Policia ka finalizuar operacionin policor të koduar “SHADOWS”, ku 4 persona janë vënë në pranga: Gerti Bushati, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergji Zefi. Sipas policisë, këta persona kundrejt pagesës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 29.12.2025, duke përdorur lëndë eksplozive e dyshuar me telekomandim në distancë, kanë shpërthyer panelin elektrik të pallatit ku banonte Hysni Ymeri.

“Ndalimi i tyre u bë pasi ka dyshime të bazuara dhe të mbështetura në prova se këta shtetas, kundrejt pagesës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 29.12.2025, duke përdorur lëndë eksplozive (e dyshuar me telekomandim në distancë), kanë shpërthyer panelin elektrik të pallatit ku banonte shtetasi H. Y.

 

Gjatë veprimeve procedurale, kontrolleve të vendeve dhe ambienteve, si dhe kontrolleve personale, janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provave materiale: 28 celularë, 1 automjet “Mercedes-Benz”, rrobat e veshura nga autori i dyshuar që ka vendosur lëndën eksplozive, municion luftarak, një sasi monetare në lekë dhe euro, një sasi lënde narkotike, një sasi lënde kokaine, 3 pajisje gjurmuese GPS, 2 kamera sigurie dhe 1 laptop”, njoftoi Policia.

 

Policia nuk e ka zbuluar ende motivin e porositjes së ekzekutimit të 67-vjeçarit, ndërsa Report TV ka raportuar më herët një histori gjakmarrje të familjes së Hysni Ymeri.

Në 1995-ën, në lagjen Kiras vëllai i tij vrau Shefqet Çekorjen. Autori u arrestua në atë kohë dhe u dënua. Disa vite më vonë, sipas burimeve, dy familjet arritën pajtimin. Shefqet Çekorja ishte vëllai i Ismet Çekores, i cili u vra në shtator 2022 pranë banesës së tij, i vrarë si pjesë e konflikteve mes fiseve Bajri-Lici.

Pak ditë para ekzekutimit të Hysni Ymerit, kishte ardhur në Shkodër edhe djali i tij, i cili jeton jashtë Shqipërisë. Alban Ymeri i tha policisë se familja nuk kishte konflikte dhe se nuk kanë marrë kërcënime.

Gjatë veprimeve të policisë janë sekuestruar 28 celularë, 1 automjet “Mercedes-Benz”, municion, lëndë narkotike dhe kokaine, pajisje GPS, kamera sigurie dhe rroba të përdorura nga autori i dyshuar.

Hetimet vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe sqarimin e motiveve, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim; “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim; dhe “Prishja e qetësisë publike”.

 
Vrasja e 67-vjeçarit në Shkodër nga shpërthimi i tritolit, Proda: Punë profesionale dhe koordinim efikas
 
1767354941_aa.JPG

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, përgëzon strukturat hetimore të DVP Shkodër për zbardhjen e vrasjes me lëndë eksplozive të 67- vjeçarit Hysni Ymeri në Shkodër, më 29 dhjetor.

“Falënderoj dhe përgëzoj publikisht Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, strukturat hetimore dhe të gjitha forcat e angazhuara, si dhe Prokurorinë, për bashkëpunimin e ngushtë dhe profesional që çoi në zbardhjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale, të kryer me përdorimin e lëndës eksplozive të komanduar në distancë.

Ky është një nga rastet ku pasqyrohet puna serioze dhe profesionale, e koordinuar dhe këmbëngulëse e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim të plotë me organin e akuzës.

Këto rezultate dekurajojnë veprimtarinë kriminale dhe forcojnë më tej besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit, e cila do të vijojë të jetë e vendosur në misionin e saj për garantimin e rendit, sigurisë, jetës, dhe pronës së qytetarëve’, tha ai.