Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ka respektuar trashëgiminë e saj të vendimeve që i mori nga zyra e të parës së shtetit për përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Vetëm pak ditë para përfundimit të saj, Osmani ka vendosur që të bëjë emërim të pjesshëm të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në kundërshtim më praktiken që kishte ndërtuar ajo.
Ndonëse në vitin 2021 ajo kishte vendosur që dy partive më të mëdha t’iu emërohen nga dy anëtar në KQZ, tani ajo ka vepruar ndryshe.
Gazeta Nacionale ka mësuar se presidentja Osmani ka nxjerrë dekretet për emërimin e 9 nga 10 anëtarët e KQZ-së, të cilët përfaqësojnë subjektet politike parlamentare.
Më e dëmtuara në këtë proces ka mbetur Partia Demokratike e Kosovës.
Nga burimet e veta gazeta ka mësuar se Osmani ka emëruar 2 nga 3 propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje (Alban Krasniqin dhe Violeta Salihun) dhe vetëm 1 nga 2 propozimet e Partisë Demokratike të Kosovës (Ilir Gashin).
I propozuari i dytë i PDK-së, ishte ish-deputeti Rashit Qalaj, nuk është emëruar nga presidentja.
I njëjti burim i ka treguar gazetës se anëtarët tjerë të emëruar janë Sami Hamiti (LDK), Muharrem Nitaj (AAK), Stefan Filipoviq (LS), Mufera Sinik (KDTP), Delvir Tairi (KV) dhe Shukrije Stoall (PSA).
Betimi i këtyre 9 anëtarëve të KQZ-së do të bëhet më 27 mars 2026, në orën 11:00.
Lëvizja Vetëvendosje, në kundërshtim me nenin 139 të Kushtetutës së Kosovës ka kërkuar nga presidentja Osmani që t’i emërohen 3 përfaqësues në KQZ nga 6 sa i takojnë subjekteve politike shqiptare. Ndonëse zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor të vitit 2025, janë mbajtur vetëm për fuqinë e partive politike në Kuvendin e Kosovës, Vetëvendosje, e cila fitoi mbi 51% të votave, ka kërkuar që ashtu si gjysma e Kuvendit të Kosovës t’i takojë edhe gjysma e ulëseve të caktuara për grupet parlamentare të subjekteve politike shqiptare në KQZ.
Pretendimi i Vetëvendosjes për anëtarin e tretë e ka lënë partinë më të madhe opozitare, Partinë Demokratike të Kosovës, pa anëtarin e dytë në KQZ.
Osmani i drejtohet Kushtetueses
Gjithashtu, gazeta Nacionale ka mësuar se për këtë çështje presidentja Vjosa Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Burimet e gaztës kanë treguar se më 21 mars presidentja Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për të sqaruar këtë çështjen e emërimit të anëtarëve të KQZ-së.
Çuditërisht, Osmani e ka dërguar këtë kërkesë pavarësisht se në vitin 2021 Gjykata Kushtetuese e kishte hedhur poshtë si të papranueshme një kërkesë të ngjashme të saj për interpretim të nenit 139 të Kushtetutës së Kosovës, me arsyetimin se nuk ka ngritur para Gjykatës konflikt të kompetencave kushtetuese.
Vetëvendosje kishte bërë kërkesë të ngjashme edhe për përbërjen e KQZ-së të vitit 2021, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, kur kjo parti kishte fituar rezultat gati të njëjtë.
Në fund të procesit, Osmani kishte dekretur 2 përfaqësues të PDK-së në KQZ, duke mos ia dhënë Vetëvendosjes anëtarin e 3-të.
Çka thotë Kushtetuta?
Ndonëse zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor të vitit 2025, janë mbajtur vetëm për fuqinë e partive politike në Kuvendin e Kosovës, Vetëvendosje, e cila fitoi mbi 51% të votave, ka kërkuar që ashtu si gjysma e Kuvendit të Kosovës t’i takojë edhe gjysma e ulëseve të caktuara për grupet parlamentare të subjekteve politike shqiptare në KQZ.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, 6 ulëse në KQZ, u takojnë 6 grupeve më të mëdha parlamentare, respektivisht subjekteve politike shqiptare, e 4 të tjera për komunitetet.
“Gjashtë (6) anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilët nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara”, thuhet në paragrafin 6 të nenit 139.
Aktualisht, sipas rezultateve të 28 dhjetorit, në Kuvendin e Kosovës kanë arritur të hyjnë 4 subjekte politike shqiptare (LVV, PDK, LDK dhe AAK), prandaj, ndarja e 6 ulëseve duhet të bëhet për këto subjekte politike.
Por, në këtë situatë, kur numri i grupeve parlamentare nga radhët e subjekteve shqiptare është më i vogël, Kushtetuta ka dhënë zgjidhje, duke ia mundësuar grupit apo grupeve më të mëdha të emërojnë anëtarë shtesë.
“Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë”, thuhet në vazhdim të paragrafit të njëjtë.
Në këtë rrethanë, kur sipas rezultateve të 28 dhjetorit janë vetëm 4 grupe parlamentare, 4 ulëset e para duhet të ndahen për secilën prej tyre, ndërkaq për 2 vendet e mbetura zbatohet “emërimi i anëtarëve shtesë” për grupet më të mëdha, në këtë rast për LVV-në dhe PDK-në.
Çka tha Kushtetuesja në vitin 2021?
Një situatë të ngjashme ishe krijuar nga Lëvizja Vetëvendosje edhe në vitin 2021, kur Osmani kishte filluar konstituimin e KQZ-së sipas rezultateve të 14 shkurtit të atij viti.
Edhe asokohe, rezultatet ishin të njëjta për Lëvizjen Vetëvendosje, e cila kishte fituar mbi 50% të votave dhe në Kuvendin e Kosovës ishin 4 grupe parlamentare shqiptare (LVV, PDK, LDK dhe AAK).
Partia e Kurtit kishte dërguar te presidentja Osmani 3 emra për anëtarë në KQZ.
Menjëherë pas kësaj, Osmani nuk kishte miratuar kërkesën e VV-së, por iu kishte drejtuar për interpretim Gjykatës Kushtetuese.
Nga Kushtetuesja, Osmani kishte kërkuar të dijë se “cili është kriteri mbizotërues për të vendosur nëse dy (2) anëtarët shtesë të KQZ-së duhet të emërohen nga grupi më i madh parlamentar apo nga disa grupe parlamentare, sidomos kur një grup parlamentar ka fituar mbi 50% të votave në zgjedhje” dhe “nëse duhet të reflektohet parimi i proporcionalitetit (numri i deputetëve të një grupi parlamentar në raport me të tjerat) për të vendosur nëse dy (2) anëtarët shtesë në KQZ i takojnë vetëm një grupi apo disa grupeve parlamentare”.
Gjykata Kushtetuese e kishte hedhur poshtë si të papranueshme kërkesën e Osmanit për interpretim të nenit 139, me arsyetimin se nuk ka ngritur para Gjykatës konflikt të kompetencave kushtetuese.
Pas kësaj, Osmani kishte vendosur që partisë së Kurtit të mos i ndaheshin 3 ulëse në KQZ, por e kishte lënë Vetëvendosjen me vetëm 2 të tilla, sa ia kishte ndarë në fillim.
Pas aktgjykimit të Kushtetueses, Osmani kishte emëruar anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ dhe një anëtar tjetër nga radhët e komuntietit boshnjak.
Sipas njoftimit të presidentes Osmani, të datës 30 korrik 2021, vendimi kishte ardhur pas analizimit të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.