Vetëm 37 përqind e sasisë së përgjithshme të ujit të prodhuar vitin e kaluar është faturuar, ndërsa pothuajse 40 përqind (39.96%) e ujit nga burimet e Rashçes, si dhe nga zonat e puseve të Lepencit dhe Nerezit “humbet”. Bëhet fjalë për humbje fizike dhe komerciale nga vëllimi i përgjithshëm hyrës i ujit në sistem, që është një përqindje e madhe duke pasur parasysh se humbja e lejuar e ujit në sistem është 20 përqind. Këtë e tregon analiza e punës së Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizime-Shkup” për vitin 2024, e cila në kulmin e verës po përballet me probleme serioze në sigurimin e ujit për çdo shtëpi në kryeqytet, shkruan DW.
Banorët e më shumë lagjeve të Shkupit në mes të vapës ankohen se nuk kanë ujë për shkak të defekteve dhe problemeve të tjera, ndërsa autoritetet tashmë disa herë kanë bërë thirrje që uji të përdoret në mënyrë racionale, duke pasur parasysh se konsumi ditor i ujit është rritur në një nivel rekord.
Banorët e kryeqytetit konsumojnë mesatarisht 700 litra ujë për banor, ose vetëm në një ditë konsumojnë sasi të ujit që është e barabartë me sasinë me të cilën mund të mbushen 140 pishina olimpike. Pishinat, ujitja e parqeve dhe konsumi i tepërt i ujit po e shterojnë burimin Rashçe. Një problem shtesë janë kyçjet e paligjshme, për të cilat kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, po alarmon çdo ditë.
Konsum tejet i madh i ujit
Inxhinieri Dejan Dimovski, i cili punon në mirëmbajtjen elektromekanike dhe monitorimin teknik të konsumit të ujit në NP “Ujësjellësi dhe Kanalizime”, është i mendimit se nëse nuk ka konsum të madh të ujit, sidomos në orët e pasdites, Shkupi do të ketë presion të qëndrueshëm.
Ai para këshilltarëve në Qytetin e Shkupit të enjten (17.07) theksoi se për momentin konsumi i ujit në Qytetin e Shkupit është 350.000 metra kub në ditë. Konsum kaq i madh i ujit në Qytetin e Shkupit nuk është regjistruar deri më tani. Për këtë arsye inxhinierët theksojnë se ka ardhur koha që të mendohet për një burim alternativ të furnizimit me ujë për Shkupin.
“Duhet të mendojmë për Shkupin, për eksplorimin e zonave shtesë të puseve, duhet të mendojmë edhe teknikisht për atë se çfarë mund të shkaktojë forsim të burimit natyror Rashçe dhe zonave natyrore të puseve. Aty ku Rashçe është i kaptuar, nëse e shtyjmë vazhdimsht për një periudhë mjaft të gjatë kohore, mund të bëjmë që burimi të gjejë një shteg në tokë, ose çfarëdolloj shtegu drejt ndonjë vendi tjetër”, tha Dimovski.
Vetëm 37 përqind e ujit faturohet
Sipas të dhënave të publikuara nga agjencia MIA, gjatë vitit 2024 NP “Ujësjellësi dhe Kanalizime – Shkup” ka prodhuar gjithsej 110.055.436 metra kub ujë nga Rashçe 1 dhe Rashçe 2, si dhe nga zonat e puseve Lepenci dhe Nerezi, që është një rritje krahasuar me vitin e kaluar 2023 kur janë prodhuar 103.172.833 metra kub.
Nga sasia e përgjithshme e ujit e prodhuar për përdoruesit e saj NP “Ujësjellësi dhe Kanalizime -Shkup” ka faturuar vetëm 41.395.367 metra kub ujë, ndërsa 68.660.089 metra kub ujë janë të pafaturuar. Konsumi i ligjshëm i pafaturuar arrin në 24.680.742 metra kub ujë. Konsumi i pamatur dhe i pafaturuar prej 24.322.052 metrash kub është uji i konsumuar për shpëlarjen aktuale të rezervuarëve, rrjeteve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, uji i konsumuar përmes shatërvanëve dhe rubinetave dekorative publike, ndërsa pjesa më e madhe e tij konsumohet për riparimin e defekteve dhe ujitjen e sipërfaqeve të gjelbra publike, pemëve dhe gjelbërimit të bulevardeve.
Sa ujë humbet?
Sasitë e humbura të ujit në vitin 2024 në sistemin e furnizimit me ujë janë 43.979.327 metra kub. Këtu janë përfshirë edhe humbjet fizike dhe komerciale, të cilat përbëjnë 39.96 përqind të vëllimit hyrës të ujit në sistem.
Për rajonin dhe më gjerë konsiderohet se humbja e lejuar e ujit në sistem është 20 përqind e sasive të përgjithshme të ujit të prodhuar.
“Për zvogëlimin e humbjeve të ujit duhet investuar shumë mund dhe njohuri që humbjet të sillen brenda kufijve të pranueshëm. Për këtë qëllim NP “Ujësjellësi dhe Kanalizime – Shkup” ka blerë një automjet për punë në terren për hulumtimin dhe zbulimin e defekteve, të pajisur me pajisjet më moderne për këtë lloj pune. Janë formuar ekipe me trajnime për njerëzit që do të punojnë me pajisjet, sepse hulumtimin dhe zvogëlimin e humbjeve ne e shohim si një rezervë të brendshme me të cilën mund ta zbutim mungesën e ujit në sistemin e furnizimit me ujë, që është sidomos e theksuar në muajt e verës”, thuhet në Raportin mbi punën e NP “Ujësjellësi dhe Kanalizime – Shkup” për vitin 2024.
Hulumtimi i Qendrës për Komunikime Qytetare vitin e kaluar nxorri në pah se Маqedoniа çdo vit humbet 146 miliona metër kub ujë të pijshëm, nga 245 milionë metra kub ujë të prodhuar çdo vit. Humbja më e madhe absolute e ujit të pijshëm ndodh në Shkup – deri në 63 milionë metra kub në vit, që është 43% e të gjithë ujit të humbur në vend. Pasojnë Gostivari, Tetova dhe Kërçova. Pothuajse gjysma e kompanive të ujit operojnë me humbje financiare, ndërsa në numrin më të madh të tyre humbja e ujit është më e madhe se 40%.
Edhe analiza e organizatës bamirëse Waterwise dhe organit britanik të standardeve të produkteve BSI tregoi se Maqedonia e Veriut do të ketë probleme në sigurimin e ujit cilësor të pijshëm në të ardhmen nëse vazhdon ta konsumojë atë në mënyrë të pakontrolluar dhe nuk i parandalon humbjet e mëdha.