Banka Shqiptare e Zhvillimit ka kryer regjistrimin e saj si shoqëri aksionere në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), duke shënuar kështu themelimin e saj zyrtar në Shqipëri. Banka do të ketë një strukturë administrimi me dy nivele: administratorin dhe Këshillin Mbikëqyrës. Italiani Silvio Pedrazzi, ish-drejtues i një banke me kapital të huaj në Shqipëri është emëruar administrator. Ai do të ketë një mandat trevjeçar, duke ushtruar detyrën deri më 16 dhjetor 2028. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Zhvillimit përbëhet nga pesë anëtarë: Daniel Demeulenaere, Artur Asllani, Arben Shkodra, Irida Huta dhe Eris Hysi. Edhe anëtarët e këshillit gëzojnë një mandat tre-vjeçar.
Ministria e Financave është aksionare e vetme e bankës, duke zotëruar 100% të aksioneve ndërsa kapitali fillestar i bankës është 10 miliardë lekë.
Banka do të ushtrojë aktivitet kredidhënieje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe për startup-et vendase, me synim nxitjen e rritjes ekonomike, produktivitetit, konkurrueshmërisë dhe zgjerimit në tregjet ndërkombëtare. Ajo do të mbështesë gjithashtu eksportet e mallrave dhe shërbimeve vendase, projektet publike në nivel qendror dhe vendor, si dhe zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës fizike dhe digjitale të vendit.
Banka do të ofrojë financim për shoqëritë tregtare vendase në kushte tregu dhe sipas parimeve të konkurrencës së lirë, si një aktivitet plotësues i financimit të ofruar nga bankat tregtare në Shqipëri.
Në kuadër të veprimtarisë së saj, Banka Shqiptare e Zhvillimit mund të ofrojë kredi afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata për persona juridikë, drejtpërdrejt ose përmes marrëveshjeve të bashkëfinancimit me institucione financiare vendase dhe ndërkombëtare; të lëshojë garanci financiare dhe tregtare; të blejë obligacione korporatash; të investojë në instrumente financiare të kapitalit; si dhe të investojë tepricat e likuiditetit në obligacione qeveritare vendase dhe ndërkombëtare.
Në aspektin e financimit, banka mund të emetojë obligacione në tregjet financiare vendase dhe ndërkombëtare, të pranojë depozita nga bankat dhe institucionet financiare, të ketë akses në operacionet e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë dhe në skemat e rifinancimit, si dhe të administrojë fonde strukturore nga shteti dhe institucionet supranacionale.
Banka mund të pranojë gjithashtu fonde të kthyeshme nga publiku, veçanërisht nga individë që nuk mbulohen plotësisht nga sistemi bankar, përmes produkteve të kursimit të ofruara nga një entitet i veçantë i Postës Shqiptare. Këto produkte do të jenë të garantuara nga shteti dhe do të përdoren për qëllime zhvillimore.
Selia e Bankës Shqiptare të Zhvillimit do të jetë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.
Më herët, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Banka Shqiptare e Zhvillimit synon të shërbejë si instrument mbështetës për investimet dhe projektet e fermerëve dhe sipërmarrësve në Shqipëri.