Nga qershori deri më 11 gusht, autoritetet kanë identifikuar 115 autorë për zjarrvënie të qëllimshme, prej të cilëve vetëm 31 janë arrestuar, 83 të tjerët ndiqen në gjendje të lirë dhe 1 është shpallur në kërkim.
Zjarret që kanë pushtuar thuajse të gjithë territorin, kanë në shumicën e rasteve autorë, të cilët autoritet i kanë vënë në pranga për zjarrvënie të qëllimshme.
Në Krujë, policia arrestoi një 19-vjeçar i cili ishte në arrest shtëpie për kultivim kanabisi. Ai i vuri flakën ullishteve të fqinjëve si pasojë e konflikteve për motive pronësie, ndërsa flaka u përhap në territorin e fshatit Barkanesh duke djegur sipërfaqe të konsiderueshme.
Një 61-vjeçar, Shezai Banaj, u arrestuar pasi ndezi zjarr në parkun kombëtar të Vjosës, në Mezarak, duke çuar në djegien e një sipërfaqe të konsiderueshme toke dhe 300 rrënjëve me ullinj.
Në fshatin Dushk të Lushnjes është identifikuar një tjetër piroman, Arjan Kaja, 58 vjeç i cili ndezi zjarr në tokën e tij, e për pasojë u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme.
Madje, 58-vjeçari pengoi edhe zjarrfikësit në përpjekjet për të vënë në kontroll situatën.
Në Berat, policia arrestoi 4 persona të tjerë për zjarrvënie të qëllimshme.
Shefqet Dodoveci, 49 vjeç, autor i zjarrvënies në lagjen Uznovë dhe Zaçe Merkajn për zjarrvënie në fshatin Osmëzezë.
Dy të tjerë, Safet Manaj dhe Lefter Begaj, janë arrestuar për zjarret në fshatin Drenovicë.
Në Memaliaj, në fshatin Koshtan u dogjën 3 banesa, 400 pemë frutore dhe një sipërfaqje e madhe pyjore, ndërsa autori dyshohet të jetë një 62-vjeçar.
Ndërkohë në Durrës një grua 61-vjeçare po hetohet në gjendje të lirë si pasojë e zjarrit që dyshohet se ndezi në oborrin e banesës së saj duke sjellë djegien e një sipërfaqe toke dhe një kasolleje.
Zjarrvënësit i paralajmëroi me masa më të ashpra vetë Kryeministri Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Ata që ndezin zjarre qëllimisht, shkatërrojnë pasurinë dhe rrezikojnë jetë, në këtë kohë të vështirë ngrohjeje globale dhe flakësh që po sfidojnë të gjitha shtetet e Mesdheut sidomos, duhet të marrin dënimin më të rëndë që parashikon ligji. Për kriminelët që luajnë me flakët, ndëshkimi do të jetë maksimal”.
Nga qershori deri më 11 gusht, autoritetet kanë identifikuar 115 autorë për zjarrvënie të qëllimshme, prej të cilëve vetëm 31 janë arrestuar, 83 të tjerët ndiqen në gjendje të lirë dhe 1 është shpallur në kërkim.