Të gjitha partitë, të mëdha e të vogla, po mundohen të joshin shqiptarët, me premtimet ekonomike. Pagat, pensionet dhe taksat janë në krye të programeve të tyre. Të gjitha synojnë pensione minimale 200 euro e pagë minimumi 500 euro. Tek taksat PS e ‘Lëvizja Bashkë’ zgjedhin atë progresiv, ndërsa PD dhe ‘Shqipëria Bëhet’ zgjedhin tatimin e thjeshtë.
Nën ethet e garës elektorale në kërkim të votës së qytetarëve, partitë politike po përqendrohen kryesisht në programet e tyre ekonomike.
E majta, me premtime të kalkuluara, siç u shpreh kryeministri, dhe e djathta me projektin e ‘dhembshurisë’, bashkohen në një pikë dhe ‘Kali i betejës’ mbetet premtimi për pensione të denja, minimali 200 euro e mesatari 400 euro brenda 4 viteve.
Praktikisht dyfishim i pensionit minimal që sot është 100 euro, dhe rritje e lehtë e pensionit mesatar me vite të plota pune që sot është 385 euro.
“Kanë zgjidhur thesin e premtimeve të dyja palët dhe po largohen nga realiteti i përditshëm. Duan të maksimizojnë votat nuk kanë lidhje me zhvillimin”, shprehet eksperti i ekonomisë Zef Preçi.
Në të njëjtën linjë dhe eksperti fiskal Eduart Gjokutaj.
“Kushdo që e premton rritjen e pensioneve nuk ka parasysh sesa mund të mbajë pjesa e buxhetit për të mbështetur një rritje të madhe, buxheti mund të mbaj kaq sa po ndodh tani, pasi nëse ndodh një më e madhe do të rritet deficiti dhe borxhi. Duhet të jetë me orientim nga formalizimi dhe zgjerimi i bazës së kontribuuesve, politika për të frenuar emigrimin dhe lufta ndaj informalitetit e pagave joreale”, tha Gjokutaj.
‘Populiste’ dhe ‘larg nevojave reale’ të ekonomisë mbetet, sipas ekspertëve, edhe fokusimi në rritje pagash pa bërë më parë një analizë kosto-përfitim-produktivitet.
“Janë programe populiste, premtimet si ato që lidhen me pagën minimale. Rritja duhet të të vijë nga një analizë e mirëfilltë, me konsultim edhe me grupet e interesit pasi është kosto që mbartet nga biznesi. Ende nuk ka një analizë të qartë për rritjen e pagës së administratës që të përkthehet në shërbime më cilësore apo produktivitet më të lartë”, sqaron Gjokutaj.
Pagë minimale 500 euro premtojnë të dyja partitë e mëdha nga 400 euro sot, dhe ndahen tek rroga mesatare. Socialistët me synim 1000 euro dhe të djathtët 1200 euro.
“Sa i takon programit të PD konsiderohet ambiciozë por ka vështirësi të mëdha në realizueshmëri për shkak nuk merr në konsideratë kapacitetet e administratës dhe të buxhetit”, shprehet Gjokutaj.
E thjeshtë apo progresive cila taksë i shërben më shumë ekonomisë?
“Me një taksë të thjeshtë realisht e thjeshton sistemin por nuk i duhet kjo Shqipërisë pasi na duhet një taksim progresiv i shëndetshëm. Por nga ana tjetër edhe progresiviteti do një rishikim thelbësor. Çdo qokë politike në kurriz të buxhetit zbrazet në një kategori tjetër”, pohon eksperti Gjokutaj.
Në gjurmët e partive të mëdha janë edhe forcat e reja, me fokus tek pagat, pensionet, minimumi jetik 200 euro, rritje punësimi e taksat.
“Problemi më i madh i ekonomisë në tërësi mbetet klima e biznesit, pra, si të prodhohen para? Si të hapen vende të reja pune, si investimet të fusin në zhvillim potencialet e vendit, duke nisur me tokën bujqësore dhe si të harmonizohen zhvillimet e sotme me ato të pritshme”, tha Preçi.
E majta i qëndron tatimit progresiv në çdo aspekt si në paga ashtu edhe në biznes, kurse e djathta premton tatim të thjeshtë 10% duke e konsideruar si zgjidhje për informalitetin dhe frymëmarrje për biznesin. Taksë të sheshtë premton edhe ‘Shqipëria Bëhet’ kurse ‘Lëvizja Bashkë’ ofron një kombinim të këtyre të dyjave por që anon nga ajo progresive, me fokus tatim të atyre që fitojnë më shumë.
Programet financiare të partive në aspektin fiskal vijnë pa një faturë mbi koston që do të kenë në buxhet nëse do të vihen në jetë.