Pas dy dështimeve radhazi, Kuvendi i Kosovës më në fund u konstituua duke i hapur rrugë betimit të deputetëve të rinj të zgjedhur nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Megjithatë, përpjekja për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit dështoi dy herë me radhë.Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, tha se gjatë takimeve konsultative ndërmjet partive politike ishte arritur pajtimi për të miratuar raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve me votë unanime. Të 120 deputetët votuan që raporti të hartohet nga përbërja e mëhershme e Komisionit, çka mundësoi betimin formal të përbërjes së re parlamentare.
Një nga pikat kyçe të diskutimeve në komision ishte kërkesa e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për dorëheqje individuale nga ministrat që janë zgjedhur edhe si deputetë. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se kjo kërkesë ishte përfshirë në procesverbal dhe se kjo kishte hapur rrugë për konsensusin.Nga ana tjetër, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, deklaroi se asnjë ndryshim nuk ishte bërë, duke akuzuar opozitën për “ndryshim fjalësh për shkak të frikës nga humbja e mandateve”.
Menjëherë pas betimit të deputetëve, Lëvizja Vetëvendosje propozoi Albulena Haxhiun për postin e kryetares së Kuvendit.Por në të dyja votimet, Haxhiu nuk mori shumicën e nevojshme: fillimisht 57 vota për, 20 kundër dhe 3 abstenime, dhe në tentativën e dytë 57 për, 19 kundër dhe 3 abstenime.
Nisma Socialdemokrate dhe dy deputetë të minoriteteve joserbe abstenuan. Si rrjedhojë, seanca u ndërpre për 48 orë – deri të hënën në ora 15:00.Shoqëria civile vlerësoi se dështimi në zgjedhjen e kryeparlamentarit është pasojë e mungesës së vullnetit për kompromis politik.
Ata theksuan se barra për të siguruar një zgjidhje bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje, si subjekti më i madh në Kuvend.Reagimet politike
Nga ana tjetër, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se ndonëse propozimi për postin i takon partisë me më së shumti mandate, askush nuk është i obliguar ta votojë atë.Lidhja Demokratike e Kosovës kritikoi dështimin për zgjedhjen e kryeparlamentares si pasojë e “pazareve politike dhe shkeljeve procedurale”, duke nënvizuar se Vetëvendosje “nuk i ka numrat për formim të institucioneve”.
Nisma Socialdemokrate, përmes kryetarit Fatmir Limaj, tha se me konstituimin e Kuvendit, është hapur rruga për formim të institucioneve dhe se pjesa e mbetur pritet të përmbyllet shumë shpejt.Në një deklaratë tjetër për media, Partia Demokratike e Kosovës shprehu gatishmëri për të marrë përgjegjësinë për formimin e Qeverisë me Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka ndërmend të ndryshojë kandidaturën.Deputeti Ilir Kërçeli deklaroi se Albulena Haxhiu do të mbetet propozimi i vetëm i LVV-së për kryetare të Kuvendit.