“Ne s’do të arrijmë ta marrim pushtetin pa një gjendje të jashtëzakonshme dhe mbase as ta mbajmë atë po ashtu pa një gjendje të jashtëzakonshme për një kohë”.
Kjo është një fjali e shkruar nga vetë Albin Kurti në një dokument të vitit 2017, i cili në atë kohë ishte shpërndarë vetëm brenda një rrethi të ngushtë aktivistësh të Lëvizja Vetëvendosje. Një fjali e vetme, por që shpjegon se pushteti mund të fitohet dhe të ruhet përmes situatave të jashtëzakonshme dhe krizave të vazhdueshme.
Është një fjali e vetme, por me peshë tronditëse, që bëhet e kuptueshme tani që Kurti ka 6 vite që ka hyrë në ndërtesën e Qeverië së Kosovës. Ajo sot tingëllon si paralajmërim i errët për atë që po ndodh para syve tanë nga marsi i vitit 2025, raporton Demokracia.
Sot, ky dokument është manuali i pushtetit absolut që po zbatohet hap pas hapi në Republikën e Kosovës, e cila është e përfshirë në krizat e vazhdueshme politike dhe institucionale, në ballë të të cilave qëndron një person dhe një subjekt politik: Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Gjatë tre palë zgjedhjesh, nga fillimi i vitit 2021 dhe deri në fundin e dhjetorit 2025, qytetarët e Kosovës i kanë dhënë mbështetje të madhe politike Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje, por megjithkëtë, rezultati në terren është i kundërt me pritjet: vendi vazhdon të mbetet pa stabilitet politik dhe institucional, derisa qytetarët vazhdojnë të mbulojnë shpenzimet mujore edhe duke hyrë në kredi.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, Vetëvendosje mori rreth 50% të votave dhe 57 deputetë shqiptarë nga 100 vendet që u takojnë partive shqiptare në Kuvend. Ky ishte një rezultat historik që i dha Kurtit legjitimitetin më të madh politik që ka pasur ndonjë qeveri në Kosovën e pasluftës. Katër vjet më vonë, në zgjedhjet 9 shkurtit 2025, mbështetja ra në 42%, ose 48 deputetë. Megjithatë, Vetëvendosje mbeti sërish forca dominuese politike. Vetëm disa muaj më pas, në zgjedhjet 28 dhjetorit 2025, Kurti arriti sërish një rezultat të fortë: 51% të votave dhe 57 deputetë.
Në vend se Kurti të sillej me përgjegjëse institucionale përballë kësaj mbështetjeje qytetare, “dhuratat” e tij për qytetarët e Kosovës ishin: Bllokadat.
Pavarësisht këtij kapitali të jashtëzakonshëm politik, Kosova vazhdon të mbetet e zhytur në një cikël të pafund krizash institucionale. Qeveritë rrëzohen, institucionet bllokohen dhe vendi shkon vazhdimisht në zgjedhje të reja. Shumica parlamentare që në letër duket solide, në praktikë rezulton e paaftë për të prodhuar stabilite dhe për të qeverisur normalisht.
Kurti, që i fitoi këto beteja elektorale përmes vendimeve qeveritare që kapin vlerën e qindra miliona eurove, nuk ka treguar aftësi për të menaxhuar me përgjegjësitë shtetërore.
Në vend të ndërtimit të konsensusit politik, qeverisja e Kurtit është karakterizuar nga përplasje të vazhdueshme me opozitën, institucionet e pavarura, partnerët ndërkombëtarë dhe madje edhe brenda vetë institucioneve shtetërore. Kjo qasje konfrontuese e bën shumë të vështirë funksionimin normal të sistemit politik.
Testi i fundit i kësaj paaftësie erdhi me procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës. Sipas afateve kushtetuese, deri më 5 mars 2026 duhej të sigurohej zgjedhja e kreut të shtetit. Por shumica e udhëhequr nga Kurti nuk arriti të krijojë konsensusin minimal politik për ta përmbyllur këtë proces. Rezultati është i njëjti që Kosova e ka parë disa herë: krizë institucionale dhe sipas të gjitha gjasave zgjedhje të reja për të “dalë” nga kriza.
Në vend të normalitetit institucional, Kosova vazhdon të jetojë në një gjendje të përhershme fushate dhe krize.
Zgjedhjet janë bërë qëllim në vetëvete i Kurtit, jo instrument për të ndërtuar qeverisje të qëndrueshme. Çdo krizë përfundon me të njëjtën zgjidhje: zgjedhje të reja, ndërsa problemet e qytetarëve mbeten të pazgjidhura dhe Kurti krejtësisht i painteresuar të merret me to. /