Semaforët e dëmtuar dhe jofunksionalë në Kumanovë shkaktojnë kaos në trafik duke rrezikuar kështu jetët e njerëzve. Qytetarët kërkojnë me urgjencë riparimin e tyre, duke theksuar se sistemi për trafik të sigurt “Safe City” nuk mund të dënojë shoferët pa mos u krijuar kushtet elementare të sigurisë nga vet institucionet. Edhe pse e ka për detyrë të mirëmbajë semaforët e qytetit, Komuna e Kumanovës hesht për këtë problem, shkruan Portalb.mk.
Pak ditë para se të fillojë zbatimi i dënimeve nga sistemi “Safe City”, Portalb hetoi se a ka infrastrukturë adekuate në rrugë, që zbatimi i këtij sistemi të jetë i arsyeshëm.
Por, nga ajo që vërejtëm në tre udhëkryqet kryesore të qytetit, te spitali, te Tregu i Gjelbër dhe afër Komunës, vërtetuam se semaforët janë të dëmtuar dhe jofunksionalë duke shkaktuar kështu kaos dhe rrezik në trafik. Gjegjësisht, në rrugën “11 Tetori”, (2 semafora), Hristian Todorovksi (1 semafor), dhe 3-ta Makedonska Udarna Brigada (2 semafora).
Qytetarët me të cilët biseduam kërkojnë me urgjencë riparimin e tyre, duke theksuar se ligji “Safe City” gjobit qytetarët pa ofruar kushtet infrastrukturore të nevojshme për siguri.
Sipas tyre, është e padrejtë që kamerat funksionojnë, ndërsa semaforët nuk riparohen, duke shkaktuar rrëmujë në rrugët e qytetit.
Një qytetar nga Kumanova theksoi se semaforët e dëmtuar paraqesin rrezik për shoferët.
“Gati çdo ditë kalojmë nëpër kryqëzime ku semaforët nuk funksionojnë dhe askush nuk mban përgjegjësi. Në Maqedoni ligji e vendosin, ndërsa kushtet si kane askund kjo është një katastrofë”, tha një qytetar.
Një qytetar tjetër u shpreh i revoltuar, duke theksuar se semaforët një ditë punojnë e një ditë jo.
“Na kanë mbetur vetëm ligjet, ndërsa infrastruktura është në gjendje të mjerueshme, semaforët një ditë punojnë e një ditë jo, ndërsa në disa vende mungojnë edhe tabelat. E kundërshtoj këtë ligj kategorikisht, sepse nuk kemi kushte bazë dhe, siç shihet, infrastruktura në Kumanovë është shumë e dobët. Mendoj se këto rregulla po shërbejnë vetëm për të na ndëshkuar qytetarët financiarisht dhe jo për të na ndihmuar,” tha një qytetar tjetër.
Ndërsa një qytetar tjetër tha se semaforët shpesh nuk funksionojnë, sinjalizuesit japin sinjale të gabuara si dhe ka mungesë të tabelave.
“Semaforët shpesh nuk funksionojnë, disa sinjalizues nuk punojnë, dhe nuk ka tabela për shpejtësinë. Mendoj se këto gjëra duhet të rregullohen para se të vendoset një ligj adekuat, pa dëmtuar qytetarin. Ndërkohë, komuna nuk po siguron as kushtet bazë për qarkullim të sigurt, prandaj kërkojmë ndërhyrje të menjëhershme”, tha qytetari.
Pyetëm Komunën e Kumanovës se kur do t’i riparojë semaforët e dëmtuar dhe jofunksionalë, si dhe kërkuam planin e punës për mirëmbajtjen e tyre, por deri në publikimin e këtij teksti nuk kemi marrë përgjigje.
Ilir Hasani nga Kumanova, deputet i Frontit Evropian, për Portalb.mk theksoi se semaforët në Kumanovë nuk kanë funksionuar siç duhet që nga fëmijëria e tij.
“Ne e dimë, prej fëmijërisë time, semaforët në Kumanovë kanë qenë problematik dhe nuk kanë punuar, sidomos ata semaforët më kryesorët si te Tregu i Gjelbërt, te Spitali më kurrë s’kanë punuar, dhe ky te udhëkryqi ku ndodhet trekëndëshi te banka komerciale. Realisht, po bëhen punë shumë të sofistiikume me “Safe City”, a realetit është se i prishëm veturat nëpër gropa, dhe nuk jemi aspak të sigurt në Kumanovë, sidomos te Tregu i Gjelbërt për shkak të mos funksionimit të semaforëve. Shumë problematikë dhe thuajse kurrë nuk kanë punuar semaforët e këmbësorëve që është një çështje mjaftë e rëndësishme. Edhe këta semaforë ndonjëherë punojnë, ndonjëherë nuk punojnë, veçanërisht semaforët për këmbësorë kurrë skanë funskionuar”, tha Hasani.
Ai theksoi se ka disa gjëra që janë parakusht për funksionimin normal të qytetit, por ne po shkojmë, si thonë, po blejmë ‘Ferrari’, ndërkohë që shtëpia është ende me qerpiç. Sipas tij, shteti i lejon vetës një luks pa i plotësuar kushtet elementare për qytetarët pjesëmarrës në komunikacion.
Kujtojmë se më 23 janar deputetët e Maqedonisë së Veriut miratuan ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje, me të cilin sistemi “Qyteti i Sigurt” hyn në fuqi më 1 shkurt.
Sipas partive në pushtet, ky sistem synon të rrisë sigurinë në trafik dhe deri në vitin 2030 të zvogëlojë numrin e aksidenteve. Deputetët e BDI-së dhe LSDM ishin kundër këtij ligji, duke thënë se ka shumë mangësi. Ligji u ankimua në Gjykatën Kushtetuese, dy lëndë janë formuar për të. Po ashtu, dhe qytetarët në një anketë online të Portalb.mk u shprehën të shqetësuar për mangësitë e sistemit, si dënimet e larta, keqpërdorimi i të dhënave personale dhe dilemat për zbatim selektiv.
Kamerat “Qytet i Sigurt” janë të instaluara në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë dhe në korridoret 8 dhe 10.