Në një postim në rrjetet sociale, ai shprehet se kjo periudhë s’ka qenë e lehtë për shkak të problemeve, vendimeve dhe përgjegjësive, për të cilat s’mund të kishte vonesa.

Gjatë punës së tij për përmirësimin e sistemit penitencial, Kupi shprehet se është përballur edhe me kritika e gurë. Ai thotë se e ka dëgjuar, edhe kur ka qenë e vështirë dhe ka vijuar të punojë, por për gjithçka do të jetë koha dëshmitare.

Në këtë detyrë, e ka udhëhequr bindja se sistemi matet me mënyrën si trajton njerëzit, transparencën dhe mundësitë për rehabilitim, vijon Kupi.

Në mbyllje, ndërsa falënderon ministrin Toni Gogu që i besoi drejtimin e institucionit dhe personat që punuan krah tij, shpreh edhe dëshirën që puna e nisur, të vijojë.

Kupi u emërua në këtë detyrë më 1 prill të këtij viti duke pasur Klevis Qosen, i cili tani drejton Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Në 13 vite, janë ndërruar 9 drejtorë që nga Artur Zoto e deri te drejtori i cili tashmë ka njoftuar dorëheqjen.

Postimi i plotë:

Pas shtatë muajsh në drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kam vendosur të jap dorëheqjen nga kjo detyrë.

Për mua kjo nuk ishtë një periudhë e lehtë, pasi kishte probleme që kërkonin ndërhyrje të menjëhershme, vendime të vështira që duheshin marrë dhe përgjegjesi që nuk mund të shtyheshin as me minuta. Jam përpjekur t’i përballoj me angazhim maksimal, duke pasur gjithmonë parasysh njerëzit dhe institucionet për të cilat mbaja përgjegjësi.

Gjatë këtyre muajve, puna ime është përqendruar në forcimin e sigurisë, përmirësimin e administrimit dhe modernizimin e sistemit penitenciar. Përparësi kanë qenë rritja e përgjegjshmërisë, mbështetja e profesionalizmit të punonjësve dhe përmirësimi i kushteve të trajtimit të personave që vuajnë dënimin.

Besoj se një sistem penitenciar modern matet edhe me mënyrën se si i trajton njerëzit, me respektimin e të drejtave të tyre, me transparencën dhe me mundësitë reale që u jep për t’u rehabilituar e për t’u rikthyer në shoqëri. Kjo ka qenë bindja që më ka udhëhequr në këtë detyrë.

Ka pasur edhe kritika, kundërshtime dhe gurë të hedhur mbi këtë punë.

Kritikën jam përpjekur ta dëgjoj, edhe kur ka qenë e vështirë. Përballë pengesave, kemi vazhduar të punojmë. Për disa gjëra të tjera, koha do të flasë më qartë se unë sot.

Sot largohem me mirënjohje për të gjithë ata që punuan me mua, që ndanë përgjegjësitë dhe që i qëndruan pranë kësaj pune deri në fund. E di se sa përkushtim kërkon puna e përditshme në këtë sistem dhe e vlerësoj kontributin e secilit.

Falënderoj Ministrinë e Drejtësisë, në mënyrë të veçantë ministrin Z. Toni Gogu për besimin dhe bashkëpunimin, drejtuesit dhe punonjësit e sistemit penitenciar, si dhe të gjithë bashkëpunëtorët, për mbështetjen dhe kontributin gjatë kësaj periudhe.

Largohem nga detyra me respekt për përgjegjësinë që më është besuar dhe me dëshirën që puna e nisur të vijojë në shërbim të një sistemi penitenciar më të sigurt, më të drejtë dhe më njerëzor.

Adriatik Kupi largohet nga drejtimi i Burgjeve, kush janë 9 drejtorët që janë ndërruar në 13 vite (SKEDA)

 

Pas 7 muajsh, Adriatik Kupi dorëhiqet nga drejtimi i Drejtorisë së Burgjeve, duke u bërë i nënti që lë këtë detyrë në 13 vite që Partia Socialiste ka në pushtet.

Kupi u emërua pas ardhjes në Ministrinë e Drejtësisë të Toni Gogut, i cili zëvendësoi Besfort Lamallarin. Më herët, Kupi mbante postin e drejtorit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë dhe ka qenë administrator i Njësisë Administrative Petrelë në Tiranë.

EMRAT E DREJTORËVE TË BURGJEVE NDËR VITE
5 tetor 2013 – Artur Zoto
16 korrik 2016 – Miklovan Kopani
25 maj 2017 – Arjan Hoxha
20 korrik 2017 – Arben Çuko
3 shtator 2018 – Stefan Çipa
6 shkurt 2019 – Agim Ismaili
20 dhjetor 2021 – Admir Abrija
13 mars 2024 – Klevis Qose
1 prill 2026-12 tetor 2026 – Adriatik Kupi