Ashtu si çdo vit, Vlora ishte kryeqendra e festimeve dhe kremtimit të 113-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, pikërisht aty ku flamuri kuq e zi u valvit për herë të parë i lirë e I pavarur.
Festa e Flamurit bëri bashkë krerët më të lartë të shtetit nga Shqipëria e Kosova të cilët morën pjesë në ceremoninë shtetërore të ngritjes së flamurit nën tingujt e himnit kombëtar.
Ceremonia vijoi me nderimet në vendprehjen monumentale të Ismail Qemalit, ku kryeministri Kryeministri Rama, Presidenti Bajram Begaj dhe Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi vendosën kurorat me lule.
Nderimet e tyre i shprehën edhe kryetarja e Bashkisë së Vlorës dhe Prefektja e qarkut.
Kryeminsitri Rama e nisi ditën me një postim në rrjetet sociale, ku me një fotografi të monumentit të pavarësisë në Vlorë i uron gjithë shqiptarëve ditën e flamurit. Reagime erdhën edhe nga Kosova si dhe partnerët ndërkombëtarë BE dhe SHBA.
Pavarësia e Shqipërisë u shpall më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali në Vlorë. Në Kuvend morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, dhe 40 prej tyre nënshkruan Aktin e Pavarësisë. Menjëherë më pas, Asambleja formoi qeverinë e parë të pavarur, të kryesuar nga Ismail Qemali, si dhe Këshillin e të Urtëve të njohur ndryshe edhe si Pleqësia. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur. 28 nëntori përkon edhe me ditën kur Gjergj Kastriot Skënderbeu ngriti më 1443 flamurin e Kastriotëve në Krujë, duke udhëhequr rezistencën kundër Perandorisë Osmane.
Gazeta 17 Shkurti iu urojnë të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen festën e pavarësisë.
Dita e Flamurit/ Grupi i valltarëve të ‘Qendrës Kulturore Devoll’ kërcejnë valle popullore në pikën kufitare të Kapshticës

Dita e Flamurit/ Dogana Qafë Thanë, udhëtarët priten me veshje dhe valle popullore nga grupi i valleve të Pogradecit
Elbasanit feston 113-vjetorin e Pavarësisë, kryebashkiaku: Dinjiteti dhe vullneti janë më të fortë se çdo pengesë! Demokrati: Sot nuk janë më ato burra shteti
“Sot nuk përkujtojmë vetëm një akt politik, por një moment shpirtëror. 28 nëntori është dita kur një komb i vogël i tregoi botë se dinjiteti dhe vullneti i një populli janë më të fortë se çdo pengesë. Në vitin 1912 njerëz t mençur e vizionarë të udhëhequr nga Ismail Qemali ngritën flamurin në Vlorë dhe i dhanë jetë shtetit të parë shqiptar në histori. 28 nëntori është dhe dita e simbolit tonë të shtrenjtë, flamurit kuq e zi. Të jemi të drejtë dhe të patundur për dashurinë tonë ndaj atdheut. Pavarësia nuk është vetëm një simbol, por një angazhim i përditshëm”, tha Gledian Llatja.
“Dita kur disa burra të nderuar të këtij qyteti dhe të Shqipërisë u bashkuan ë Vlorë për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë, nëse mendoni pas në kohë, ajo që kuptojmë janë 3 mesazhe, së pari ata njerëz vizionarë besuan tek e ardhmja. S’do të ketë qenë e thjesht në ato momente të mendoje për Shqipërinë e pavarur. Së dyti ata besuan shumë fort tek shqiptarët. Së treti ata besuan që interesat e së përbashkëtës, të Shqipërisë ishin përpara interesave të tyre personale”, tha Arbër Mazniku.
Pas përfundimit të ceremonisë nga socialistët, në orën 11 anëtarë të PD-së, të shoqëruar nga Drejtuesi i Qarkut Tomorr Alizoti, vendosën kurorat e tyre pranë bustit. Alizoti, në këtë ditë të veçantë për qytetarët elbasanas, dha urimin e tij duke theksuar ndërgjegjësimin e tyre dhe t’u kthehen krenar, siç kanë qenë.
“Të gjithë shqiptarë iu urojmë festën gëzuar në një ditë të vështirë ku Shqipëria nuk i ka më atë burrat e dikurshëm. I uroj shqiptarëve që t’iu rritet ndërgjegjja dhe të mos pranosh të padrejtën dhe të keqen”, tha demokrati Tomorr Alizoti.
Manifestimet e 28–29 Nëntorit në Elbasan kanë nisur që mbrëmjen e djeshme, ku Bashkia Elbasan dhuroi një pamje spektakolare për qytetarët duke ndriçuar muret e kalasë shekullore, teksa pasditja do të jetë e mbushur me aktivitete artistike në Teatrin Skampa të Elbasanit.
Parada e pavarësisë në Shkodër, atmosferë kuq e zi me kuaj dhe këngë
113 vite shtet i lirë, kryebashkiaku i Pukës uron Pavarësinë: Të çojmë sa më lart amanetin e atyre që kontribuuan për kombin tonë
“Së bashku sot kremtojmë 113 e shpalljes së pavarësisë. Nderoj me respekt të gjithë ata që kanë dhënë jetë për pavarësi, për lirinë e kombit tonë. Këtu jemi për të dhënë mesazhin e paqes, mirësisë për të çuar lart e më lart amanetin dhe gjakun e atyre që kanë kontribuar për kombin tonë. Veçanërisht për Pukën që kjo liri të mos mbetet e përdhosur, por të ndriçojë vendin”, tha kryebashkiaku i Pukës, Rrok Dodaj.
113-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, mbahet në Katedralen e Korçës ceremonia e Dhoksologjisë së Flamurit
Bashkia Përrenjas feston 113 vjetorin e pavarësisë/ Kryebashkiaku: 28-29 Nëntori ditë reflektimi! Deputeti i PS: Të ndihemi krenarë për historinë
Gjatë aktivitetit u theksua rëndësia e ruajtjes së traditës dhe respektit për figurat e shquara që kontribuuan në lirinë e Shqipërisë.
“Këto janë dy data krenarie që më në fund pas shumë përpjekjesh të atyre që sakrifikuan jetën për ditët e bukura që ne gëzojmë sot, janë dy data që çdo shqiptar i feston në të gjithë botën. Duke iu uruar të gjithëve 28-29 nëntorin, festën e çlirimit. Dua që këto data të jenë ditë reflektimi, data që ashtu sikur ata që luftuan për këtë ditë, kërkuan që të ketë një Shqipëri të mirë, të begatë dhe të lirë. Shumë shpejt jemi në hapat e fundit për të shkuar në BE. Do të jemi një shtet më i sigurte, më i përparuar”, tha kryebashkiaku Nuri Belba.
Pas fjalës së kryetarit, përshëndetjen e tij e dha edhe Deputeti i zonës.
“Kur bëhet fjalë për festat e nëntorit, kjo sallë merr një vëmendje të madhe. Të gjithë duhet të jemi krenarë sa herë që vjen nëntori, 28-29 nëntori të cilat gjithmonë na kanë bërë të ndihemi krenarë për atë histori të popullit tonë. Atë histori të lavdishme shekull pas shekulli e përcjellë brez pas brezi. Le të vazhdojmë të respektojmë me nder dhe krenari gjakun e dëshmorëve që na anë dhënë këtë shtet që gëzojmë sot, por dhe ata të vitit 1944, heronjtë e Luftë Nacional Çlirimtare që na renditën në krahun e fitimtarëve dhe në krahun e heronjve”, tha deputeti i PS Olsi Komici.
Në vijim, artistë të ndryshëm interpretuan këngë patriotike dhe pjesë artistike kushtuar figurave historike, ndërsa publiku reagoi me duartrokitje dhe entuziazëm.
Mbrëmja u mbyll mes emocionit dhe atmosferës festive, duke sjellë edhe një herë në vëmendje vlerat që na bashkojnë si shqiptarë.
Festë në doganën e Morinës, të rinj nga Kosova e Shqipëria ia marrin valles në kufirin e përbashkët
Zhvillohet ceremonia e ngritjes së flamurit në sheshin ‘Skënderbej’, Ristani: Liria nuk është dhuratë, është përgjegjësi
“Të thuash se 28 nëntori është ditë e rëndësishme është thuash pak sepse nuk mban vetëm një trashëgimi por mban një premtim kjo ditë sot. Është një kujtesë, mbi çfarë kemi qenë, kush jemi dhe kush duam të jemi. Shqiptarët në çdo brez kanë ditur të ngrihen për lirinë, për dinjitetin dhe për të ardhmen. Prandaj, sot ndërsa ndërtojmë Shqipërinë moderne, evropiane, të hapur, 28 nëntori nuk është një përkujtim por është një premtim se rrugëtimi vijon dhe do e çojmë përpara me të njëjtën kurajo që kemi ndriçuar historinë tonë”, theksoi ajo.
Në vijim, Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës theksoi se pavarësia nuk është vetëm histori, por një detyrë e përditshme për të ndërtuar institucione të forta, shtet ligjor dhe një shoqëri të orientuar drejt standardeve europiane.
“Amaneti i Vlorës është: Liria është fillimi; shteti është detyra, e ardhmja është përgjegjësia. Ky amanet mbetet i gjallë çdo 28 nëntor, jo si kujtim i së shkuarës por si thirrje për të sotmit: Të mos festojmë vetëm Pavarësinë por ta justifikojmë me punë, me vizion dhe me institucione që i bëjnë nder flamuri dhe janë në lartësinë e atij premtimi. Tirana, kryeqyteti ynë, është pasqyra e këtij premtimi, e këtij përkushtimi dhe ashtu siç Shqipëria e 1912 u ngrit për të mbrojtur sovranitetin e saj, me vendosmëri, Shqipëria e sotme punon për të forcuar shtetin e konsoliduar demokracinë. Shqipëria duhet të jetë e lirë , thoshte ai- sepse vetëm e lirë mund të jetë e denjë dhe kjo fjali, e thjeshtë por e fuqishme është amaneti që na bashkon ende sot. Na kujton se liria nuk është dhuratë; është përgjegjësi. Pavarësia nuk është vetëm histori; është punë e përditshme. Evropa nuk është vetëm destinacion por është mënyrë e të menduarit, e të vepruarit, për të qëndruar të denjë”, deklaroi Ristani.
Më tej, ajo u theksoi se sot, 113 vjet më vonë, është radha jonë t’i japim zë, po të njëjtit mesazh.
“Me punën tonë, me integritetin tonë, me institucionet që ndërtojmë çdo ditë. Prandaj sot, teksa flamuri ynë valëvitet mbi Tiranën e rritur, të ndryshuar dhe të afruar me standardet evropiane, le ta kujtojmë këtë të vërtetë të thjeshtë e të fuqishme: Flamuri ynë nuk valëvitet vetëm nga era, por nga vullneti. Valëvitet mbi një Shqipëri që ecën me hap të sigurt. Mbi një Shqipëri të lirë, të bashkuar dhe të fortë. Mbi një Shqipëri që e vizaton të ardhmen, duke e ndërtuar sot shtetin, ligjin dhe besimin tek ai”, deklaroi Ristani.
Kryeqyteti do të festojë 28-29 Nëntorin me një kalendar të gjerë aktivitetesh duke i shndërruar në një qendër të madhe festive. Për dy ditë në radhë qytetarët do të kenë akses falas në institucionet kulturore dhe në aktivitetet e tjera publike, nga performanca e Ansamblit Popullor e deri te koncerti madhështor në sheshin ‘Skënderbej’.
Sot festohet pavarësia, shqiptarët dynden drejt Greqisë! Fluks automjetesh në Kapshticë
Berati feston 113 vjetorin e Pavarësisë, nderohet me kurora lulesh Përmendorja! Kryebashkiaku Ceca: Një ditë e shenjtë që na rikthen tek rrënjët
“Sot jemi mbledhur mbi themelet e këtij qyteti që ka rrezatuar kulturë dhe qytetari ndër breza. Është një ditë e shenjtë për vendin tonë, që na rikthen tek rrënjët, tek sakrifica dhe krenaria që mbartim si shqiptarë. Më 28 nëntor 1912 Ismail Qemali dhe burrat e kombit ngritën flamurin në Vlorë dhe shpallën pavarësinë. Ajo ishte përmbushja e ëndrrës shekullore e një populli. Edhe Berati ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Këtu janë rritur, mësuar, luftuar dhe sakrifikuar dhjetëra figura rilindase, dijetarë, luftëtarë, klerikë e patriotë q ëme penë e pushkë frymëzuan lirinë e shtetit shqiptar. Në Kuvendin e Vlorës Berati u përfaqësua denjësisht me 6 firmëtarë e 45 delegatë duke na bërë krenarë për të parët tanë të cilët vendosën gurët e themelit të shtetit shqiptar”, tha Ervin Ceca.
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe të partive të tjera opozitare, i zhvilluan homazhet dhe nderimet në Lapidarin kushtuar Pavarësisë dhe në lapidarin e Dëshmorëve të Atdheut 30 minuta para ceremonisë së organizuar nga pushteti vendor.
Në Kuvendin e Vlorës, Berati ka pasur delegatët e tij, të kryesuar nga Iliaz Bej Vrioni, kryeministër i vendit, ministër i jashtëm dhe figurë mjaft e rëndësishme e jetës politike dhe sociale të Shqipërisë në vitet ’20-’30.
Mbahet në Sarandë ceremonia për 113-vjetorin e pavarësisë, mungojnë përfaqësuesit e PD! Kurora me lulet vendoset nga ish-kryetarja e degës
113 vite shtet/ Divjaka feston sot pavarësinë, kryebashkiaku: Ismail Qemali kaloi dhe në trevat tona! Kënaqësi të ngrej këtë flamur
“Është kënaqësi e veçantë për mua të uroj këtë festë, të ngrej këtë flamur. Për mua ngelet festa më e madhe e Shqipërisë moderne. Kemi fatin e madh që ai flamur, ai plak i moçëm, ai njeri i madh i asaj dite të shënuar, kaloi dhe pranë kësaj trevës tonë. Një trevë që në histori ka treguar qëndrueshmëri, guxim dhe urtësi. Është e vërtetë që çdo ditë që po vjen ky flamur e kjo histori ka filluar dhe më shumë të rrezikohet nga largimet e mëdha”, tha kryebashkiaku.
“Kisha është katolike dhe e përgjithshme, një e pavarur. Feja dhe populli janë një dhe të pandarë”, tha përfaqësuesi i kishës ortodokse at Pandeli Sota.
Pas ceremonisë së ngritjes së flamurit dhe përshëndetjeve të rastit pjesëmarrësit kanë ndjekur një koncert të organizuar nga qëndra kulturore Divjakë
Lezhë/ 113-vjetori i Pavarësisë, ngrihet flamuri dhe vendosen kurora me lule pranë obeliskut të ‘Besëlidhjes’
“Tregojmë mirënjohje, nderim e përurje, se ne nuk e harrojmë klurrë përpjekjet, sakrificat dhe gjithçka që bënë Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi dhe të gjithë firmëtarët e pavarësisë. Shqipëria që nga ajo ditë ka pësuar shumë ndryshime. Rruga nuk ka qenë e lehtë, në rrugën për pavarësi kemi kaluar nëpërmjet luftërave, përpjekjeve për zhvillim, pengesave por sot të gjithë ne jemi krenarë sepse së pari gëzojmë lirinë. Me këtë liri, jemi munduar të ndërtojmë një jetë më të mirë për qytëtarët tanë. Na duhet më shumë punë dhe përkushtim për Lezhën dhe Shqipërinë”, tha Ndreu.
Aktiviteti i organizuar nga Bashkia Lezhë për 113-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, krahas autoriteteve lokale, bëri bashkë edhe përfaqësues të komuniteteve fetare e dhjetëra qytetarë.
Fier/ Kremtohet 113-vjetori i Pavarësisë, zhvillohet ceremonia e ngritjes së Flamurit
Edhe këtë herë opozita nuk i është bashkuar ceremonisë festive me rastin e Ditës së Pavarësisë.
‘Shqipëri moj shkëmb e gurë’, qytetari si Ismail Qemali përshëndet shqiptarët me polifoni (VIDEO)
“Ditë e shënuar, na kujton flamurin Bizant që nga koha e Skënderbeut deri të Vlora e Ismailit. Dua të citojë vargjet e të madhit Ali Asllani. ‘Shqipëri moj shkëmb e gurë, vritesh pritesh për flamurë’”, tha Guri Rrokaj, një mjeshtër i madh mallakastrioti.
Shqiptarët e Kosovës në Vlorë për Festën e Flamurit: 28 nëntori datë historike (VIDEO)
“Vijmë nga Kosova, për të festuar, për të marrë pjesë në festën e flamurit. Organizimi duket mirë, padiskutim. Është një shesh që është ngrit flamuri nga ky vend, dhe shpresoj se sa më mirë do jenë Kosova dhe Shqipëria.
Vijmë nga Podujeva. 28 nëntori është datë historike për të gjithë shqiptarët, pavarësisht se ku jetojnë.
Vijmë nga Prishtina. Vlora është vendi jonë i përbashkët.
Jemi nga Prizreni, jemi një grup bletarësh. Viti i parë që vijmë në Vlorë. Vlora do të thotë shumë për ne shqiptarët e Kosovës, ne e kishim si simbol krenarie në Kosovë”, shprehen ata.