Gjykata Kushtetuese ka korrigjuar vetveten, duke riaktivizuar të drejtën e një të pestës së deputetëve për të kërkuar shqyrtimin e papajtueshmërisë së mandateve. Në vendimin për rastin e deputetit Sinaj, përcaktohet se kur parlamenti nuk e dërgon çështjen në Gjykatë, atëherë ajo mund të vihet direkt në lëvizje me kërkesë të 28 deputetëve. Dy vjet me parë e kishte bllokuar këtë mekanizëm.
Një vendim i shpallur nga Gjykata Kushtetuese në muajin maj, rrëzonte opozitën për mandatin e deputetit Vullnet Sinaj, por zbardhja e e plotë e tij më 10 korrik, zbulon se Gjykata, ka korrigjuar vetveten, duke riaktivizuar të drejtën e një të pestës së deputetëve për t’iu drejtuar direkt asaj në rastet e papajtueshmërisë së mandatit. Në këtë mënyrë, kapërcehet ngërçi i krijuar nga shumica socialiste, me rastin e Olta Xhaçkës apo dhe Vullnet Sinajt, kur Parlamenti refuzoi t’i dërgonte çështjet në Gjykatë.
Sipas vendimit të fundit, nëse Kuvendi, vendos me votën e shumicës të mos e përcjellë çështjen për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, atëherë, 1/5 e deputetëve (28 deputetë) mund t’i drejtohen drejtpërdrejt Gjykatës, për t’i kërkuar të gjykojë rastin në fjalë.
E drejta e një të pestës së deputetëve për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, parashikohet në nenin 134 të Kushtetutës. Po ashtu edhe Ligji që rregullon funksionimin dhe organizimin e kësaj Gjykate, parashikon në nenin 66 se “për shqyrtimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e funksioneve të deputetëve, Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të Kuvendit ose të një të pestës së deputetëve”.
Por në vitin 2023, kishte qenë po Gjykata Kushtetuese e cila e kishte nxjerrë jashtë loje, mekanizmin e një të pestës së deputetëve. Ndërsa shqyrtonte kërkesën e 28 deputetëve demokratë, për rastin Xhaçka, ajo e kushtëzonte ushtrimin e kompetencës së vet për shqyrtimin e papajtueshmërisë së një mandati, me kërkesën nga ana e Parlamentit.
Në vendimin e datës 23 janar 2023, duke e rrëzuar ankimimin e një të pestës së deputetëve demokratë, Gjykata theksonte se “konstatimi i papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit për shkelje të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës është një çështje që i përket juridiksionit të Gjykatës, juridiksion ky që aktivizohet vetëm me kërkesë të Kuvendit”.
Pikërisht ky interpretim i atëhershëm i Gjykatës, u kthye në një pengesë më shumë për opozitën, ndërkohë që u përdor nga shumica, në mbrojtje të deputetëve të saj. Shumica refuzoi madje dhe interpretimin e qartë të Komisionit të Venecias, sipas të cilit vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë detyruese dhe për parlamentin.
Me vendimin e fundit, Kushtetuesja, ndonëse nuk e njeh si një nga dy rrugët e drejtpërdrejta për ta vënë në lëvizje këtë Gjykatë (siç e parashikon ligji për këtë institucion), e aktivizon megjithatë mekanizmin e një të pestave, vetëm kur Parlamenti refuzon ta dërgojë rastin në Gjykatë.
PJESË NGA VENDIMI:
Gjykata thekson se qëllimi i kompetencës kushtetuese për kontrollin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit nënkupton një gjykim në themel prej saj, në të cilin ajo vlerëson nëse veprimet konkrete të kryera nga deputeti janë të papajtueshme me mandatin e tij dhe në përfundim konstaton këtë papajtueshmëri, nëse është rasti. Në funksion të realizimit të këtij qëllimi, kushtetutëbërësi ka parashikuar edhe një të dhjetën e deputetëve si subjekt q vë në lëvizje procedurën parlamentare për dërgimin e çështjes së papajtueshmërisë së dyshuar të deputetit për shqyrtim në themel në Gjykatë. Në këto kushte, në rastet kur Kuvendi vihet në lëvizje me mocion të një të dhjetës së deputetëve ose të Kryetarit të tij, ai (Kuvendi) ka detyrimin kushtetues për të filluar procedurën parlamentare për shqyrtimin e mocionit për dërgimin e çështjes së papajtueshmërisë së mandatit në Gjykatë.
Në rast të rrëzimit të mocionit të një të dhjetës së deputetëve të Kuvendit ose Kryetarit të tij, për rrjedhojë në rast të mosvënies në lëvizje të Gjykatës nga Kuvendi, në kuptim të bërjes efektiv të këtij mekanizmi të kontrollit kushtetues të parashikuar nga shkronja “e” e pikës 1 të nenit 131 të Kushtetutës, paraqitja e kërkesës nga jo më pak se një e pesta e deputetëve, në kuptim të së drejtës së saj sipas shkronjës “c” të pikës 1 të nenit 134 të Kushtetutës, të reflektuar tashmë edhe në përmbajtjen e pikës 2 të nenit 66 të ligjit nr. 8577/2000, përbën mjetin alternativ për vënien në lëvizje të gjykimit kushtetues për kontrollin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit.
E drejta e një të pestës së deputetëve sipas nenit 66, pika 2, të ligjit nr. 8577/2000 lidhet me vënien në lëvizje të Gjykatës në ato raste kur vetë Kuvendi, pas shqyrtimit të mocionit të Kryetarit të tij ose një të dhjetës së deputetëve, vendos të rrëzojë mocionin në seancë plenare, për rrjedhojë të mos pranojë dërgimin e çështjes në Gjykatë. Vetëm në këtë mënyrë bëhet i zbatueshëm neni 70, pika 4, i Kushtetutës dhe merr vlerë e drejta e pakicës parlamentare, jo më pak se një të pestës së deputetëve, për të kërkuar nga Gjykata shqyrtimin përfundimtar në themel të çështjes së papajtueshmërisë së mandatit të deputetit.