Ndonëse fletëthirrja i ishte dërguar në 3 adresa, ish-kryeministri Sali Berisha nuk u paraqit në SPAK për të dhënë llogari për krimin shtetëror të 21 janarit. Prokuroria e Posaçme i kishte kërkuar që të paraqitej sot në orën 10:00, për tu marrë në pyetje nga prokurori i çështjes Alfred Shehu si person që ka dijeni mbi vrasjen e 4 protestuesve në bulevard, por Berisha është fshehur SPAK-ut duke u kapur pas teknikaliteteve.
Burime pranë Kuvendit thanë për Report TV se fletëthirrja e SPAK drejtuar Sali Berishës, që në momentin kur mbërriti në protokoll, i është përcjellë zyrës së grupit parlamentar të PD. Grupi ka refuzuar të tërheqë fletëthirrjen dhe ajo është kthyer pas në protokoll. Gjithashtu, Kuvendi ka njoftuar me e-mail grupin e PD për mbërritjen e kësaj shkrese dhe më pas ka njoftuar edhe SPAK se kjo fletëthirrje nuk është tërhequr. Kjo ishte thirrja e dytë e firmosur nga SPAK për ish-kryeministrin, pasi e para, e lëshuar më 3 nëntor, ishte kthyer mbrapsht pa u hapur.
SPAK përgënjeshtron Berishën
Fakti që Berisha ka refuzuar fletëthirrjet u konfirmua edhe nga vetë Prokuroria e Posaçme, e cila përgënjeshtroi pretendimet e tij. SPAK sqaroi për Report Tv se fletëthirrja që iu dërgua Berishës më datë 3 nëntor është kthyer pas me mbishkrimin “Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf.” Ndërkohë, më datë 09 nëntor, është refuzuar marrja e zarfit të dërguar në banesë, ndërsa më 12 nëntor grupi i PD ka refuzuar të marrë fletëthirrjen nga Kuvendi. Më pas, SPAK thotë se njoftimi për urdhër-thirrjen është dërguar edhe në adresën zyrtare të emailit: sali.berisha@parlament.al, më datë 10 nëntor.
“Prokuroria e Posaçme do të vijojë zbatimin e parashikimeve ligjore për njoftimin dhe paraqitjen e personit të thirrur, sipas afateve dhe detyrimeve të parashikuara në legjislacionin në fuqi”, thekson SPAK në njoftim.
Por, Berisha u zu ngushtë nga gazetarët të cilët po i lexonin live në konferencë për shtyp njoftimin e SPAK. Kreu i PD pretendoi se nuk e ka në përdorim këtë email dhe se sipas tij, fletëthirrja nuk i kishte mbërritur as në banesë dhe as në seli, por vetëm në Kuvend duke akuzuar Altin Dumanin për lojëra.
Policia mund ta çojë me forcë në SPAK
Një gjest i tillë nga një ish president i vendit dhe një ish kryeministër që synon sërish të drejtojë shtetin shqiptar, mund të shihet edhe si një arratisje që në sytë e shqiptarëve mund të shihet si prova e radhës e fajësisë së tij për krimin shtetëror të 21 janarit. Nëse thotë se është i interesuari i madh që ngjarja të zbardhet do të duhej të shkonte për të provuar pretendimin për pafajësinë e tij.
Kodi i Procedurës Penale i ka të qarta hapat nëse një person që ka dijeni për një krim refuzon t’i përgjigjet thirrjes nga ana e organit të akuzës. Nëse kjo do të ndodhë edhe pas fletëthirrjes së tretë, atëherë SPAK ka detyrimin të urdhërojë shoqërimin e detyrueshëm të Sali Berishës, që të japë llogari për vrasjet në bulevard nga armët e shtetit, para zyrës së qeverisë që ai drejtonte.
Dosja 21 janari
Thirrja e Berishës vjen disa ditë pasi SPAK mori në pyetje Lulzim Bashën, në atë kohë ish ministër i Brendshëm. Më 30 tetor, Basha u mor në pyetje për rreth një orë, por në dalje nga Prokuroria e Posaçme ai nuk dha asnjë detaj, duke deklaruar se çështja është në hetim dhe se respekton sekretin hetimor.
SPAK po heton ngjarjen që sistemi i vjetër e drejtësisë e gjykoi si “vrasje nga pakujdesia”. Insistimi i familjarëve të Aleks Nikës, viktima e vetme pa autor, bëri që dosja të rikthehej në vëmendje. Më 12 mars 2024, Gjykata e Lartë, pas vendimit të Strasburgut, urdhëroi SPAK-un të hetojë 21 Janarin si krim shtetëror dhe të zbardhë përgjegjësitë e drejtuesve të lartë, përfshirë Berishën, Bashën dhe Ndrea Prendin, për vrasjen e katër protestuesve Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika. Fillimisht, Prokuroria e Tiranës çoi në gjyq vetëm ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, dhe ish-efektivin Agim Llupo, të dënuar respektivisht me 1 dhe 3 vite burg, të cilët prej kohësh janë të lirë. Më korrik 2024, SPAK regjistroi procedimin penal për tre akuza: “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim, “shpërdorim detyre” dhe “pengim të zbulimit të së vërtetës”, të gjitha të kryera në bashkëpunim.
Grupi i PD nuk mori fletëthirrjen nga Kuvendi për 21 janarin, Bardhi mbron Berishën: Nuk na është dërguar, SPAK po përdoret për propagandën e ditës

Pasi SPAK njoftoi se grupi i PD ka refuzuar të marrë fletëthirrjen për Berishën lidhur më çështjen e 21 janarit, Gazment Bardhi i ka dalë në mbrojtje kryetarit të tij. Edhe Bardhi pretendon se deputetëve të PD nuk i është dërguar asnjë fletëthirrje, ndërsa sulmon SPAK duke i thënë se po përdoret për propagandën e ditës të inskenuar nga mazhoranca.
Bardhi shkruan se SPAK nuk mund të keqinformojë median mbi fakte të shtrembëruara për interesa politike nga ana e Kuvendit të Shqipërisë. Kreu i grupit parlamentar të PD, ka postuar gjithashtu dhe kutinë postare në Kuvend që i përket Berishës e fotograruar bosh.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka dërguar asnjë njoftim drejtuar Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe për pasojë stafi politik i grupit nuk ka patur çfarë të refuzojë.
Referimi nga SPAK i një gënjeshtre të thënë nga Kuvendi i Shqipërisë meriton vetëm përbuzje. Vetë SPAK ishte në dijeni të faktit se nuk ka dërguar ndonjë njoftim drejtuar Grupit tonë Parlamentar dhe për pasojë nuk mund të keqinformojë median mbi fakte të shtrembëruara për interesa politike nga ana e Kuvendit të Shqipërisë.
Po ashtu, Prokuroria e Posaçme apo vetë Kuvendi është në dijeni të rolit dhe përgjegjësive të një grupi parlamentar dhe stafeve të tyre politike, ku “ofrimi i shërbimeve postare” nuk hyn në fushën tonë të përgjegjësisë!
Rezulton e provuar se në kutitë postare të asnjë deputeti të grupit tonë parlamentar, që ndodhen brenda ambienteve të Kuvendit, nuk ka të depozituar asnjë njoftim të dërguar nga SPAK nga ana e administratës së Kuvendit të Shqipërisë.
Sa më lart, shprehim keqardhje për keqpërdorimin politik të Prokurorisë së Posacme, për propagandë dite të inskenuar nga mazhoranca socialiste në Kuvendin e Shqipërisë”, thuhet në reagimin e Gazment Bardhit.

SPAK tha se refuzoi dy herë fletëthirrjen, Berisha zihet ngushtë: Gënjeshtër! Rojet e banesës janë të përgjegjshëm…nuk përdor atë email
Ai u justifikua duke thënë se përdor vetëm email personal, dhe se fletëthirrja mund t’i jetë dërguar në atë lidhur me parlamentin, që pretendoi se nuk e përdor. Madje, sipas tij, mund t’ia kenë hapur me qëllim për këtë çështje.
“Një gënjeshtër absolute. Ato roje janë njerëz të përgjegjshëm, të cilët më kanë dorëzuar mua çdo lloj dokumenti që ka ardhur aty. Dhe kur organet gjyqësore kanë patur, e kanë konsideruar të domosdoshme i kanë dërguar me motocikletë, me punonjës të gjykatave etj, dhe nuk ka ndodhur asnjëherë kurrë kjo që thonë ata. Thuaji mbylljani atë, bëjani bllok atij numrit se e kanë agjenci mashtrimi. Po, çdo ditë. Asnjë email s’më ka ardhur. Unë nuk kam email në parlament, por kam emailin tim. Nuk përdor email në parlament. Nuk është emaili ajo që komunikon, dorëzon dhe firmos ai që merr njoftimin. Pas këtyre bisedave, gjoja kanë nisur email ose më kanë hapur një llogari emaili kastile për këtë punë. “, tha Berisha.
Berisha urdhëroi rojet të mos marrin fletëthirrjet për 21 janarin! SPAK përgënjeshtron kreun e PD: I ka refuzuar 2 herë
Sali Berisha kishte autorizuar rojet e pallatit që të mos merrnin asnjë zarf që vinte në emër të tij. Detajin që konfirmon se Berisha refuzon të njihet edhe proceduralisht me fletëthirrjen për 21 janarin e vërteton vetë SPAK.
Në një reagim për Report Tv, Prokuroria e Posaçme konfirmon se edhe në urdhërthirrjen e parë të datës 3 nëntor, edhe atë të 7 nëntorit, marrja e tyre është refuzuar.
Në zarfin e kthyer mbrapsht të 3 nëntorit ishte mbishkrimi “Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf”. Pas këtij konstatimi, është dërguar fletëthirrja e dytë në të tre adresat dhe më datë 9 nëntor është refuzuar sërish marrja e zarfit të dërguar në banesë, ndërsa tre ditë më vonë me 12 nëntor grupi parlamentar i PD ka refuzuar marrjen në dorëzim të njoftimit. Dy ditë më herët, më datë 10 nëntor fletëthirrja i është dërguar vetë kreut të PD në adresën e emailit.
Prokuroria e Posaçme thotë se do të vijojë procedurat për thirrjen e Sali Berishës sipas afateve dhe detyrimeve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.
Reagimi i plotë i SPAK për Report TV
Në përgjigje të kërkesës suaj, ju informojmë si vijon: Deri tani janë dërguar dy urdhër-thirrje përmes shërbimit të postës shqiptare, më datë 3.11.2025 në adresën e banesës (për t’u paraqitur në SPAK në datë 7.11.2025) dhe në datën 7.11.2025, në adresën e banesës, Partisë Demokratike dhe Kuvendit (për t’u paraqitur në datën 14.11.2025).
Urdhër-thirrja e parë, e dërguar në banesë më datë 3.11.2025, është kthyer mbrapsht në Prokurorinë e Posaçme, me shënimin:
“Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf.”
Pas këtij konstatimi, Prokuroria e Posaçme ka vijuar me dërgimin e urdhër-thirrjes në tre destinacionet (Banesë, Partia Demokratike dhe Kuvend) më datë 07.11.2025.
Më datë 09.11.2025, është refuzuar marrja e zarfit të dërguar në banesë, ndërsa më 12.11.2025 Shërbimi i Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë ka njoftuar se marrja në dorëzim e njoftimit është refuzuar nga stafi politik i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Përmes shkresës është sqaruar gjithashtu se njoftimi për urdhër-thirrjen është dërguar edhe në adresën zyrtare të emailit:
sali.berisha@parlament.al, më datë 10.11.2025.
Prokuroria e Posaçme do të vijojë zbatimin e parashikimeve ligjore për njoftimin dhe paraqitjen e personit të thirrur, sipas afateve dhe detyrimeve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.
Iu fsheh SPAK për 21 janarin/ Berisha hiqet sikur nuk di gjë: Mashtrime, s’ka ardhur fletëthirrje te pallati dhe PD! E ka marrë vetëm Taulanti, lojëra të Altin Troplinit
“Unë kudo, qoftë në seli, qoftë aty ku banoj, kam njerëz të përgjegjshëm, të cilët kurrë nuk mund të ndodhë të firmosin për një dokument që adresohet tek unë dhe të mos ma japin. Por kjo i intereson Altin Troplinit, i cili e shndërron atë institucion, i jep standardet e tij morale. Sot është data 14. Nga data 3 që pretendohet, deri me datën 14, ai dokument mund të vinte 5 herë në zyrën time, në shtëpinë time apo në parlament. Dhe nuk ka ardhur askund.”, tha Berisha.
Më tej, u rikthye në ditën kur ka ndodhur ngjarja duke thënë ka qenë njeriu i parë që ka kërkuar një hetim të plotë të ngjarjes. Por, për të, fajtori i vetëm është Edi Rama se donte t’i merrte pushtetin.
“Unë isha thellësisht më i interesuar për hetimin, ndoshta më shumë se kushdo tjetër. Jo për veten time, se ata që patën qëllime të tilla, dështuan, por kjo duhet të zbardhej në interesin më të mirë të shtetit shqiptar. Po të hetohej organizatori, Edi Ramës duhet t’i faturohej atë që meritonte. Kurse Sali Berisha qëndroi në zyrën e tij, ditë pune, respektoi flamurin dhe detyrën që kishte. Pra, këto janë për këtë çështje. Këto dhe vetëm këto. Nuk më kanë thirrur, sa herë të thërrasin për çdo gjë, jo për këtë, unë shkoj, nuk kam asnjë lloj”, tha Berisha.
Berisha vijoi sërish duke pretenduar se nuk i është dërguar fletëthirrja as në banesë dhe as në seli, sepse njerëzit e tij do e informonin, edhe pse vetë SPAK sqaroi në një reagim zyrtar se i janë refuzuar dy herë fletëthirrjet, njëra më 3 nëntor dhe tjetra e dërguar më 7 nëntor. Në thirrjen e 3 nëntorit, që Berisha pretendon s’e ka marrë në banesë, SPAK e përgënjeshtron teksa thotë se i është kthyer mbrapsht me një shënim ku thuhej se rojet janë autorizuar që të mos marrin asnjë zarf. Pranimin e ftesës në Kuvend e justifikon me Taulant Ballën dhe se SPAK është i lidhur me partinë në pushtet.
“Unë nuk kam pranuar? Kujt ia kanë ofruar? Se unë nuk e kisha dëgjuar këtë. Po në qoftë se këta thonë se ia dërguam dhe nuk e pranoi, këta janë mashtrues ordinerë. Janë të pafytyrë. Unë kam, fatmirësisht tek pallati njerëz që marrin postën me firmë. Të nxjerrin firmën. Unë kam njerëz në seli. A e kanë nisur në tre vende? Atëherë pse del se vetëm në parlamentin e Taulantit e paskan marrë? Shiko çfarë veglash të shpifura, të turpshme…Unë respektoj ligjin. Unë nuk merrem me trillime, nuk merrem me manipulime, nuk merrem me propagandë banale, unë respektoj ligjin. Ligji përcakton njoftimin. Kurse ajo që thua ti, parlamenti, ajo tregon një lojë të turpshme të tyre. Pra, selia nuk e ka marrë, pallati nuk e ka marrë, ka njerëz aty, të thotë postieri cili ia refuzoi. E ka marrë Taulanti me 5 mbiemra, çka fakton lojën e turpshme të Altin Troplinit, i cili në turpe të tilla që asnjë ordiner nuk ia lejon vetes.”, shtoi ai.
Kur u pyet për reagimin e SPAK, dhe emailin në të cilin gjithashtu i është dërguar fletëthirrja, Berisha u zu ngushtë. Ai pretendoi se përdor emailin e tij personal dhe jo atë me parlamentin, ku është dërguar fletëthirrja që ka çuar Prokuroria. Madje shkon edhe më tej teksa thotë se këtë adresë zyrtare të emailit ku është dërguar fletëthirrja t’ia kenë hapur për të bërë këtë show, siç e cilësoi ai.
“Është një gënjeshtër absolute. Ato rojë janë njerëz të përgjegjshëm. Këta janë njerëz të pafytyrë. Janë njerëz të përgjegjshëm të cilët më kanë dorëzuar mua çdo lloj dokumenti që ka ardhur aty. Dhe, kur organet gjyqësore kanë pasur, e kanë konsideruar të domosdoshme, i kanë dërguar me motoçikletë, me punonjës të policisë, gjykatës, etj, etj dhe nuk ka ndodhur kurrë kjo që thonë ata. Shiko, bëju bllok atij numrit të tyre sepse e kanë agjenci mashtrimi. Prandaj ju lutem shumë, bëjini bllok dhe report atij numrit, thuaju edhe kolegëve tuaj të bëjnë të njëjtën gjë sepse dezinformojnë….Emailin e hap çdo ditë. Nuk kanë dërguar asnjë. Unë email nuk përdor dhe nuk kam email në parlament. Nuk përdor email në parlament. Në qoftë se e kanë hapur dhe është, ato kanë rregulla komunikimi. Nuk është emaili ajo që komunikon. Posta ka rregulla, dorëzon njoftimin, firmos ai që merr njoftimin. Duket se kanë nisur pas këtyre bisedave, kanë hapur ndonjë llogari emaili kastile për këtë punë. Normalisht deputetët duhet të kenë llogari emaili, por unë nuk e kam përdorur kurrë.”, u shpreh Berisha.