Me eliminimin e së mërkurës, Partizanit iu bënë plot 21 vite që nuk arrin të fitojë Kupën e Shqipërisë, madje as të shkojë në finale. Skuadra e Gegës e kishte fituar me shifra minimale ndeshjen e parë kundër Egnatias, por dështoi ta ruajë këtë rezultat në ndeshjen e kthimit në shtëpi, duke u mposhtur 0-2 pas 120 minutash lojë.
Në këtë mënyrë, të kuqtë eliminohen në gjysmëfinale nga Kupa, një kompeticion, të cilin për herë të fundit e kanë fituar në sezonin 2003-2004, kur triumfonin në finale ndaj Dinamos. Kjo e fundit arriti ta mposhtë Vllazninë dhe ta kapë finalen, ndryshe nga çfarë ndodhi me të kuqtë.
21 “MAKTHE” – Pas triumfit në vitin 2004, gjithçka ka ngjarë me një mallkim të madh për të kuqtë, që kanë parë të eliminohen në ndeshje të çuditshme ndaj kundërshtarëve si Sukthi, Kamza apo Besëlidhja (dy herë). Të kuqtë kanë parë “ferrin” e të eliminuarit në turet e para të kompeticionit, sidomos në sezonet kur luanin në kategoritë e ulëta dhe “kacavirreshin” për të mbijetuar në futbollin shqiptar, kur të gjithë i kishin kthyer shpinën pa mëshirë.
VITET E FUNDIT – Që kur Partizanin e mori në pronësi presidenti Gazment Demi, të kuqtë kanë qenë gjithnjë pretendentë dhe kanë hyrë si favoritë në Kupën e Shqipërisë, por as në këtë epokë të artë të klubit nuk kanë arritur ta fitojnë Kupën. Në vitet e fundit, të kuqtë janë eliminuar në çerekfinale ose gjysmëfinale, duke e lënë garën në ndeshjet e fundit. Në pesë vitet e fundit, tri herë janë eliminuar me penallti nga Vllaznia (dy herë) dhe nga Kukësi. Verilindorët vitin e shkuar ranë nga Kategoria Superiore, por arritën të fitonin ndaj “Demave” në çerekfinale. Çerekfinalet duket se janë turi më ters për kampionët, pasi janë eliminuar plot 10 herë në këtë fazë të kompeticionit. Që nga viti 2005, Partizani ka shkuar vetëm në katër edicione në gjysmëfinale, mes katër më të mirave.
Ky Partizan është një skuadër që nuk premton shumë dhe në kushtet kur edhe vetë drejtuesit janë në dijeni të kësaj, Kupa këtë sezon kishte marrë vëmendje të madhe, pasi mund të konsiderohej si një “shteg” për t’[u kualifikuar në Kupat e Europës. Humbja e kësaj mundësie i shton akoma më shumë rëndësinë dhe peshën e këtij dështimi. Mundësia e fundit e mbetur është ajo kundër Elbasanit, e cila duhet fituar me patjetër për të zënë një vend në “Final 4”, që do ta dërgonte ekipin e kuq të paktën në Ligën e Konferencës, ku do të mund të arkëtonte para të rëndësishme për të vendosur bazat e sezonit të ri.