Pas sulmit kibernetik iranian që goditi faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës, platforma “e-femijet.tirana.al” vijon të jetë jashtë funksionit. Për këtë arsye, të gjithë prindërit që nuk kanë mundur të regjistrojnë fëmijët e tyre online, duhet të paraqiten fizikisht në ambientet e Drejtorisë së Çerdheve dhe Kopshteve në Rrugën e Barrikadave, deri më 30 qershor.
“Të gjithë të interesuarit që nuk kanë mundur të bëjnë për të bërë aplikim regjistrimin e fëmijëve në çerdhe, kopsht, kalimi nga çerdhja në kopsht apo kërkesa për transferime janë të lutur të paraqiten pranë ambienteve të drejtorisë së përgjithshme të çerdheve edhe të kopshteve”, thotë Zhaneta Beqiri, drejtoresha e kopshteve dhe çerdheve të Tiranës
Drejtoresha e kopshteve dhe çerdheve të Tiranës, Zhaneta Beqiri sqaron se përmes platformës janë regjistruar 6500 fëmijë, numër mjaft i lartë në raport me kapacitetet aktuale.
“Ndërkohë se vendet e lira janë 2700 vende në çerdhe dhe 2500 vende në kopshte. Këtij numri do i shtohet edhe numri i aplikimeve që do të shtohen gjatë këtyre ditëve”, tha për Report Tv drejtoresha.
Por në cilat zona janë kopshtet dhe çerdhet më të mbipopulluara?
“Zona e Liqenit të thatë se ka nevojë për hapësira çerdheje por edhe hapësira kopshti. Në zonën e çerdheve janë ndërtuar 2 çerdhe edhe 1 kopësht, por vazhdojmë të mbetemi me kërkesa të paplotësuara. Në zonën e Don Bosko kemi kërkesa për çerdhe edhe kopshte. Ne Astir kemi një çerdhe me kapacitet shumë të lartë, 200 fëmijë, por ka nevojë ende për çerdhe po ashtu edhe kopsht”, shtoi Beqiri.
Si një zgjidhje të mundshme bashkia e Tiranës konsideron marrjen me qira të ambienteve.
“Bashkia e Tiranës do të bëjë të gjitha përpjekjet për të marrë ambiente me qira, apo edhe ndërtime të reja”
Ky ishte viti i parë kur prindërit kishin mundësinë të regjistronin fëmijët e tyre online, një risi që solli edhe vështirësi për disa përdorues, për shkak të mungesës së njohurive me sistemin.
“Pamundësia për tu loguar, pamundësia për të shkarkuar dokumentet nga e-Albania. Kanë ardhur fizikisht aty me kartën e identitetit dhe u është dhënë ndihma. Si dhe momente të tjera se nuk kanë ditur të vazhdojnë me procedurat”, thotë Zhaneta Beqiri, drejtoresha e kopshteve dhe çerdheve të Tiranës
Pas përfundimit të aplikimeve më 30 qershor, do të nisë shqyrtimi i dokumentacionit, bazuar në kriteret e caktuara. Prioritet do t’u jepet kategorive më vulnerabël, si familjet me ndihmë ekonomike, prindërit e vetëm, apo fëmijët me nevoja të veçanta. Rezultatet e pranimeve pritet të dalin në pjesën e parë të muajit gusht, dhe prindërit do të njoftohen përmes e-mailit.