Në qendrën shëndetësore të Velipojës, një grua është kthyer në simbol përkushtimi dhe humanizmi. Është Vjollca Vocaj me 30 vite eksperiencë në shërbim ndaj pacientëve.
Çdo sezon veror, ajo është mbështetja e qindra pushuesve që kërkojnë ndihmë mjekësore në qendrën shëndetësore pranë plazhit.
“Kur kam një pacient shumë rëndë, e ndjej edhe vetë moralisht, shpirtërisht për t’i dhënë jetën. Raste-raste nuk kam marrë parasysh as jetën time. Vetëm të shpëtoja njerëz”.
‘Shkodra Elektronike’ ndez kalanë e Rozafës, koncerti elektrizon publikun
Jeta e ka përballur me sfida. Është sezoni i parë pa bashkëshortin e saj, Fredi Vocaj, i cili për mbi 40 vite kishte shërbyer si shofer ambulancë, por fatkeqesisht u nda nga jeta teksa ishte në krye të detyrës.
Vjollca tregon se ata kanë qenë gjithmonë bashkë, në punë dhe në jetë, duke ndarë të njëjtin mision, shpëtimin e sa më shumë jetëve.
“Ai ishte shoku i jetës dhe më tepër më ka dhënë kurajo për pacientët se ai ka punuar me shumë shpirt. Boll koha e ’97 që ka qenë dhe telefoni i tij nuk fikej kurrë. Binte telefoni në orën 01:00-02:00 të natës, nuk thoshte nuk mundem apo jam larg, por erdha. Iku duke thënë po iki të marr të sëmurin, iku në krye të detyrës”.
Sot, ajo e vazhdon këtë rrugë si një amanet të shenjtë, duke e mbajtur gjallë kujtimin e bashkëshortit përmes shërbimit ndaj njerëzve.
“Unë do të eci përpara dhe amanetin e tij do ta çoj deri në fund deri kur të shkoj afër tij, për pacientët. Fatkeqësitë e jetës janë këto, emri i tij nuk do të harrohet. Falenderoj dhe Spitalin e Shkodrës. U zëvendësua makina e tij me djalin tim, më hipën djali në ambulancën e tij, e vështirë ishte për të dhe për mua”.
Vjollca thotë se e ka konsideruar shërbimin ndaj pacientëve si një amanet që nuk do ta lërë përgjysmë.