LPK kërkon drejtësi të vërtetë nga Gjykata Speciale dhe mbron karakterin çlirimtar të luftës së Kosovës.
Lëvizja Popullore e Kosovës, duke ndjekur me vëmendje dhe përgjegjësi procesin gjyqësor ndaj bashkëluftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kërkon që vendimi përfundimtar i Gjykatës Speciale në Hagë të mbështetet në fakte, në të drejtën dhe në parimin themelor të drejtësisë së paanshme, të lirë nga çdo ndikim apo motiv politik.
LPK thekson se lufta çlirimtare e popullit të Kosovës ishte një luftë e drejtë, e domosdoshme dhe mbrojtëse, e zhvilluar kundër një regjimi shtypës dhe gjenocidal. Ajo ishte luftë për liri, për dinjitet njerëzor dhe për mbijetesë kombëtare. Çdo përpjekje për ta barazuar këtë luftë me krime individuale të supozuara përbën shtrembërim të rëndë të së vërtetës historike dhe një fyerje për sakrificën e mijëra dëshmorëve.
Procesi gjyqësor nuk duhet dhe nuk mund të shndërrohet në gjykim të historisë së rezistencës së organizuar të popullit të Kosovës. Përgjegjësia penale, nëse ekziston, duhet të jetë individuale dhe kurrë kolektive. Asnjë gjykatë nuk ka të drejtë të kriminalizojë idealin për liri dhe luftën çlirimtare të një populli të tërë.
LPK është e bindur se një vendim i pafajësisë do të ishte jo vetëm akt drejtësie për të akuzuarit dhe familjet e tyre, por edhe një rehabilitim moral dhe historik i luftës çlirimtare të Kosovës. Një vendim i tillë do të dëshmonte se e vërteta nuk mund të nënshtrohet ndaj presioneve politike dhe se drejtësia ndërkombëtare mund të qëndrojë mbi padrejtësinë historike.
Në çdo rrethanë, Lëvizja Popullore e Kosovës riafirmon qëndrimin e saj të palëkundur:
– në mbrojtje të karakterit çlirimtar të luftës së UÇK-së,
– në përkrahje të drejtësisë së paanshme dhe të së vërtetës,
– në ruajtje të dinjitetit kombëtar dhe të sakrificës së dëshmorëve të lirisë.
E vërteta, liria dhe drejtësia nuk mund të ndahen.Ato janë themeli i shtetit të Kosovës.
Lëvizja Popullore e Kosovës