Në përmbyllje të Javës së Integritetit 2025, u zhvillua sot Konferenca e VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit, me temë “Agora e transparencës në kohën e integrimit”, e organizuar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Gjatë fjalës së tij, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, theksoi se transparenca përbën një nga shtyllat themelore të qeverisjes së mirë dhe është një element thelbësor për ndërtimin e besimit mes institucioneve dhe publikut.
“Transparenca përbën një shtyllat themelore të një qeverisje të mirë, është një e drejtë kushtetuese për shtetasit, një detyrim për zyrtarët publikë dhe një kulturë pune që nxit integritetin në çdo hallkë të administratës publike. Raporti i Komisionit Europian 2025 thekson se ligji për të drejtën e informimit është në përputhje me standardet e BE-së, por zbatimi i saj në praktikë është ende i paqendrueshëm”, tha Dervishi gjatë fjalës së tij.
Komisioneri Dervishi evidentoi si problematikë kryesore mosrespektimin e afateve ligjore për kthimin e përgjigjeve, interpretimit të gabuar të kufizimeve ligjore, por shpesh edhe për shkak të neglizhencës.
Në përfundim, Dervishi theksoi se zbatimi i drejtë i ligjit për të drejtën e informimit kërkon angazhim të përbashkët nga institucionet publike, shoqëria civile, media, bota akademike etj.