Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në nivel vendi kanë votuar 151 mijë e 734 qytetarë nga gjithsej 1 milion e 316 mijë e 672 votues të regjistruar në listat e votimit.
Procesi i votimit po zhvillohet në 18 komuna të Kosovës, ndërsa të dhënat për pjesëmarrje janë raportuar nga 1 mijë e 366 vendvotime, apo 83.91 për qind e gjithsej 1 mijë e 628 sa janë në total.
KQZ njofton se procesi i votimit po ecën pa probleme dhe me një pjesëmarrje të ngjashme me raundet e kaluara në këtë orar të ditës.
Kjo është platforma elektronike e KQZ-së për publikimin e rezultateve preliminare dhe statistikave për pjesëmarrjen në votime për çdo komunë, qendër votimi dhe vendvotim në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 18 komunave: https://resultslocal2025r2.kqz-ks.org/
Në këtë platformë publikohen të dhëna të detajuara për pjesëmarrjen e votuesve dhe do të publikohen edhe rezultatet preliminare të zgjedhjeve pas përfundimit të procesit të numërimit në vendvotime.
Presidentja, Vjosa Osmani ushtron të drejtën e votës
Edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka shfrytëzuar të drejtën e saj për të votuar.
Shefja e shtetit votën e ka hedhur së bashku edhe me zotëriun e parë Prindon Sadriun, në Fakultetin Teknik.
Sot në vend po mbahet rundi i balotazhit i zgjedhjeve lokale.
Qytetarët do t’i zgjedhin kryetarët në 18 komuna.
Mbi 1 milion e 300 mijë qytetarë kanë të drejtë vote.
“Përplasje” në një qendër votimi në Gjakovë, qytetarja nuk lejohet të asistojë prindërit
Një problem është evidentuar në shkollën “Fehmi Agani” në komunën e Gjakovës ku një qytetare, që kishte prindërit në moshë nuk iu lejua që t’i asistoi prindërit e saj deri tek kutia e votimit.
Sipas saj, kryesuesi i klasës nuk e ka lejuar për shkak se nuk kishte dokumente për të vërtetuar se prindërve të saj u duhet asistencë, e as një doktor me vete.
Prindërit e saj, kanë nënshkruar e gjithashtu gishtërinjve iu janë bërë me shenjë, porse nuk kanë votuar dhe vota u ka shkuar dëm.
Ndërsa kryesuesi i klasës tha se pas fjalosjes me qytetaren, prindërit votuan pa nevojë për asistencë.
Qytetarja e cila nuk dëshirojë të tregonte emrin e mbiemrin, tha se është hera e tretë që po ndodh ky problem.
Ajo tha se as ajo dhe as prindërit nuk votuan.
Ajo kërkoi edhe doktorët që të jenë prezent aty.
“Nuk më kanë lënë me votua se kanë thënë pa lejen e mjekut, dokumente në tavolinë unë nuk kam pasur të mjekut, hera e tretë e njëjta procedurë.. unë vetëm përcjelle deri tek kabina, nuk kam nevojë unë me votuar për ta, këta e dinë për kë votojnë. Ku me votua na tash, unë duhet me i dërgu në shtëpi, nuk kam si me votua. Me thanë fola me KQZ, KQZ tha pa dokument të mjekut, pse nuk e sjellni nga një mjek këtu.. këta i kanë qit gishtat.. pse nuk i keni lënë këtu doktorët, ku janë doktorët”, tha ajo.
Ndërsa, kryesuesi i klasës, i cili nuk u lejua të flas për media nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mbrapa kamerës u shpreh se prindërit e moshuar votuan pa nevojën e asistencës së qytetares.
Ai tha se çdo gjë do të vërtetohet në KQZ me emër e mbiemër.
“Pa dokument nuk bënë. Ata kanë votu pastaj në mënyrë të rregullt vetëm. Ky problem ka qenë edhe në herën e parë parlamentare.. është dokumentacioni të gjitha janë të evidentuara, raportin e bëj, lista e votuesve është. Një punëtore e ndihmoi me nënshkruar me ia mbajtë dorën.. çdo gjë vërtetohet në KQZ me emër mbiemër”, tha ai.
Qytetarja i shprehi shqetësimin e saj edhe kandidatit për kryetar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe kryetarit aktual, Ardian Gjinit porse ky i fundit i tha se kjo çështje nuk është në dorën e tij.
“Nuk kam çka të bëj përbesë, unë jam duke votuar tash.. nuk mundem tash, nuk i bej unë këto lista”, tha Gjini.
Përndryshe në Gjakovë të drejtë vote kanë 121,821 qytetarë.
Ndalohen dy të dyshuar në Fushë Kosovë për dhënie dhe marrje ryshfeti në lidhje me votimin
Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se, në komunën e Fushë Kosovës, me vendim të Prokurorit të shtetit, janë ndaluar dy persona, për shkak të dyshimit të veprës penale ‘’Dhënia dhe marrja e ryshfetit në lidhje me votimin’’ nga neni 212 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjatë zhvillimit të hetimeve, është sekuestruar një telefon, i cili do të shërbejë si provë në procedurën e mëtejme hetimore.
Prokuroria Themelore në Prishtinë do të ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme konform dispozitave ligjore për ndriçimin e plotë të rastit.