Në 34-vjetorin e PS, Rama shprehet se flamuri i socialistëve dhe progresistëve shqiptarë është ngritur më lart se kurrë më parë falë mbështetjes më 11 maj. Festa do të mbahet më 19 qershor, një ditë më pas zhvillohet Akademia Politike.
Sot bëhen 34 vite nga themelimi i Partisë Socialiste. Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjete sociale, shprehet se ky përvjetor i gjen socialistët dhe progresistët shqiptarë më lart se asnjëherë më parë me mbështetjen masive që morën nga shqiptarët brenda dhe jashtë vendit më 11 maj.
“Mirëmëngjes dhe me këtë simbol të flamurit të socialistëve e progresistëve shqiptarë, që në këtë 34 vjetor të valëvitjes së tij është ngjitur më lart se asnjëherë falë 856 mijë e 177 zemrave, të cilat u bënë bashkë për Shqipërinë 2030 në BE, ju uroj gëzuar ditëlindjen e Partisë Socialiste të gjithë anëtarëve të familjes sonë të madhe politike, si edhe një ditë të mbarë të gjithë të tjerëve pa përjashtim”, shprehet kryeministri.
Për të festuar ‘ditëlindjen’, socialistët do të mblidhen më 19 qershor, ora 18:00, në oborrin e partisë. Ndërkohë një ditë më pas, më 20 qershor, do të nisë edhe edicioni i tretë i Akademisë Politike. Ky edicion vjen me një format të veçantë dedikuar gjeneratës së re të deputetëve që do të futen në Kuvend.
Në fokus të këtij edicioni do të jenë temat thelbësore të rolit kushtetues të deputetit, marrëdhënies me elektoratin dhe etikës së përfaqësimit. Vëmendje të veçantë do të marrë komunikimi politik dhe institucional, mënyra si ndërtohet marrëdhënia me qytetarët dhe si sigurohet transparenca në veprimtarinë e përditshme parlamentare.
Po ashtu, do të nxitet një reflektim mbi raportet ndërinstitucionale me ministritë dhe pushtetin vendor, rolin që deputeti duhet të luajë në procesin e integrimit evropian, si edhe në përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Më 11 maj 2025, nga lista e plotë prej 186 deputetësh propozuar nga PS, arritën ta përfitonin mandatin e përfaqësimit 83 deputet, nga këto 54 prej tyre, ku 21 gra dhe 33 burra, e përfituan mandatin e tyre për herë të parë. Nga këto 54, 39 prej tyre, ku 15 janë gra dhe 23 burra, nuk janë ulur më parë në poste të nivelit të ministrave, zëvendës ministrave apo kryetarëve të bashkisë. Ky grup (prej 39 pjesëmarrësish) do të jetë pjesë e këtij edicioni të posaçëm të Akademisë.
34-vjetori i PS, Veliaj: Falë punës dhe vizionit, vendi ynë ka bërë hapa të rëndësishëm drejt integrimit evropian

Sipas tij, falë punës dhe vizionit, Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm drejt integrimit.
“Gëzuar ditëlindjen PS!
Urime të përzemërta zemrave dhe mendjeve socialiste e progresiste me rastin e 34-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste të Shqipërisë!
Forca më e madhe politike në vend, që për më shumë se tre dekada ka qenë një shtyllë e rëndësishme e zhvillimit, stabilitetit dhe modernizimit të Shqipërisë.
Falë punës, vizionit dhe përkushtimit të saj, vendi ynë ka hedhur hapa të rëndësishëm drejt integrimit europian, dhe pa dyshim do të vazhdojë të japë më shumë për të ardhmen europiane të Shqipërisë.”, shkruan Veliaj.
34-vjetori i themelimit të PS, Balla: Mirënjohje për kontribuesit ndër vite dhe Kryetarit Rama për lidershipin e fitoreve historike

Foto: Taulant Balla
Në 34-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, ministri i Shtetit dhe Drejtuesi Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, ka përcjellë një urim për të gjithë kontribuesit ndër vite në forcimin dhe zhvillimin e partisë më të madhe progresiste të vendit.
“Gëzuar ditëlindjen e Partisë Socialiste, të gjithë atyre që kanë kontribuar prej ditës së parë e deri më sot,” shprehet Balla në mesazhin e tij, duke shprehur mirënjohje të veçantë për themeluesit, liderin e parë Fatos Nano, intelektualin e shquar Dritëro Agolli dhe drejtues të rëndësishëm në periudha sfiduese si Gramoz Ruçi, Servet Pëllumbi, Namik Dokle, Luan Hajdaraga e Rexhep Meidani.
Një falënderim i posaçëm iu drejtua gjithashtu çdo anëtari: “Mirënjohje çdo anëtari, çdo patronazhisti, çdo simpatizanti të thjeshtë në Shqipëri dhe në diasporë, drejtuesve në territor.”
Në këtë përvjetor të veçantë, ku Partia Socialiste feston pas fitores së 11 majit, Balla vlerësoi lidershipin e Kryeministrit Edi Rama.
“Mirënjohje Kryetarit tonë Edi RAMA për lidershipin e fitoreve historike për Shqipërinë2030”, thekson Balla.
Partia Socialiste u themelua më 12 qershor të vitit 1991, kur një pjesë e anëtarëve të asokohe Partisë së Punës ekzistuese vendosën të ndahen nga e kaluara, duke iu përshtatur ndryshimit të sistemeve.
Sot, Partia Socialiste mban pushtetin që prej zgjedhjeve të vitit 2013. Në historinë e pluralizmit politik, është e vetmja forcë politike fituese e katër mandateve rresht për të qeverisur Shqipërinë me të njëjtin Kryeministër, Edi Ramën.