Ambasada e Shteteve të bashkuara të Amerikës uron popullin shqiptar për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Në një reagim të parë, ambasada e SHBA në Tiranë ka zgjedhur që të flasë ‘shkurt’ përmes një postimi në rrjetet sociale, por me një mesazh të qartë se mezi pret që të vijojë partneritetin e ngushtë me Shqipërinë.
“Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë”, shkruan ambasada.
Reagimi i SHBA vjen edhe si një përgjigje për kreun e PD, Sali Berisha, i cili vetëm pak orë më parë nga selia blu tha se Amerika ka heshtur për zgjedhjet, pasi raporti i OSBE-ODHIR damkosi zgjedhjet. Por në fakt, Amerika nuk priti aspak Berishën që t’i tregojë botës ‘provat’ për vjedhjen e zgjedhjeve, për të cilat thotë se i ka edhe pse nuk ka bërë asnjë publike, por përgjigjen ia dha të drejtpërdrejtë
“Zgjedhjet i ka damkosur, në mënyrë përfundimtare misioni i vëzhguesve të OSBE-ODIHR, Parlamentit Europian dhe Këshillit të Europës. Kjo është e vërteta. E vërteta tjetër mendoj unë se SHBA-të bazuar në këto dokumente dhe natyrisht në informacionet e tjera që kanë vetë, nuk janë shprehur për këto zgjedhje, duke respektuar standardin ndërkombëtar në këto raste, i cili kërkon që raste si këto qëndrimet të shprehen pasi të finaliziohet procesi me të gjitha problematikat e tij.”, tha Berisha.
Edhe shpresën se bota do dojë të ‘provat’ që ende nuk i ka siguruar se zgjedhjet u vodhën, ia shoi edhe ambasadori i BE, Silvio Gonzato, i cili tha se Brukseli ka folur qartë për zgjedhjet në Shqipëri, e nëse një forcë politike mendon të kundërtën për procesin, të ndjekë rrugën e ankimimit në organet përkatëse.
“Ka pasur një deklaratë shumë të qartë nga Brukseli. Çdo parti e cila mendon apo ndjen se ka pasur parregullsi, patjetër le t’i raportojë ato e të ankohet te organet përkatëse, që janë organet që administrojnë zgjedhjet dhe natyrisht edhe te organet e tjera përkatëse. Kjo është mënyra se si duhet të shkojnë gjërat”, u shpreh Gonzato.