Pas përfundimit të procesit të rinumërimit, KAS pritet të vendosë sot për vlefshmërinë e zgjedhjeve në 4 qarqet Tiranë, Durrës, Fier dhe Elbasan. Mbledhja pritet të nisë në orën 11:00. Rezultatet përfundimtare për 8 qarqet e tjera janë certifikuar.
Rinumërimi u mbyll/ Pritet certifikimi i rezultateve të Tiranës, Elbasanit, Fierit e Durrësit! KAS vendos sot për vlefshmërinë e zgjedhjeve në 4 qarqetFoto arkivë nga një mbledhje e KAS
KAS do të mblidhet sot në orën 11:00 për të vendosur nëse do të quhen apo të vlefshme rezultatet e zgjedhjeve në katër qarqet e mbetura Elbasan, Tiranë, Fier dhe Durrës. Vendimi do të merret pas tre javësh rinumërim, ku u rihapën disa kuti të Elbasanit dhe të Durrësit si dhe kontrolloi plotësisht votat e dy qarqeve Tiranë e Fier.
PD ankimoi rezultatet e zgjedhjeve nëpër qarqe duke kërkuar pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve. Por në tetë prej qarqeve, kërkesa u rrëzua, ndërsa rezultati u certifikua nga KQZ. Ndërkohë për të tjerët u vendos rinumërim, një proces ku rezultoi se PD ishte partia që humbi më shumë vota, por me ndikim të papërfillshëm.
Të premten u mbyll rinumërimi i kutive të Durrësit, 85 prej të cilave ishin të diasporës, ku nuk u prodhua asnjë ndryshim në rezultat. Aulon Kalaja pretendonte se kishte trafikim votash brenda partisë dhe beteja e tij ishte me kandidatin tjetër demokrat, ish-prokurorin Arjan Ndoja, i cili kishte një diferencë prej 1 mijë votash me të.
Më shumë diferenca u gjetën tek votat për kandidatët, të cilat në Tiranë ishin më shumë gabime njerëzore, ndërsa në Fier pati raste që dyshohen seriozisht për abuzime. Në Fier, rinumërimi i dha mandat me 10 vota diferencë Maldrita Bardhos, por e refuzoi, duke ia lënë karrigen Zegjine Caushit, e cila kishte fituar në raundin e parë të numërimit.
KQZ ka certifikuar përfundimisht rezultatet për 8 qarqet e tjera, ndërsa janë shpërndarë edhe mandatet. Vendimi u mor pasi Kolegji Zgjedhor rrëzoi ankimimet e PD-së për këto qarqe, duke ezauruar të gjitha hallkat ankimuese për rezultatin.