Një dukuri zakonore në formën e një rituali familjar që ka të bëjë në radhë të parë me bashkimin e njerëzve në raste familjare ose shoqërore, dollia përfaqëson një shkallë të lartë të mikpritjes shqiptare. Ajo ka si objekt respektimin dhe vëmendjen ndaj mikut, me krijimin e një klime të ngrohtë dhe bujare për të dhe pikërisht për këto vlera, dollia njihet tashmë si vlerë kombëtare e trashëgimisë. Sherif Bundo, autor i monografisë “Dollia shqiptare, institucioni shqiptar i mikpritjes”, tregon shtrirjen gjeografike të këtij riti, karakteristikë kryesisht e Jugut.
“Dollia, më e përhapur historikisht është në ato zona që në këndvështrimin historik, po t’i referohemi periudhës së Mesjetës, përputhen me hapësirat në të cilat është shtrirë principata e Muzakajve. Dollia më e përhapur është në zonat rurale të Skraparit, të Përmetit (Dishnicë, Dangëlli), të Tepelenës, Kurveleshit, të Mallakastrës, të Beratit, të Gramshit, të Librazhdit, të Pogradecit (Mokra, Gora, Opari), të Devollit, të Kolonjës etj. Por elementë të dollisë gjejmë dhe në zona të Veriut, si në disa fshatra të Pukës.”, – thotë Bundo për “Report TV”.
Çdo sofër më parë kishte një dollibash që diktonte rregullat, ndërsa ky ritual ndryshon sipas zonave.
“Në Skrapar dominon dollia zabërzan, ndërsa në zonën e Gramshit dominon dollia sulovarçe. Në zonën e Mokrës dollia është akoma më e fortë, është më rigorore, me një numër më të madh shëndetesh. Morali e filozofia e dollisë nuk qëndron te sasia e alkoolit që pihet, por lidhet te forca, magjia e fjalës, hierarkia, respekti e dashuria që shpreh.”, – vijon ai.
Studiuesi Bundo, thotë se tashmë është hapur rruga që dollia të njihet si pasuri edhe nga UNESCO.
“Ashtu siç është miratuar kënga polifonike, ashtu siç është miratur xhubleta, ashtu siç janë miratuar elementë të tjerë të pasurisë kombëtare jomateriale e meriton që dhe dollia të miratohet, duhet të fillojë të përgatitet dosja për në UNESCO.”
Rituali i Dollisë gjatë shekujve ka marrë trajtën e një kodi moral të respektuar dhe zbatuar në të gjithë hapësirën tonë, në të cilën ndërlidhen shumë elemente të tjerë të trashëgimisë sonë shpirtërore.