22-vjeçari Klodian Mema prej dy vitesh e ndan jetën mes Shqipërisë dhe Hungarisë. Ëndrra e tij e madhe është që një ditë të shkëlqejë në ring, pasi pasion ka boksin, por kushtet dhe mundësitë e kanë detyruar të emigrojë.
“Kam ikur për një jetë më të mirë,”-u shpreh 22-vjeçari Mema.
Për Report Tv ai tregon se është detyruar të punojë në Budapest dhe të mos jetë 100% i përqendruar vetëm te boksi pavarësisht se edhe atje stërvitet.
“Furrë buke. Punoj furrtar. Furra si punë ndërsa boksi si profesion,”-tha Mema.
Klodiani më së shumti qëndron në Hungari, por para ndeshjeve kthehet në vendlindje për të mbyllur përgatitjet. Edhe pse palestra nuk është në kushtet që duhet, dëshira për të boksuar i ka lindur pikërisht në Kukës.
“Duke parë boks, duke praktikuar. Më pas erdha te profesor Bashkimi dhe duke u stërvitur dhe më pas të bën për vete. Dëshira dhe nuk e lash më,”-deklaroi Mema.
Më 5 prill në Tiranë Klodian Mema do të ketë ndeshjen e katërt në boksin profesionist, teksa do të përballet në kuadër të evenimentit ‘Grushti i Hekurt’ me një kundërshtar nga Kosova në kategorinë 75 kilogramë.
“E vështirë është se duhet të japësh maksimumin. Po bëjmë përgatitjet dhe shpresoj të japim rezultat të mirë,”-tha boksier.
Pavarësisht jetës mes emigracionit dhe stërvitjes, 22-vjeçari mbetet i vendosur që të ndërtojë emrin e tij në boksin profesionist. Synimi i tij është të përfaqësojë denjësisht Kukësin dhe Shqipërinë në aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare, duke e kthyer sportin jo vetëm në pasion, por në profesionin e jetës së tij.