Rreth 600 persona kanë marrë pjesë në një aksion të gjerë pastrimi për zonën e bregdetit Nartë–Zvërnec, të organizuar nga prefektura e qarkut të Vlorës. Në këtë aksion kanë marrë pjesë nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit, përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore, administrata e zonave të mbrojtura, forcat e armatosura, por edhe vullnetarë, midis tyre edhe vullnetarë të huaj.
Prefektja e qarkut të Vlorës, Evis Allushi, thotë se aksioni i iniciuar nga Ministria e Mjedisit ka për qëllim që të tilla nisma të vazhdojnë dhe të shtrihen në çdo periudhë të vitit në të gjithë qarkun e Vlorës. Sipas Allushit, ky aksion vjen në prag të çeljes së sezonit veror dhe synon të ndërgjegjësojë qytetarët për të mbajtur pastër bregdetin, mjedisin dhe ambientin ku jetojnë.
“Ne duam që iniciativa të tilla t’i vijojmë dhe kjo të jetë pararendëse që më pas të vijojmë në zonat e banuara. Duam që të nxisim vullnetarizmin dhe përgjegjshmërinë qytetare. Është duke u zhvilluar ky aksion pastrimi edhe në bashkinë Himarë, edhe në bashkinë Sarandë”, tha prefektja.
Ndërkohë, nga zona e bregdetit Nartë–Zvërnec, por edhe në brendësi të Pyllit të Sodës, janë pastruar këtë të premte me qindra thasë me mbeturina, të cilat janë hedhur në brendësi të Pyllit të Sodës dhe bregdetit nga dora e njeriut.