anëtarësim në BE në fund të 2027-s”, është shkruar në afishimin e këtij grupimi politik në platformën sociale ‘X’.
Raporti plot plusa për Shqipërinë
Ndryshe, raporti i fundit mbizotërohet nga “plusat” për hapat e ndërmarrë nga Shqipëria në procesin e anëtarësimit në BE.
Në pikën 1, Parlamenti Evropian “ka mirëpritur përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë drejt integrimit në BE, duke pasqyruar konsensusin mes të gjitha partive politike, si atyre qeveritare ashtu edhe opozitës, si dhe mbështetjes dërmuese mes qytetarëve, si dhe lavdëron përputhjen e saj të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE…përfshirë edhe përgjigjen e saj kategorike ndaj luftës së agresionit rus kundër Ukrainës përmes përputhjes së saj me masat kufizuese të BE-së kundër Rusisë dhe Bellarusisë; vlerëson rolin aktiv të vendit në rajon dhe nisma rajonale”.
Edhe pika pasuese e raportit në fjalë ka mirëpritur ambicien e Shqipërisë që t’i mbyllë bisedimet për anëtarësim kah fundi i 2027-s dhe përparimin e bërë në vitet e fundit.
Raporti është gjithë vlerësime për miratimin e Planit Kombëtar për Integrim Evropian nga ana e Shqipërisë, ashtu si edhe vendimin për hapjen e një zyre të Parlamentit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Një tjetër pikë ku Shqipëria mori vlerësime të larta është edhe ajo që “mirëpret bllokimin që Shqipëria i ka bërë domeneve të dezinformacionit rus”.
Vlerësime të larta janë dhënë edhe në pikën 33 për sa i përket sundimit të ligjit, ku çmohet “përparimi që Shqipëria ka arritur në zbatimin e reformave të drejtësisë me synim fuqizimin e pavarësisë, transparencës dhe përgjegjësisë së gjyqësorit”.
Edhe sa u përket reformave socio-ekonomike, Parlamenti Evropian ka mirëpritur angazhimin e Shqipërisë për zbatimin e Planit të BE-së për Rritje, përfshirë integrimin në një treg të njësuar, integrimin rajonal, reformat fundamentale dhe mbështetjen financiare.
Ku gënjeu IFIMES-i?
Asnjë nga përshkrimet negative të ‘ekspertëve’ të IFIMES-it, sidomos për korrupsionin e krimin, nuk ka gjetur vend në raportin e eurodeputetëve.
Është e vërtetë se pika 3 e raportit në fjalë fillon me thirrjen që Shqipëria të “përshpejtojë” reformat për fuqizimin e sundimit të ligjit e rritjes ekonomike, ashtu sikurse edhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Por, kjo pikë, ashtu sikurse edhe kusuri i tekstit, nuk ka asnjë përshkrim alla-IFIMES ku Shqipëria të paraqitet si xhungël narkotikësh.
Në pikën e 17-të, raporti “mirëpret krijimin e pozitës së re të Ministrit të Shtetit për Administratë Publike dhe Antikorrupsion”.
BE-ja me një zë: “Shqipëria më afër se kurrë me BE-në”
Në të vërtetë, anëtarësimi i Shqipërisë nuk është më vetëm në cakun e së mundshmes, por ajo vlerësohet si më e gjasshmja nga të gjjitha vendet kandidate për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.
“Shqipëria është partnere e fortë dhe e besueshme në politikën e jashtme dhe ka ndërmarrë hapa të mahnitshëm në të gjitha fushat si drejtësia, antikorrupsioni dhe mbrojtja mjedisore”, ka thënë Schieder për një medium rajonal.
Shenja të mbara Shqipëria mori gjatë gjithë këtij viti.
Në vizitën e tij në Shqipëri më 16 maj, presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, pati thënë se anëtarësimi mund të ndodhë edhe para 2030-s, duke pranuar se Shqipëria dhe Mali i Zi janë qartazi para vendeve të tjera me reformat e bëra.
Kjo bën pjesë në varganin e deklaratave tejet premtuese që janë dhënë nga zyrtarë të lartë të BE-së kohëve të fundit.
Më 14 prill të këtij viti, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, në takimin e mbajtur në Këshillin për Punë të Jashtme, kishte paralajmëruar se duhet të përshpejtohet procesi i zgjerimit.
“Ne po shohim se Shqipëria dhe Mali i Zi po bëjnë hapa të mirë e reforma të mira”, kishte thënë me atë rast shefja e diplomacisë evropiane.
Me 7 prill, Kallas kishte vizituar Podgoricën dhe Tiranën zyrtare, ku kishte zhvilluar takime me instancat më të larta.
Vizita e saj u konsiderua si mesazhdhënëse për rajonin: Ballkani Perëndimor mbetet vendosshmërisht nën radarin e BE-së.
Edhe zgjdhja e këtyre vendeve nuk ishte rastësore: Shqipëria dhe Mali i Zi si kandidatët në ballë për anëtarësim në BE, kurse Bosnja si vend që ka potencial për destabilitet në shkallë të gjerë rajonale.
Në vizitën e saj në Tiranë, Kallas e kishte cilësuar Shqipërinë si “partnere të fuqishme të Bashkimit Evropian.”
Pyetjes nëse 2030-a është vit realist për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ajo iu përgjigj pozitivisht duke thënë se kjo varet edhe nga fakti nëse Shqipëria i ndërmerr hapat e duhur.
Mesazhe të tilla shpresëdhënëse ka dhënë edhe komisionerja për zgjerim, Marta Kos: “Mali i Zi dhe Shqipëria mund të anëtarësohen më 2026 ose 2027. Por, bisedimet për zgjerim bëhen vetën nëse rajoni është stabil. Tani, ai nuk është i tillë. Dhe kjo përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për synimet strategjike të BE-së.”
IFIMES e do vetëm Lukashenkon dhe Kurtin
Përndryshe, IFIMES sivjet e ka çaraveshur reputacionin e vet me ‘analiza’ favorizuese për liderë të caktuar që kanë probleme të vazhdueshme me Evropën dhe Perëndimin.
Në fakt, presidenti bellarus, Aleksandr Lukashenko dhe ish-kryeministri Albin Kurti kanë qenë të vetmit udhëheqës në Evropë të cilët janë mikluar nga IFIMES-i.
Diktatorit bellarus, i cili nga 17 gushti i 2020-s është deklaruar si person non grata në BE, i janë rrahur shpatullat për “rezultate të mahnitshme ekonomike.”
Këtë portret pozitiv për Lukashenkon Instituti slloven e ka bërë tre ditë para zgjedhjeve të sivjetme presidenciale në Bellarusi, ku autokrati 70-vjeçar fitoi 87.6 për qind të votave në zgjedhje të konsideruara si të kurdisura—në BE e kanë cilësuar këtë fitore si jolegjitime dhe fyerje ndaj demokracisë, duke kërcënuar me sanksione të reja
Një shërbim të tillë me sa duket IFIMES e ka rezervuar edhe për Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen afër 2 javë para zgjedhjeve parlamentare.
Në analizën e bërë më 24 janar të këtij viti, Instituti nga Lublana e pati shpallur si favorite partinë e Albin Kurtit në zgjedhje e cila “nuk mund të tejkalohet nga LDK apo PDK”.
Martin Berishaj ose ndonjëri nga kolegët e tij kishin dhënë parashikimin fantastik se VV-ja do të ndukte nja 59 për qind të votave.
Me disa nga shtjellimet gazetareske të bëra këtë vit, NACIONALE ka rindërtuar historinë e errët sesi IFIMES-i e bëri Vetëvendosjen e Albin Kurtit të përkëdhelurën e vet.
Nga viti 2016, ky institut e bëri mysafir nderi ish-kryeministrin e Kosovës, duke i dhënë hapësirë njësoj si figurave të tjera që vlerësohen se kanë qëndrime antiperëndimore.
Dy herë me radhë, dhe atë në prag të zgjedhjeve më 2019 dhe 2025, ky Institut e ka ngritur në qiell Lëvizjen Vetëvendosje në kurriz të partive kundërshtare.
Në anën tjetër, IFIMES-i i ka portretizuar me brushë negative ish-presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryekuvendarin Kadri Veseli, dy partitë e dala nga lufta, PDK dhe AAK, si dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Gjatë viteve të fundit, si pasojë e raportimeve skandaloze, plot anëtarë kroatë të bordit të Institutit kanë dhënë dorëheqje, mes të cilëve edhe Stipe Mesić, Budimir Lončar dhe Jadranka Kosor. Në listën e të dorëhequrve është edhe ish-bashkëpuëntori e analisti politik boshnjak, Muhamed Borogovac.
Ky i fundit ka fshikulluar me akuza të rënda në adresë të Institutit të drejtuar nga kurdi Bakhtyar Aljaf dhe boshnjaku Zijad Bećirović—sipas Borogovacit, plot agjentë serbë janë infiltruar në IFIMES.
Këto akuza nuk kanë mbetur fjalë në erë, meqë në mediat gjermane Instituti slloven, më saktë anëtari i saj, Anis Bajrektarević, është përmendur se mban lidhje të ngushta me shërbimet e fshehta ruse.
Instituti ku ka gisht Kremlini
Në fakt, kredibiliteti i Intitutit Ndërkombëtar të Studimeve për Lindjen e Mesme dhe Ballkanin (IFIMES) është vënë në pikëpyetje jorrallëherë.
I themeluar më 2002, ky institut me qendër në Lubljanë pretendon se kryen analiza politike, ekonomike e sociale, dhe se ka status konsultativ në Këshillin Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara (ESOSOC) që prej 2018-s.
Ana financiare e tij rezulton shpesh e dyshimtë, anipse zyrtarisht IFIMES-i pretendon se financohet nga anëtarësia, nga shërbimet trajnuese që i organizon, fushatat fondmbledhëse apo donacionet dhe grantet prej burimeve të brendshme.
Kur mediat sllovene në shkurt të 2023-s patën ngritur këmbanat e alarmit për skandalin për shpërlarje parash, ku qe përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, edhe emri i IFIMES-it ishte zënë në gojë.
Kështu në relacionin korruptiv mes GEN-I të Beogradit dhe Berishajt qëndronte edhe IFIMES-i që drejtohet prej kurdit Bakhtyar Aljaf dhe Zijad Bećirovićit, i njohur për bindjet e tij të majta.
Në Slloveni e Kroaci prej kohësh analizat e IFIMES-it merren me rezervë; madje ato shpesh dalin në nivel spekulimesh të pastra.
Edhe anketat e kryera nga ky institut janë cilësuar si joserioze e gjithmonë favorizuese ndaj porositësve. Madje, në Kroaci IFIMES-i ishte vlerësuar si prodhues analizash që kanë më tepër karakter spiunazhi sesa analizash.
Lidhja me Kureyevin dhe Moskën
Ana e errët e IFIMES-it është vënë në spikamë edhe nga e përjavshmja gjermane ‘Die Zeit’, e cila në maj të vitit të kaluar kishte bërë një analizë të titulluar “Propaganda aus Moskau” (Propaganda nga Moska).
Në këta analizë, gazetarët gjermanë trajtonin me shqetësim punën e operimit të agjentëve rusë në Austri. Në qendër të fokusit ishte edhe profesori boshnjak Anis Bajrektarević, i cili ka lidhje të shumta kudo në Evropë.
Si përfaqësues i IFIMES-it, më saktë si drejtues i Departamentit për Studime Strategjike, Bajrektarevići kishte shfrytëzuar Akademinë Diplomatike të Vjenës për të ftuar profesorë, studiues e polikanë të ndryshëm të cilët flasin në përputhje me narrativat ruse.
Sipas ‘Die Zeit’, profesori boshnjak kishte kontakt në Moskë me Artem Kureyevin.
Sipas shërbimeve perëndimore të sigurisë, ai njihet si informator i shërbimeve ruse, madje ai kishte një rrjet propagande me të cilin rekrutonte luftëtarë për ushtrinë mercenare të Wagnerit.