Mbi 1000 persona kanë humbur jetën ndërsa qindra të tjerë rezultojnë të zhdukur nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut që kanë goditur zona të gjera të Azisë. Shirat e rrëmbyeshëm dhe të zgjatur kanë goditur të gjithë ishullin e Sri Lankës dhe pjesën më të madhe të ishullit indonezian të Sumatrës, Tajlandën jugore dhe Malajzinë veriore.
Gati gjysma e viktimave janë rregjistruar vetëm në Indonezi. Presidenti indonezian Prabowo Subianto tha se “prioriteti i qeverisë tani është si të dërgojë menjëherë ndihmën e nevojshme”. “Ka disa fshatra të izoluara që, me vullnetin e Zotit, mund t’i arrijmë”, shtoi ai, duke deklaruar se qeveria po vendos helikopterë dhe aeroplanë për të mbështetur përpjekjet e ndihmës. Prabowo është vënë nën presion në rritje për të shpallur një gjendje të jashtëzakonshme kombëtare. Ndryshe nga homologu i tij nga Sri Lanka, ai nuk ka bërë thirrje publikisht për ndihmë ndërkombëtare. Numri i të vdekurve është më i larti nga një katastrofë natyrore në Indonezi që nga një tërmet masiv dhe cunami pasues në vitin 2018 që vrau mbi 2,000 njerëz në Sulawesi. Qeveria ka dërguar tre anije luftarake me ndihmë humanitare dhe dy anije spitalore në disa nga zonat më të goditura, ku shumë rrugë mbeten të pakalueshme.
Në fshatin Sungai Nyalo, rreth 100 kilometra nga kryeqyteti Padang në Sumatrën Perëndimore, ujërat e përmbytjeve janë tërhequr kryesisht që nga dje, duke lënë shtëpi, automjete dhe të mbjella të mbuluara me baltë të trashë gri. Shumica e fshatarëve kanë zgjedhur të qëndrojnë, në vend që të braktisin shtëpitë e tyre.
Ndërkohë, në Sri Lanka, qeveria ka bërë thirrje për ndihmë ndërkombëtare dhe ka vendosur helikopterë ushtarakë për të arritur njerëzit e bllokuar nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut të shkaktuara nga Cikloni Ditwah. Të paktën 334 persona kanë vdekur, tha agjencia e fatkeqësive të Sri Lankës, dhe shumë të tjerë janë ende të zhdukur. Autoritetet thanë se shkalla e dëmeve në rajonin qendror më të goditur sapo ka nisur të zbulohet, ndërsa ekipet e shpëtimit po pastrojnë rrugët e bllokuara nga pemët e rrëzuara dhe rrëshqitjet e dheut.
Presidenti Anura Kumara Dissanayake, e cila shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për t’u përballur me katastrofën, u zotua të rindërtojë zonat e prekura. “Po përballemi me katastrofën natyrore më të madhe dhe më të vështirë në historinë tonë”, tha ai në një fjalim drejtuar kombit. “Ne me siguri do të ndërtojmë një komb më të mirë se ai që ekzistonte më parë”, premtoi ai.
Humbjet dhe dëmet janë më të këqijat në Sri Lanka që nga cunami shkatërrues aziatik i vitit 2004, i cili vrau afërsisht 31,000 njerëz dhe la mbi një milion të pastrehë. Që nga pasditja e djeshme, shiu ka pushuar në të gjithë Sri Lankën, por zonat e ulëta të kryeqytetit janë përmbytur. Helikopterë ushtarakë janë vendosur për të transportuar banorët e bllokuar dhe për të shpërndarë ushqim. Pjesa më e madhe e Azisë aktualisht po përjeton sezonin e saj vjetor të musoneve (erërat e forta karakteristike të rajonit), i cili shpesh sjell shira të rrëmbyeshëm, duke shkaktuar rrëshqitje dheu dhe përmbytje të menjëhershme. Por përmbytjet që goditën Indonezinë, Tajlandën dhe Malajzinë u përkeqësuan gjithashtu nga një stuhi e rrallë tropikale që solli shira të rrëmbyeshëm, veçanërisht në ishullin e Sumatrës.
Ndryshimi i klimës ka rritur gjithashtu intensitetin e stuhive dhe ka shkaktuar reshje më të dendura sepse një atmosferë më e ngrohtë mban më shumë lagështi. Në Tajlandën jugore, shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan përmbytje që vranë të paktën 176 persona, thanë autoritetet, një nga përmbytjet më vdekjeprurëse në vend në një dekadë. Në Malajzi, ku shirat e rrëmbyeshëm përmbytën sipërfaqe të mëdha toke në shtetin e Perlis, dy persona vdiqën.