Në prag të 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, Ambasada Amerikane në Tiranë mblodhi personalitete nga fusha të ndryshme për të festuar vlerat e lirisë, demokracisë dhe partneritetit mes dy vendeve.
E Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn, vlerësoi rrugëtimin e Shqipërisë nga izolimi komunist drejt integrimit euroatlantik, duke e cilësuar atë një histori frymëzuese suksesi.
“Për 250 vjet Amerika ka qenë një fener shprese për njerëzit në mbarë botën që dëshirojnë të marrin frymë të lirë. Shqiptarët e njohin mirë dëshirën për liri. Udhëtimi i kombit tuaj nga shtypja dhe izolimi drejt demokracisë dhe aleancës perëndimore është një nga historitë e mëdha të suksesit të kohës sonë. Lidhja jonë është sot më e fortë se kurrë më parë”, tha VanHorn.
Marrëdhëniet Shqipëri-SHBA i vlerësoi edhe zv. Kryeministrja Albana Koçiu e cila ishte e pranishme në ceremoni.
“Liria, demokracia dhe e drejta për të kërkuar lumturin i përkasin çdo qenie njerëzore. Miqësia mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është një miqësi e shkruar vetëm në dokumenta. Ajo është e provuar në momentet më vendimtare të historisë tonë“, u shpreh Koçiu.
Në nderim të Pavarësisë së SHBA-së të pranishëm ishin edhe drejtues të institucioneve të drejtësisë, politikan nga PS dhe PD, përfaqësues nga partitë e reja, drejtues të komuniteteve fetare, biznesmen, aktivist dhe gazetarë. Por në ceremoni munguan Kryeministri Edi Rama dhe lideri i PD Sali Berisha.