Presidenti i Gujanës, Irfaan Ali, ka shpallur fitoren në zgjedhjet e përgjithshme, edhe pse rezultatet përfundimtare ende nuk janë shpallur zyrtarisht. Partia e tij, Partia Progresive Popullore (PPP), siguroi të paktën 242,000 vota, duke fituar shumicën në tetë nga dhjetë distriktet e vendit, sipas agjencisë së lajmeve Reuters. Partia “We Invest in Nationhood” (WIN), një parti politike e krijuar vetëm tre muaj më parë, doli në vendin e dytë me rreth 109,000 vota.
Ali, 45 vjeç, bëri fushatë me premtimin për të përdorur rezervat e mëdha të naftës të vendit, të zbuluara në vitin 2019, për të përmirësuar infrastrukturën dhe për të ulur varfërinë, ndërkohë që do të manovronte për të shmangur tensionet territoriale me Venezuelën. Nuk është ende e qartë sa vende do të ketë secila parti në parlamentin 65-anëtarësh, por zv/presidenti aktual, Bharrat Jagdeo, tha për mediat lokale se PPP do të ketë një “shumicë më të madhe” se në zgjedhjet e vitit 2020.
Pavarësisht një pjesëmarrjeje më të ulët se në zgjedhjet e mëparshme, PPP duket se ka rritur pjesën e saj të votave, ndërsa opozita, “A Partnership for National Unity”, renditet në vendin e tretë. Shumica e fushatës u përqendrua tek menaxhimi i të ardhurave nga rezervat masive të naftës që u zbuluan nga kompania naftëmbajtëse ExxonMobil në vitin 2019. Që nga atëherë, kompania ka zbuluar miliarda fuçi naftë në ujërat dhe territoret e Gujanës, duke bërë që buxheti i shtetit të katërfishohet.
Me një popullsi prej rreth 800,000 banorësh, Gujana tani ka disa nga rezervat më të larta të naftës të provuara për banor në botë dhe është një nga ekonomitë që po rritet më shpejt në rajon. Megjithatë, partitë opozitare thonë se ka një shpërndarje të padrejtë të të ardhurave nga nafta për grupe që janë të lidhura me PPP-në, akuza që partia në pushtet i mohon. Biznesmeni Azruddin Mohamed, lider i partisë ËIN, ka akuzuar për parregullsi në votim gjatë zgjedhjeve të hënën, megjithatë ai e ka festuar partinë e tij për “tronditjen e shtyllave të sistemit politik të Gujanës”.
Vëzhguesit e Organizatës së Shteteve të Amerikës (OSA) ishin të pranishëm në Gujanë për këto zgjedhje dhe ende nuk kanë raportuar ndonjë rast mashtrimi zgjedhor. Zgjedhjet erdhën një ditë pasi policia gujane tha se një varkë që transportonte zyrtarë të zgjedhjeve dhe kutitë e votimit ishte “qëlluar nga bregu venezuelian” në rajonin e kontestuar të Essequibo.
Venezuela e ka mohuar që të ketë qenë ajo që ka qëlluar, ndodhi në një moment kur dy vendet janë përfshirë në një mosmarrëveshje për pretendimet e konkurruara për këtë rajon të pasur me naftë.