Ajo ka gjetur balancën mes punës dhe jetës personale. Për Mimoza Zekajn, çdo ditë është një faqe e re plot ngjyra dhe mundësi për të bërë diçka të mirë për veten dhe komunitetin.
Mëngjeset e saj në Elbasan nisin me një bugaçe, një ushqim tradicional që i jep energjinë e duhur për axhendën që e pret.
“Jam punonjëse sociale prej 15 vitesh në arsimin parauniversitar. Ditët e pushimit unë i mbush me shumë aktivitete: nga kujdesi për familjen tek gatimet speciale, palestra dhe kujdesi për kafshët e rrugës dhe një ecje në kodrën e Krastës”, tregon Mimoza.
Kujdesi për kafshët e rrugës është një mision tashmë i përditshëm që i jep kënaqësi.
“Macet janë dashuri, janë të ëmbla, ledhatare. Unë kam dhe një maçok sharmant në shtëpi që është 15 vjeç. Kam disa vite që i ushqej. Ndërsa Lara është një qenushe e dashur e lagjjes që e ushqej.”, tregon ajo ndërsa një thirrje vjen për Bashkinë për projekte për kafshët e braktisura.
“Duhet të ketë më shumë projekte nga Bashkia për mbrojtjen e kafshëve të rrugës, nëpërmjet sterilizimit dhe vaksinimit”, thotë Mimoza.
Palestra dhe shëtitjet në natyrë janë pjesë e pandashme e rutinës së saj.
“Kam 10 vjet që ushtrohem në palestër. Është shëndet fizik dhe psiko-emocional. Gjithashtu merrem me alpinizëm. Puna e zyrës na mban lidhur pas karriges dhe jetës sedentare, ndaj shfrytëzoj kodrën e Krastës për shëtitje. Kam ngjitur shumë maja malesh, kam zgjedhur ato me nivel mesatar të vështirësisë.
Jam përfshirë edhe me skuadrën e alpinizmit të Elbasanit, Kukësit etj. Kam bërë kajak, rafting, ski. Është shumë adrenalinë”, tregon Mimoza.