Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është caktuar 14 nëntori 2025 si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Vendimi është marrë më 2 shtator 2025 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Mbrojtja e Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq, e kishte informuar trupin gjykues se dëshmitarët e saj pret që t’i përfundojë deri në fund të tetorit, eventualisht deri në fund të nëntorit.
Ndërsa, mbrojtja e Krasniqit e përfaqësuar nga avokati Aiden Ellis, kishte njoftuar se i duhet vetëm një javë kohë për të përfunduar me dëshmitarët e tyre pasi i kanë vetëm dy dëshmitarë sipas Rregullës 154. Ellis tha se nuk ishte në gjendje që të specifikonte një datë të saktë sepse kjo do varej se kur do të përfundonte me paraqitjen e provave mbrojtja e Thaçit për të pasuar më pas me paraqitjen e provave nga ana e mbrojtjes së Krasniqit.
Megjithatë, data e vendosur sipas trupit gjykues nuk është definitive, ajo mund të ndryshojë varësisht prej nevojës së procesit.
Në vendimin e tij, trupi gjykues e potencon edhe sigurimin e përfundimit me kohë të kësaj çështjeje dhe e specifikoi nevojën e ndryshimit të orarit të seancave në këtë rast.
Si mundësi, trupi gjykues përmendi që të shtohet një javë punë, konkretisht seancat nga data 6 deri më 9 tetor 2025. Mirëpo, para se ta marrë një vendim të tillë, trupi gjykues tha se do të kërkojë edhe mendimin e palëve pjesëmarrëse në rast që kanë ndonjë kundërshtim.
Lidhur me këtë, palët duhet të dorëzojnë kundërshtimet e tyre deri më 4 shtator 2025.
Ndryshe, mbrojtja e Thaçit, sipas trupit gjykues, ka bërë zbulimin e identitetit të të gjithë dëshmitarëve duke përfshirë edhe deklaratat e përmbledhjet e grupit të parë. Ndërsa, për pjesën tjetër të dëshmitarëve, mbrojtja u udhëzua që sa më shpejtë që të jetë e mundur të sigurojë dokumentacionin e kërkuar.
Veç kësaj, mbrojtja e Thaçit kishte njoftuar se disa ofrues të informacionit kanë kërkuar masa sipas Rregullës 107 dhe se për këtë do të bëhet kërkesë. Ndërsa, mbrojtja e Krasniqit kishte thënë se nuk ka ndërmend të bëjë kërkesa të tilla.
Ndërsa, kërkesat e tilla, trupi gjykues i urdhëroi mbrojtjen që t’i bëjnë së paku tri javë përpara se të fillojë dëshminë dëshmitari ndaj të cilit do të aplikohen këto masa.
Po ashtu, mbrojtja e Thaçit ka deklaruar se të gjithë dëshmitarët e saj, përveç njërit që do të dëshmojë sipas Rregullës 153, të tjerët do të jenë ose të drejtpërdrejtë ose sipas Rregullës 154.
Ndërsa, ajo e Krasniqit kishte thënë se dy dëshmitarë të tyre do të dëshmojnë sipas Rregullës 153, dy sipas asaj 154 dhe një sipas Rregullës 155.
Për dëshmitë sipas Rregullës 153 dhe 155, trupi gjykues ka vendosur që kërkesat duhet të dorëzohen deri më 10 shtator 2025. Ndërsa, për ato sipas Rregullës 154 duhet të dorëzohen të paktën tri javë përpara se të fillojë dëshmia e një dëshmitari.
Në anën tjetër, trupi gjykues nënvizoi se Prokuroria e ka të drejtën për të kërkuar leje që të paraqesin prova në kundërshtim, e po ashtu edhe mbrojtja në kundërpërgjigje të Prokurorisë.
Si rrjedhojë, palëve u është thënë se duhet të jenë të gatshme që të paraqesin parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë deri më 22 dhjetor 2025, konkretisht para pushimit të gjykatës.
Megjithatë, data definitive për këtë procedurë do të caktohet më vonë, konkretisht para se të përfundojë çështja e mbrojtjes.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.
“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.
Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020