Presidenti Donald Trump tha të hënën se është i zhgënjyer nga Presidenti rus Vladimir Putin dhe se po e zvogëlon afatin 50-ditor që i dha Rusisë për shkak të luftës së saj në Ukrainë.
“Jam i zhgënjyer nga Presidenti Putin, shumë i zhgënjyer prej tij,” u tha Trump gazetarëve, së bashku me Kryeministrin Britanik Keir Starmer përpara takimit të tyre në Skoci.
“Do t’i zvogëloj ato 50 ditë që i dhashë në një numër më të vogël.”
Trump tha se ka folur shumë me Putinin, duke shtuar: “Kemi pasur diskutime.”
Presidenti amerikan njoftoi dy javë më parë se i kishte dhënë Putinit 50 ditë për të arritur një marrëveshje me Ukrainën përpara se të përballet me ndonjë pasojë.
“Do të vendosim tarifa shumë të ashpra nëse nuk kemi një marrëveshje brenda 50 ditësh,” kishte thënë Trump. “Tarifat me rreth 100%, do t’i quanit tarifa dytësore. E dini çfarë do të thotë kjo.”