Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, është bërë zyrtarisht shtetase e Republikës së Kosovës.
Ajo u nderua nga presidentja Vjosa Osmani, e cila e priti me një ceremoni solemne dhe i dorëzoi certifikatën e shtetësisë, duke e cilësuar Duan si një prej figurave më të rëndësishme kulturore të vendit.
“Po ndihem kaq mirënjohëse që më është dhënë shtetësia kosovare nga presidentja jonë Vjosa Osmani”, shkroi Dua në Instagram, duke shpërndarë foto nga ceremonia.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, postoi një foto të saj duke i dorëzuar një certifikatë shtetësie këngëtares së Houdini, me një mbishkrim që thoshte “Mirësevjen në shtëpi Dua”.
Ajo shtoi: “Nder i veçantë që sot, me dekret presidencial, t’i dhuroj shtetësinë e Republikës së Kosovës Dua Lipës, një nga personalitetet më të rëndësishme kulturore dhe artistike në historinë e vendit tonë.
“Dua dhe Kosova gjithmonë kanë qenë të pandashëm. Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga zërat më të fuqishëm në skenat më të mëdha të botës, duke bërë histori me arritjet e saj dhe duke u bërë një frymëzim për miliona njerëz në mbarë globin.
“Mirënjohja jonë është e pafundme për gjithçka që Dua ka bërë dhe vazhdon të bëjë për Kosovën, për rininë tonë, për artin tonë dhe për imazhin ndërkombëtar të vendit tonë.
“Dua, Kosova gjithmonë do të jetë krenare për ty.”
Në një tjetër moment të veçantë, këngëtarja u prit nga fëmijë të veshur me të bardha që këndonin hitin e saj “Levitating”.
Vetëm pak ditë më parë, ajo performoi në festivalin Sunny Hill në Prishtinë, ku interpretoi këngën “Era” në shqip, bashkë me babanë e saj, Dukagjin Lipa.
“Po ndaj këtë natë me ju të gjithëve, në qytetin që më formoi… Performanca për ju, dhe ndarja e skenës me babanë tim ishte një moment që nuk do ta harroj kurrë”, shkroi Dua në rrjetin X.
Kujtojmë se në vitin 2022, Dua mori edhe shtetësinë shqiptare nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.