Ish-kryeministri Sali Berisha mohoi të ketë dhënë urdhër që të qëllohej drejt protestuesve më 21 janar. SPAK-un e akuzon se po bëIsh-kryeministri Sali Berisha për herë të parë dha llogari para SPAK për krimin shtetëror të 21 janarit, ku 4 protestues u vranë në Bulevard më 2011-ën me plumbat që u derdhën nga Kryeministria. Edhe sot, pas gati 15 vitesh, ish-kryeministri Berisha i mbrojti vrasjet e 21 janarit, duke deklaruar para derës së SPAK se kush proteston në mënyrë të dhunshme edhe vritet.
“Për vrasjet duhet të ketë hetime. Thashë edhe njëherë. Por që kur përdorin dhunën, ka edhe plagosje, ka edhe vrasje, kjo është e pamohueshme”, tha Berisha.
Për krimin shtetëror të 21 janarit, ende i pazbardhur, Berisha shkeli në ambientet e SPAK për të dhënë llogari vetëm sot, 19 nëntor 2025, pas manovrave me fletëthirrjen. ish-kryeministri u pyet për 2 orë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme nga 3 oficerë të Policisë Gjyqësore dhe pasi doli nga ambientet e SPAK nuk kurseu sulmet ndaj drejtësisë së re të cilën e akuzoi se bën hetime politike, por edhe ndaj kryeprokurorit Altin Dumani.
“Të besosh se SPAK s’do bëjë hetim politik, do të thotë të tallesh me veten tënde. Është repart i PS kundër opozitës”, tha Berisha.
Ai mbajti pothuajse të njëjtat qëndrime si gati 15 vite më parë, kur ishte kryeministër dhe mohoi që ai vetë të kishte dhënë urdhër që qëllohej me plumba të vërtetë ndaj protestuesve. “Absolutisht asnjë urdhër. Asnjë urdhër nuk është dhënë për të qëlluar. Asnjë urdhër dhe kurrë. Nuk mund të jepet urdhër”, tha Berisha duke mbrojtur edhe njëherë Gardën për të cilën theksoi se ka zbatuar vetëm ligjin.
“Garda ka një ligj, i cili ligj autorizon rojën të qëllojë sa herë dikush e kërcënon me ndonjë objekt, apo ndonjë gjë. Të qëllojë në ajër, kur ajo përsëritet, të qëllojë te këmbët, kur ajo përsëritet ta eliminojë.
Ish-kryeministri pranon edhe se ka penguar arrestimin e drejtuesve të Gardës, për të cilët ishte lëshuar urdhërarrest më 2011-ën, por Policia nuk e ekzekutoi.
“Ka ndërmjetësuar ambasadori i SHBA-së dhe çdo oficer i kërkuar nga prokuroria është paraqitur në prokurori, por në ndjekje të lirë sepse Edi Rama dhe Ina Rama kërkonin që të eliminonin zinxhirin e komandës”, vijoi Berisha.
Audiopërgjimi i 21 janarit, ku kreu i Gradës, Ndrea Prendi dëgjohet të japë urdhër të hapet zjarr ushtarak mbi protestuesit, është dërguar për tu ekspertuar në laboratorë jashtë vendit. Por, për is-kryeministrin kjo audio është e manipuluar, ndonëse për këtë nuk paraqet asnjë provë e fakt.
“Të falsifikosh një zë është gjëja më e thjeshtë. Janë imituar në autenticitet të plotë jo zëra të njerëzve të thjeshtë, por gjer të presidentë të SHBA, të Obamës. Një urdhër i dalë pas 13 vitesh. Si mund të besoj unë një audio të dorëzuar pas 12 vitesh, është zero, është njësoj si shiriti i Metës”, tha Berisha pasi doli nga SPAK, ndërsa vlerësoi edhe punën e Prendit, kur u pyet nga gazetarët se përse ai u shfaq me sy të nxirë.
“Prendi ka qenë në krye të detyrës dhe në vlerësimin tim ai ka bërë të pamundurën që të përmbushë detyrimet ligjore të tij”, tha Berisha.
Kreu i PD se do ishte përballur me drejtësinë mbi 1 dekadë më parë, por se askush nuk e thirri, edhe pse një vendim i GjEDN thotë se qeveria e tij bëri gjithçka që të pengonte hetimet, që nga poshtërimi në drejtim të kryeprokurores Ina Rama e deri te refuzimi i shoqërimit të zinxhirit komandues të Gardës së Republikës. Berisha i shkeli shkallët e Prokurorisë së Posaçme, gati tre javë pasi aty i pyet ish ministri i tij i Brendshëm, Lulzim Basha.
Dosja 21 janari
SPAK po heton ngjarjen që sistemi i vjetër e drejtësisë e gjykoi si “vrasje nga pakujdesia”. Insistimi i familjarëve të Aleks Nikës, viktima e vetme pa autor, bëri që dosja të rikthehej në vëmendje.Ishte Gjykata e Strasburgut që e cilësoi 21 Janarin krim shtetëror dhe në vazhdë të këtij vendimi, Gjykata e Lartë më 12 mars 2024 urdhëroi SPAK të nisë hetimet dhe të zbardhë përgjegjësitë e drejtuesve të lartë, përfshirë Berishën, Bashën dhe Ndrea Prendin, për vrasjen e katër protestuesve Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika. Fillimisht, Prokuroria e Tiranës çoi në gjyq vetëm ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, dhe ish-efektivin Agim Llupo, të dënuar respektivisht me 1 dhe 3 vite burg, të cilët prej kohësh janë të lirë. Më korrik 2024, SPAK regjistroi procedimin penal për tre akuza: “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim, “shpërdorim detyre” dhe “pengim të zbulimit të së vërtetës”, të gjitha të kryera në bashkëpunim.
Berisha del nga SPAK dhe e pranon: Po, e pengova arrestimin e drejtuesve të Gardës
Sali Berisha dha sot për herë të parë qëndrimin e tij para SPAK për vrasjet e 21 janarit, të cilat jo vetëm i mbrojti, por gjatë komunikimit me gazetarët pranoi edhe se pengoi arrestimin e drejtuesve të Gardës, për të cilët ishte lëshuar urdhëarrest pas 4 vrasjeve në bulevard.
Berisha tha para gazetarëve se çdo gardist i kërkuar është paraqitur në Prokurori, por është hetuar në ndjekje të lirë dhe sipas tij, kjo është bërë me ndërmjetësimin e SHBA. Ku dukshëm me këtë deklaratë si më poshtë, la të nënkuptuar se ishte ai që pengoi arrestimin e drejtuesve të Gardës.
Gazetarët: Refuzuat të zbatonit urdhrat për ndalimin e gardës?
Berisha: Aty ka pasur një ndërmjetësim ndërkombëtar.
Gazetarët: Kush ndërmjetësoi?
Berisha: Ka ndërmjetësuar ambasadori i SHBA-së dhe çdo oficer i kërkuar nga prokuroria është paraqitur në prokurori, por në ndjekje të lirë sepse Edi Rama dhe Ina Rama kërkonin që të eliminonin zinxhirin e komandës në një kohë kur Edi Rama kishte deklaruar se, beteja tjetër do të ishte vendimtare dhe secili nga gardistët e thirrur janë paraqitur në prokurori. Të gjitha të tjerat janë mashtrime.
Më 2011-ën, pasi dolën urdhër arrestet për drejtuesit e Gardës, Policia nuk i ekzekutoi. Ishte vetë Berisha që më 25 janar 2011 deklaroi se “urdhër-arrestet e lëshuara nga Prokuroria e Përgjithshme për gjashtë drejtuesit e lartë të Gardës së Republikës, nuk do të zbatohen në mënyrë absolute, në bazë të Kodit të Procedurës Penale”. Urdhrin e ish-kryeprokurores Ina Rama e konsideroi si puç.
Berisha pyetet 2 orë në SPAK dhe mbron krimin shtetëror të 21 janarit: Kur përdoret dhuna, ka edhe vrasje
“SPAK-u bën hetime politike, SPAK-u është një repart i PS kundër opozitës. Ta pret mendja ty që guxon SPAK-un të gozhdojë Edi Ramën për aktin më të dhunshëm në histori? Në fakt për vrasjet duhet të ketë hetime. Thashë edhe njëherë. Por që kur përdorin dhunën, ka edhe plagosje, ka edhe vrasje, kjo është e pamohueshme. Dhe ata që organizojnë këto ose ata që shkelin ligjet, bëhen përgjegjës…”, tha Berisha.
Pse Ndrea Pendi doli me sy të nxirë një ditë pas 21 janarit? Ja si përgjigjet Berisha
Gazetarët: Shefi i gardës, Ndrea Prendi u shfaq në publik me sy të nxirë, pse?
Berisha: Prendi ka qenë në krye të detyrës dhe në vlerësimin tim ai ka bërë të pamundurën që të përmbushë detyrimet ligjore të tij.
21 janari/ Berisha kapet me gazetarët jashtë SPAK: Po bën punën e prokurorit ti? Garda ka vepruar sipas ligjit, s’ka pasur urdhër për të qëlluar
Gazetarja: Nga brenda godinës u vranë 4 qytetarë të pafajshëm. Kush e dha urdhrin?
Berisha: Absolutisht gënjeshtër me bisht kjo që thua. Jo nga brenda, meqenëse u referohesh medieve, merr filmimet. Ushtarët e Gardës kanë qëlluar, jo nga brenda.
Gazetarja: Nga godina e kryeministrisë.
Berisha: The nga brenda, korrigjo këtë. The një gënjeshtër, sepse nuk është qëlluar nga brenda kryeministrisë. Është qëlluar nga vendrojet e rojet e gardës.
Gazetarja: Kush e dha urdhrin?
Berisha: A po bën punën e tyre ti, apo tënden?
Gazetarja: Po bëj punën e gazetarit.
Berisha: Garda ka një ligj, i cili ligj autorizon rojën të qëllojë sa herë dikush e kërcënon me ndonjë objekt, apo ndonjë gjë. Të qëllojë në ajër, kur ajo përsëritet, të qëllojë te këmbët, kur ajo përsëritet ta eliminojë. Ky ligj është votuar nga PS-ja, jo nga ne. Garda që ta mësoni ju, dhe mund të rrëmoni 120 mijë herë, nuk funksionon me urdhër, po me ligj. Pra, sado që ta ktheni apo stërktheni, Garda apo çdo vendroje e armatosur funksion me ligj. E qëllove, gjuajtje drejt tij, duhet të qëllojë në ajër. Vazhdove persistove, duhet të qëllojë tek këmbët, vazhdove persistove, duhet të eliminojë rrezikun. Këtë i thotë ligji i Gardës. Absolutisht asnjë urdhër. Asnjë urdhër nuk është dhënë për të qëlluar. Asnjë urdhër dhe kurrë. Nuk mund të jepet urdhër.
Pyetet 2 orë për 21 janarin/ Berisha i hutuar pasi del nga SPAK, ngatërron datën e krimit shtetëror dhe sulmon Dumanin
“Kjo mosthirrje flet më shumë se çdo gjë tjetër, sepse kjo mosthirrje kishte të bënte vetëm me faktin se Edi Rama organizoi për epshet e pushtetit të tij, protestën më të dhunshme në historinë e vendit. Ky ishte shkaku i mosthirrjes. Autoritetet ndërkombëtare, qeveria e SHBA ka deklaruar dhe ka rideklaruar se mw 11 janar, PS kishte axhendë dhune. Ku janë ata mbështetësit e saj? Nuk janë këtu. Ta marrin vesh ata, pra kishte axhendë dhune. Kjo është e vërteta. Pikërisht kjo deklaratë është bërë shkak që të mos thirrem unë për t’u pyetur për një ngjarje dramatike, që u kushtoi jetën 4 demonstruesve, plagosjen e mbi 120 policëve, etj.
Ishte një proces normal, duhet ta pohoj këtu. Në qoftë se këta që ishin aty, zhvilluan një procedurë në përputhje me ligjin dhe rregullat, kjo nuk mund të thuhet për Dumanin që po pinte kafe, jo me Pojën, po me këtë të fundit që i mori 5 milionë, Kreshnik Farrukun. Po pinte kafe me Kreshnik Farrukun. Po, i shkoi edhe në Manzë Kreshnik Farrukut. Dhe nuk flet gjë, hesht si fija e barit. Ai do heshtë, por unë nuk hesht se do mbroj interesat publike. Thirrja e një njeriu për të dëshmuar në këtë institucion është procedura më normale, por ama nuk është procedurë publike. Jo, nuk është publike. Të thërret, pyet, shkon. Kurse ky Troplini, pa e marrë unë njoftimin, ia shpërndau medieve përmes zyrës së tij të shtypit në një akt të shëmtuar, duke dëshmuar se institucioni i tij është një institucion banal i propagandës socialiste.
Çfarë ka publiku ta marrë vesh para meje se unë jam thirrur për t’u pyetur për 21 janarin? Pra shikoni procedurën e tyre. Një procedurë është krejtësisht diskrete, që nuk ka asnjë lidhje as me mediat, as me publikun, ua jep përpara medieve përpara se të më japë mua.
Dhe bën për hir të Lubi Ballukut dhe Ramaduros, bën 2-3 javë duke furnizuar studiot e televizioneve të kontrolluara nga qeveria që të mos bëjnë debate për vjedhjen e 50 milionë eurove nga Lubi Balluku dhe Edi Rama vetëm në tunelin e Llogarasë, pa thënë skandalin tjetër të aeroportit të Vlorës, por të merren se Sali Berishën e kanë thirrur pas 13 vitesh për të dëshmuar për nj gjë, për të cilën në vlerësimin tim, duhej thirrur që ditën e parë të hetimeve pa asnjë lloj hezitimi.
Unë isha njeriu i rrethuar, njeriu që dritaret iu gjuajtën me gurë, njeriu që u kërkua të përmbyset pushteti i tij, iu kërkua të largohet ose do kalohet mbi kufoma. Këto janë të dokumentuara. Dhe që kishte dalë nga një palë zgjedhje që kishin plotësuar standardet kryesore ndërkombëtare të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e lira. Por Edi Rama me epshet e pushtetit kërkonte të përmbyste”, tha Berisha.
Audioregjistrimi i 21 janarit nuk është ekspertuar dot, SPAK e dërgon në laboratorë jashtë vendit
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar nga familjarët e të ndjerit Aleks Nika që të tregojnë mënyrën se si është siguruar audio regjistrimi si dhe pajisjen origjinale me të cilën është bërë regjistrimi, pasi kaseta e dorëzuar në SPAK është kopjo.
Në materialin audio dëgjohet Ndrea Prendi, komandanti i atëhershëm i gardës, që jep urdhër të hapet zjarr luftarak mbi protestuesit, pra jo më plumba manovër.
Audioregjistrimi që flitet se është 34 minuta është bërë nga një person që ka pasur akses në komunikimin e një kanali të konsideruar të sigurt që përdorej nga drejtues të lartë të Gardës, i cili ka regjistruar komandat dhe urdhrat e dhëna në momentet kur u vranë 4 protestuesit e paarmatosur para kryeministrisë të drejtuar nga Sali Berisha në atë kohë.