Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu, ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, duke thënë se ai “nuk mund të përcaktojë cilën gënjeshtër ta prezantojë”.
Musliu ka rikujtuar deklaratat e Vuçiqit të vitit 1994, ku ky i fundit kishte pranuar se kishte shkuar si vullnetar në Bosnje gjatë luftës dhe se kishte qenë i pozicionuar në varrezat hebreje në Sarajevë.
Sipas tij, mohimi i bërë dje nga Vuçiq për pjesëmarrje në operacione të tilla bie ndesh me deklarimet që ai vetë i kishte dhënë dekada më parë.
Musliu ka potencuar se vetë pranimi publik i Vuçiqit për prezencën në pozicionet e varrezave hebreje – një zonë nga e cila, sipas raporteve dhe dëshmive ndërkombëtare, është shtënë ndaj civilëve – konfirmon dyshimet për pjesëmarrjen e tij në të ashtuquajturin “Safari Snajper”. Ai ka ngritur pyetje për rolin e saktë të Vuçiqit në këtë zonë dhe në çfarë operacione konkrete ka marrë pjesë gjatë asaj periudhe. Sipas Musliut, bëhet fjalë për të njëjtin Vuçiq që, bashkë me Milan Radojqiqin, vazhdon të ketë ndikim në dirigjimin e strukturave ilegale serbe në Kosovë.