Mbrëmë gjatë hapjes së shtabit në Komunën e Tearcës, shefi i shtabit të VLEN, Adnan Azizi, por edhe sot kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, kanë ngritur akuza se dikush po tenton të nxitë tensione ndëretnike. Madje, Azizi dhe Kasami pretendojnë se BDI është fajtori kryesor për këtë çështje. Nga ana tjetër, opozita shqiptare retorikën e protagonistëve të VLEN-it e kanë quajtur si akt të ulët, shkruan Portalb.mk.
“Indikacionet flasin që edhe ata fëmijë që u rrahën që janë nga komuna juaj, ishin të paguar nga njerëzit e BDI-së të organizuar me “Vojvodat” vetëm e vetëm për të diskredituar pushtetin dhe nuk zgjedhin mekanizëm për të ardhur në pushtet. Kemi informacione të sakta se nga një shtet fqinj, kanë paguar dy grupe për të djeg edhe xhaminë në Kodrën e Diellit”, tha deputeti Azizi.
Të njëjtën sot e konfirmoi edhe i pari i komunës së Tetovës Bilall Kasami. Sipas tij, ka informacione se në territorin e Maqedonisë, veçanërisht në pjesën shqiptare, me theks të veçantë në Tetovë, në vazhdimësi ka tendenca për të krijuar tensione ndëretnike.
“Informacionet që kemi janë jo vetëm nga njerëzit tanë në terren, por edhe nga burime të brendshme dhe nga vendet fqinje. Edhe konflikti i fundit ka pasur indikacione se është nxitur nga elementë të tillë. Gjithashtu, sa i përket ngjarjes në Kodrën e Diellit, për të cilën kishim informata paraprake, institucionet e sigurisë janë informuar dhe janë duke ndjekur me kujdes çdo hap në këtë drejtim. Janë dhënë sugjerime dhe udhëzime drejtuar institucioneve që çdo 24 orë të përcillet situata dhe të mos tolerohet që, në periudhën parazgjedhore, elementë të caktuar të krijojnë konflikte ndëretnike për qëllime politike”, theksoi Kasami.
Ai siguroi se po grumbullohen faktet dhe argumentet që disponojnë, dhe se do të informohen edhe ambasadat.
Nga ana tjetër, për opozitën shqiptare, shefi i Shtabit të VLEN, Adnan Azizi, ka filluar një fushatë të errët dhe të rrezikshme jo vetëm për procesin zgjedhor, por edhe për marëdhëniet ndëretnike, stabilitetin dhe sigurinë në vend. Pasi, siç thuhet në reagimin e tyre, për shtatë ditë nuk guxoi t’i kthejë përgjigje padronit të tij, Hristian Mickoskit, për ofendimin që ia bëri, Adnan Azizi vendosi të ju sulet shqiptarëve.
“Akt më të ulët nuk mbahet mend nga asnjë politikan shqiptar që nga koha e Rahman Morinës, kur për dhunën ndaj shqiptarëve akuzoheshin shqiptarët dhe mbrohej regjimi Millosheviçit. Duke mos i mjaftuar kjo, Adnan Azizi dhe VLEN dalin edhe me teori ogurzeza, duke paralajmëruar djegie të xhamisë në Kodrën e Diellit dhe duke krijuar përsëri alibi për huliganët që të bëjnë një vepër të tillë e duke ua hedhur paraprakisht fajin shqiptarëve si “fajtorë kujdestar” siç po bëjnë që nga formimi i kësaj qeverie. Me këto deklarata dhe me deklaratat e fundit me përmbajtje fetare nga eksponentë të ndryshëm të VLEN-it po dëshmohet edhe një lojë më e rrezikshme. Të gjitha sulmet dhe goditjet me bazë etnike ndaj shqiptarëve, ata duan ti shtrembërojnë, tu japin konotacion fetar dhe të nxisin tensione me bazë fetare”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës thonë se deklarata e mbrëmshme e deputetit të VLEN, Adnan Azizi është shqetësue dhe nuk guxon të ngelet pa u zbardhur deri në fund.
“Ajo që u tha mbrëmë është një alarm për marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare në vend, sigurinë e qytetarëve, por dhe për stabilitetin e vendit. Meqë tha “kemi informacione të sakta” se do të digjet xhamia në Kodrën e Diellit, ftojmë deputetin Adnan Azizi që këto informacione t’i publikojë ose ti deponojë në organet e rendit dhe në Prokurori. Nëse ai nuk e bën këtë për çfarëdo qoftë arsye, atëherë Prokuroria Publike duhet të ndjek deputetin Azizi për nxjitje të urrejtjes dhe dhunës në baza fetare, skenare të rrezikshme për vendin dhe sigurinë e qytetarëve. Aktet e tilla paraqesin terrorizëm dhe cënim të të drejtave dhe lirive të qytetarëve, andaj duhet të vërtetohet nga organet kompetente nëse vërtetë ka rrezik për ngjarje të tilla, apo rreziku vjen nga deklarata e një politikani që cënon edhe rendin kushtetues për përfitime politike ditore. Nëse nuk jepen të dhëna të sakta në Prokurori dhe ky rast nuk zbardhet në kohë, atëherë është e qartë se VLEN dhe Shefi i Shtabit të tyre Zgjedhor, po luajnë me zjarr, me urrejtje ndërfetare dhe skenare të ngjashme të rrezikshme për qëllime të fushatës parazgjedhore”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Ndryshe, në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë shpeshtuar rastet e gjuhës së urrejtjes ndëretnike dhe rrahjet me motive nacionaliste.
Më 3 shtator një grup maqedonasish kanë rrahur dy nxënës të shkollës ekonomike të Tetovës, të cilët pësuan lëndime trupore.