Sot, besimtarët ortodoksë kremtojnë ditën e shënuar të Lindjes së Hyjlindëses Mari. Në këtë ditë, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, njoftuan se janë drejt përfundimit punimet restauruese në Manastirin e Spilesë, një nga monumentet më të çmuara të trashëgimisë sonë shpirtërore e kulturore.
“Më 8 shtator, në ditën e shënuar të Lindjes së Hyjlindëses Mari, ndodhemi pranë përfundimit të punimeve restauruese në Manastirin e Spilesë, një nga monumentet më të çmuara të trashëgimisë sonë shpirtërore e kulturore. Monumenti po rilind, duke ruajtur autenticitetin dhe duke qëndruar besnik historisë shekullore. Në këtë ditë të bekuar, ky projekt është një mesazh i qartë: ruajtja e trashëgimisë është akt besimi, dashurie dhe përkushtimi për brezat që do të vijnë”, shkruajnë Rama e Gonxhja ndërsa kanë ndarë edhe pamje nga puna për restaurimin.
Punimet kanë përfshirë:
-Sondazhe arkeologjike dhe verifikime të themeleve
-Pastrime dhe heqje të ndërhyrjeve të papërshtatshme
-Konsolidim dhe restaurim të kupolave, qemerëve e mureve me gurë
-Përforcim të strukturave me materiale bashkëkohore, në harmoni me teknikat tradicionale
-Restaurim të dritareve, dyerve dhe elementeve të brendshëm e të jashtëm të kishës
Manastiri i Shën Mërisë Spile është nga më të bukurit e Lunxhërisë. Ai ndodhet mbi Saraqinisht, rreth 20 km larg Gjirokastrës. Mbishkrimi mbi portën kryesore të kishës (naosit) tregon se ky objekt kulti daton në vitin 1634.
Kisha e manastirit të Shën Mërisë Spile është një monument i trashëgimisë kulturore, i llojit “Arkitekturë”, i miratuar në qershor të vitit 1973. Manastiri është pikturuar nga piktor Mihali në kohën e peshkopit Kalist. Manastiri ngrihet mbi një shkëmb gëlqeror për shkak të shpellave karstike. Aty kanë banuar eremitët, njerëz që qëndronin të izoluar nga bota, të cilët përpiqeshin të vuanin qenien e tyre mëkatare, si një vepër shlyerjeje para Perëndisë.