Jemi vetëm disa muaj në mandatin e dytë të presidentit amerikan Donald Trump, por sundimi i tij tashmë është krahasuar vazhdimisht me tiraninë.
Kjo mund të duket si diçka krejt e re për amerikanët, dhe për pjesën tjetër të botës që e ndjek nga jashtë. Por kërcënimi i tiranisë është i lashtë.
Ne mund të mësojmë shumë nga mënyra se si njerëzit në Greqinë dhe Kinën e lashtë janë përballur me këtë çështje.
Nga vjen tirania?
Popujt e Greqisë klasike ishin të ndarë në qytet-shtete të njohura si polis.
Disa prej tyre, si Athina dhe Argosi, ishin demokratike.
Të tjera, si Rodi apo Kiosi, kishin tipare demokratike, si pjesëmarrja qytetare në jetën publike.
Këto qytet-shtete përballeshin rregullisht me armiq të jashtëm, por edhe me kërcënimin e marrjes së pushtetit nga tiranë nga brenda.
Gjërat kulmuan në vitin 510 p.e.s. nën sundimin e tiranit shtypës të njohur si Hipiasi. Ai u dëbua, gjë që çoi përfundimisht në krijimin e demokracisë përmes reformave të shtetarit athinas Klishteni.
Sipas Platonit, tirania është regjimi politik më i degjeneruar dhe lind nga tepricat e demokracisë.
Ai argumentonte se kur qytetarët demokratë mësohen të jetojnë sipas kënaqësive dhe jo arsyes apo detyrimit ndaj së mirës publike, shoqëria fragmentohet.
Demagogët – liderë populistë që marrin pushtetin duke iu drejtuar dëshirave dhe paragjykimeve më të ulëta të masave – u premtojnë njerëzve më shumë liri. Ata i largojnë qytetarët nga virtyti dhe i çojnë drejt tiranisë.
Aristoteli, nxënësi i Platonit, e përkufizonte tiraninë si formën e korruptuar të monarkisë. Tirani përmbys rendin kushtetues për të sjellë sundim vetjak – sundimin e një personi të vetëm. Tirania, argumentonte ai, shkatërron ligjin dhe drejtësinë, duke gërryer gjithë besimin publik.
Qasja e Platonit dhe Aristotelit për të luftuar tiraninë ishte e lidhur ngushtë me konceptin e tyre të polis-it dhe rëndësinë e qytetarisë.
Për grekët klasikë, qytetaria ishte një marrëdhënie detyrash të ndërsjella ndaj të gjithë qytetarëve të tjerë. Ligji, besonin ata, ishte mbreti.
Ishin këto konventa që e frenonin pushtetin politik, veçanërisht sundimin arbitrar të një të vetmi.
Edukimi qytetar përmes pjesëmarrjes së përditshme në jetën demokratike nxitnin virtytin, besonin ata. Të gjithë qytetarët dhe sunduesit i nënshtroheshin ligjit – një lidhje që tirania e shkatërronte.
Aristoteli thoshte se një klasë e mesme e fortë ishte mbrojtja më e mirë kundër tiranisë, sepse tregonte një shoqëri më pak të pabarabartë dhe, rrjedhimisht, më të qëndrueshme.
Për Platonin, qasja ishte më e brendshme. Ai e shihte tiraninë si shfaqje politike të një “shpirti të skllavëruar” që drejtohej nga epshet dhe jo nga arsyeja. Sipas tij, udhëzimi filozofik drejt harmonisë ishte i nevojshëm si për tiraninë, ashtu edhe për popullin.
Vetëm përmes urtësisë, argumentonte ai, njerëzit mund të njihnin dhe të refuzonin demagogët dhe populistët.
Mbrojtja e demokracisë nga tirania
Disa qytet-shtete mësuan nga dështimet e tyre institucionale pasi u pushtuan nga tirania.
Për shembull, pasi një grusht shteti i aristokratëve përmbysi demokracinë athinase në vitin 411 p.e.s., athinasit filluan të betoheshin mbi Betimin e Demofantosit. Ky ishte një nga përpjekjet e para për një garanci kushtetuese të demokracisë kundër tiranisë.
Ai i detyronte qytetarët ligjërisht dhe moralisht të kundërshtonin çdo përpjekje për përmbysjen e demokracisë me forcë. Ky ishte një detyrim i ndërsjellë; siç kanë argumentuar studiues të tjerë, çdo qytetar mund të llogariste në mbështetjen e të gjithë të tjerëve për të mbrojtur demokracinë kur një tiran të tentonte sërish.
Kjo e bënte shumë më të mundshme që njerëzit të vepronin kundër një tirani të mundshëm; ata e dinin se çdo qytetar tjetër kishte dhënë një betim për t’i mbështetur.
Historianët grekë të kohës mbështesin këto pikëpamje. Për shembull, Herodoti në shekullin V p.e.s. dokumentoi ngritjen e disa tiranëve në Azinë e Vogël (Turqia e sotme). Ai fajësonte vakuumin politik të krijuar nga rënia e sundimit aristokratik. Këtu, ambicia personale dhe luksi i elitave hapën rrugën për sjellje tiranike.
Një tjetër historian i njohur, Thukididi, duke shkruar në të njëjtën kohë, analizoi pushtetin dhe korrupsionin politik pas tiranisë. Ai vëzhgoi se si periudhat e krizës nxirrnin në pah dobësitë e Athinës, duke çuar në përçarje, destabilitet dhe erozion të demokracisë.
Tirania në Kinën klasike
Në Kinën klasike gjejmë një pikëpamje komplementare, por unike, mbi tiraninë.
Gjatë periudhës së Shteteve Luftuese (475–221 p.e.s.), kur Dinastia Zhou ishte e ndarë mes disa shtetesh konkurrente, parandalimi i tiranisë ishte një shqetësim qendror.
Këto shtete ishin kryesisht monarki trashëgimore dhe jo demokraci, por përsëri e theksonin përgjegjësinë ndaj popullit.
Mencius, një filozof kinez i shekullit IV p.e.s. dhe studiues konfucian, argumentonte se mirëqenia e popullit ishte themeli i sundimit legjitim.
Ai thoshte se ekzistonte një përgjegjësi ndaj të gjithëve sipas Mandatit të Qiellit (天命, tiānmìng). Ky doktrinë i lashtë kinez pohonte se qielli i jep legjitimitet sunduesve të drejtë. Nëse një sundues bëhej despotik ose dështonte të ruante harmoninë dhe virtytin, mandati mund t’i tërhiqej, duke justifikuar rebelimin dhe ndryshimin e dinastisë.
Mencius ka thënë famshëm se një sundues që shtyp popullin nuk është më sundues, por thjesht një “njeri i zakonshëm” që mund të përmbysej me dhunë.
Xunzi, një tjetër filozof konfucian që shkruante nga fundi i shekullit IV deri në të III p.e.s., besonte se njerëzit ishin natyrshëm egoistë dhe kaotikë.
Për të shmangur tiraninë, ai theksonte ritualin, edukimin dhe sundimin e ligjit. Ai besonte tek ceremonitë formale dhe praktikat e strukturuara si etika e oborrit mbretëror, ritualet familjare dhe sjellja etike e përditshme. Këto, sipas tij, ndihmonin në kultivimin e virtytit, rregullimin e sjelljes dhe ruajtjen e harmonisë shoqërore.
Mozi, që shkruante kryesisht në shekullin V deri në fillim të IV p.e.s., ishte një filozof kinez që kundërshtonte Konfucianizmin dhe themeloi Mohizmin, duke ofruar një qasje ndryshe.
Duke kundërshtuar të gjitha hierarkitë, ai theksonte jiān ài (兼爱) – detyrimin universal apo kujdesin për të gjithë të tjerët – si parim thelbësor etik dhe politik.
Sipas Mozit, tirania lind kur sunduesit veprojnë egoistisht – duke favorizuar familjet, shtetet apo interesat e tyre mbi të mirën e përbashkët. Ai advokonte për sjellje të fortë morale dhe kompetencë të liderëve, dhe jo për prejardhjen, pasurinë apo statusin e tyre.
Tirania sot
Të shikuara së bashku, këto tradita sugjerojnë se parandalimi i tiranisë kërkon më shumë se vetëm udhëheqje morale.
Në vend të kësaj, kërkohet një nocion i reciprocitetit – i detyrimeve të përbashkëta midis qytetarëve – dhe mekanizma sistemorë që i frenojnë ambiciet personale të sunduesve.
Qeverisja etike, edukimi qytetar, kuadri ligjor dhe përgjegjësitë e përbashkëta janë thelbësore.