Një fazë e re e marrëdhënieve pritet të nisë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali nis sot një vizitë dyditore në Athinën zyrtare me ftesë të homologut grek, George Gerapetritis. Vizita e Ministres Spiropali do të nisë në Presidencën greke, ku do të pritet sot nga Presidenti i Republikës, Konstantinos Tasoulas, në orën 12.00.
Në orën 12.45, Spiropali do të ketë një takim dypalësh me homologun e saj Gerapetritis, të fokusuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.
Në një intervistë për gazetën greke TA NEA ministrja Spiropali tha se “po shkon në Athinë për të diskutuar 360 gradë.” Pritet që Spiropali dhe ministri i Jashtëm helen të hartojnë një udhërrëfyes të ri të marrëdhënieve me Tiranën.
Në krye të axhendës së takimit do të jenë diskutimet mbi “Çështjen e Detit”, përcaktimin e Zonës Ekonomike Ekskluzive që mbetet ende një dosje e pazgjidhur mes dy vendeve. Ndërsa, kryeministri Edi Rama në disa takime me shqiptarët në Greqi ka ngritur edhe çështjen e ligjit të luftës, të cilin ka kërkuar nga Greqia që ta heqë.
Ministrja Spiropali do të nënvijëzojë rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Greqisë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe për të avancuar idenë e një hapësire të përbashkët europiane në rajonin tonë, ku vendet e Ballkanit Perëndimor të trajtohen si një tërësi strategjike.
Pas takimit, Ministrat do të mbajnë një deklaratë të përbashkët për shtyp rreth orës 14.30.
Në 16.00, Ministrja do të zhvillojë një bashkëbisedim me akademikë dhe ekspertë të Fondacionit Helenik për Politikën e Jashtme dhe Europiane (ELIAMEP) me fokus rrugëtimin europian të Shqipërisë.
Në 19.00, Spiropali do të takohet me komunitetin shqiptar në Greqi, në një pritje të organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Athinë.
Mëngjesin e së mërkurës, në orën 09.00, Spiropali do të takohet me Ministrin e Mbrojtjes, Niko Dendias.
Në orën 09.45, Spiropali do të takohet me përfaqësues të bizneseve dhe sipërmarrjeve që operojnë mes Shqipërisë dhe Greqisë, për potencialin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.