Veturat të cilat kalojnë në të gjelbër në bulevardin ‘Ilinden’ në Tetovë te kryqëzimi afër shkollës së mjekësisë, pranojnë gjoba për shkak se nuk mund të kalojnë në kohë udhëkryqin për shkak të kolonave që krijohen, ndërsa sistemi i regjistron sikur kanë kaluar në të kuqe. Për këtë problem autoritetet premtuan zgjidhje.
Komandanti i Stacionit Policor Tetovë, Muhamed Ademi thotë se qytetarët mund të paraqiten në polici për rishikim të dënimit.
“Qytetarët që mbesin në udhëkryq pasi kanë hyrë me dritë jeshile nuk duhet të ndëshkohen. Nëse, megjithatë, u shqiptohet ndonjë dënim, ata duhet të drejtohen në SPB Tetovë që rasti të shqyrtohet”, tha Ademi.
Për problemin me semaforët, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se semaforët do të zëvendësohen me pajisje të reja.
“Veçmë kemi përzgjedhur kompaninë që do të realizojë instalimin e semaforëve të rinj dhe heqjen e atyre ekzistues. Të gjitha kryqëzimet do të pajisen me semaforë modernë dhe njëkohësisht do të zgjidhet edhe problematika e paraqitur në afërsi të Shkollës së Mjekësisë”, tha Kasami.
Sistemi ‘Qyteti i Sigurt’ ka hyrë në fuqi që nga data 1 shkurt, në fazën e parë realizohet në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe Korridoret 8 dhe 10. Kamerat e sistemit kapin automatikisht shkeljet në trafik dhe menjëherë lëshohen gjobat.