Pishtari Olimpik ka përfunduar rrugëtimin në kryeqendrën lombarde dhe sot do të shkojë në “San Siro” për ceremoninë e hapjes (20:00). Mbrëmjen e të enjtes Flaka Olimpike mbërriti në sheshin ‘Duomo’ në Milano, etapa e parafundit e një rrugëtimi të gjatë prej më shumë se 12.000 kilometrash. Rrugëtimi kishte nisur në Greqi, në nëntor 2025, më pas kaloi në 60 qytete italiane.
Gjatë pasdites së djeshme, karvani i atyre që mbanin Pishtarin, përshkoi kryeqendrën e Lombardisë mes mijëra njerëzve në rrugë, mes duartrokitjeve. Për të mbërritur në zemrën simbolike të Milanos, ku flaka u prit në prag të ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore, që do të zhvillohet sot, në orën 20:00, në stadiumin “San Siro”.
Përreth Katedrales, të pasionuarit dhe turistët sfiduan shiun për të parë nga afër ndezjen e Pishtarit të madh. Aktivistë dhe studentë ndërkohë shfrytëzuan mbërritjen e flakës për të protestuar kundër sponsorëve të Lojërave, duke denoncuar impaktin ambiental të këtij eventi sportiv.
Në sheshin ‘Duomo’, të blinduar nga forcat e rendit, mes fansave u shfaqën edhe disa flamuj palestinezë.
Flakën olimpike e shoqëruan në këtë etapë të parafundit ish-tenistet Flavia Pennetta dhe Francesca Schiavone. Metrat e fundit dhe ndezja e flakës së madhe iu besuan Nicoletta Mannit.
Shqipëria përfaqësohet në Olimpiadën Dimërore me 4 sportistë, 4 skiatorë, Lara Colturi, Lisa Brunga, Denni Xhepa dhe Semire Dauti.