Tre parti të reja do të jenë pjesë e parlamentit të ri me katër deputetë. Nisma Shqipëria Bëhet aplikoi brenda vetes listën 100% të hapur, dhe ende nuk është e qartë se me cilin emër do të përfaqësohet. Dy vendet e Partisë “Mundësia” janë për Agron Shehajn dhe Erald Kaprin.
Danjela Maloku
25 Maj, 18:16 | Përditesimi: 25 Maj, 19:33
Share
Ndërsa në një krah socialistët, dhe përballë tyre, demokratët me aleatët vet, do të mbizotërojnë dhe parlamentin e ardhshëm, 4 deputetë të dalë nga tre forcat politike që garuan për herë të parë në zgjedhje, do të jenë ngjyrat e reja në sallë.
Edhe pse në të gjithë vendin, grumbulloi mbi 64 mijë vota, Nisma Shqipëria Bëhet mori vetëm një mandat në Tiranë.
E para në listën e fiksuar është Ana Dajko, por ajo sipas deklaratave të mëparshme të krerëve të koalicionit është vendosur formalisht dhe nuk do të marrë mandatin. Pasi humbën betejën për një sistem tërësisht me lista të hapura, kandidatët e këtij koalicioni janë dakordësuar që lista e fiksuar të shterohet përmes dorëheqjeve, dhe mandati t’i përkasë atij që ka marrë më shumë vota preferenciale.