Sektori që punëson gati një të tretën e familjeve në vend ka nevojë për më shumë vëmendje, jo vetëm për financim, por edhe për një plan mbi prodhimin e kulturave bujqësore. Përpara kryebashkiakëve, zëvendësministri i bujqësisë Dhimitër Kote, kërkoi më shumë vëmendje prej tyre në këtë sektor që gjeneron ekonomi.
“Një bashki nuk ka një strategji të qartë por çfarë del dhe ndiq atë. Bujqësia nuk është në dorë të rastësisë tashmë. Nuk mund të shkojmë në BE nëse nuk rrisim sipërfaqen e mbjellë. Lërini punët e rëndësishme dhe merruni me punët e bukura që prodhojnë gjëra të rëndësishme”, tha Kote.
Për të shtuar prodhimit, si nevojë edhe për t’ju përgjigjur kërkesës së tregut ministrja e Bujqësisë Anila Denaj theksin e vuri tek investimet e reja.
“Objektivi është që të rrisim deri në 2030 me 1 mijë hektarë vëllimin e prodhimit të perimeve në sera dhe mbjelljet e reja. Kemi synimin që në këto 5 vite të bëjmë 1000 investime të reja, në njësi agropërpunim, grumbullim, agro-turizëm dhe në mekanikë bujqësore”, u shpreh Denaj.
Sfidë për institucionet nuk është vetëm nxitja e prodhimit por edhe e përpunimit të produkteve bujqësore.
“Bujqësia është pasuri kombëtare. Lakrën tonë e merr polaku, dhe e fusin në ca kavanoza dhe këtu na sjellë 5-fish çmimi”, pohon Kote.
Si pjesë e bujqësisë, kryeministri Edi Rama u përqendrua tek shkrirja e AKU-së, për të cilën tha se është ngritur tashmë grupi i punës për strukturën e re që do të garantojë e kontrollojë sigurinë ushqimore. Por jo vetëm kaq, fjalën e tij para kryetarëve të bashkive Rama e mbylli me një paralajmërim për bizneset që nuk lëshojnë fatura fiskale.
“Duke filluar nga e hëna nuk ka më paralajmërime po vetëm sekuestrime të çdo lloj produkti bulmeti dhe qumështi pa faturë”, tha Rama.