Kryeministri Edi Rama do të kryesojë delegacionin shqiptar, në konferencën e psetë ndërqeveritare me Bashkimin Europian, e cila pritet të mbahet në Bruksel të enjten (22 maj).
Takimi do të shërbejë për hapjen e negociatave me Shqipërinë për hapjen e grupkapitullit të tretë “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”
Ky grupim përfaqëson rritjen gjithpërfshirëse për mirëqënie dhe përfshin tetë fusha ose kapituj: Kapitulli 10 (Transformimi Digjital dhe Media), Kapitulli 16 (Tatimet), Kapitulli 17 (Politika Ekonomike dhe Monetare), Kapitulli 19 (Politika Sociale dhe Punësimi), Kapitulli 20 (Ndërmarrjet dhe Politika Industriale), Kapitulli 25 (Shkenca dhe Kërkimi), Kapitulli 26 (Arsimi dhe Kultura), Kapitulli 29 (Bashkimi Doganor).
Përparimi në këto fusha është thelbësor për të garantuar stabilitetin fiskal të Shqipërisë, modernizimin industrial, rritjen e inovacionit, përmirësimin e kushteve të punës dhe pjesëmarrjen në iniciativat evropiane të kërkimit shkencor, arsimit dhe digjitalizimit.
Me këtë vendim janë hapur deri tani negociatat gjithsej për 27 fusha (kapituj dhe kritere) në vetëm tetë muaj, pas hapjes me sukses të Grupimit 1 (Themeloret) më 15 tetor 2024, Grupimit 6 (Marrëdhëniet me Jashtë) më 17 Dhjetor 2024, si dhe Grupimit 2 (Tregu i Brendshëm) më 14 Prill 2025.
Ky ritëm i përshpejtuar i çeljes së negociatave reflekton si përkushtimin e Shqipërisë ndaj reformave, ashtu edhe theksin e ripërtërirë të BE-së mbi zgjerimin si një prioritet strategjik.