Qeveria në detyrë e Kosovës ka hequr tarifën doganore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tani e tutje, të gjitha produktet me origjinë nga SHBA-ja do të kenë tarifë zero për qind kur të hyjnë në Kosovë, tha kryeministri në detyrë Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë të premten, më 1 gusht.
“Tjetër vendim shumë të rëndësishëm që po marrim sot është largimi i tarifës doganore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu tani e tutje të gjitha produktet me origjinë nga SHBA-të do të kenë tarifë zero për qind kur të hyjnë në vendin tonë. Kosova i mirëpret produktet amerikane në tregun e saj dhe besojmë fuqishëm që kjo të ndikojë në rritjen e këmbimit tregtar si dhe shtimin e investimeve. Ky është një hap i radhës që dëshmon për marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve tona dhe njëkohësisht tregon përkushtimin dhe vendosmërinë tonë për të pasur një marrëveshje për tregëti të lirë me ShBA-të”, tha Kurti.