Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV), në një aksion të koordinuar me Drejtorinë Doganore, gjatë javës së kaluar kanë parandaluar një tentativë për import të paligjshëm të dy dërgesave me vezë të paetiketuara nga Serbia, raporton Portalb.mk.
Siç informojnë nga AUV, aksioni është realizuar në pikën kufitare Tabanocë, bazuar në informacione operative dhe ndjekje disa mujore profesionale të aktiviteteve të importuesve dhe eksportuesve vendas të vezëve.
Gjatë kontrollit të detajuar të dy dërgesave, shërbimet inspektuese zbuluan mbi 572 mijë vezë të freskëta pa etiketim, të fshehura pas paletave të para me mall të deklaruar rregullisht.
Në dërgesën e parë u gjetën 270 mijë vezë të paetiketuara, ndërsa në të dytën u zbuluan edhe 302.400 vezë pa etiketim përkatës.
Sipas të dhënave të Agjencisë, këto produkte duhej të shënoheshin më pas dhe të plasoheshin në mënyrë të rreme në treg si prodhim vendas nga RMV-ja, duke vënë në pikëpyetje reputacionin e prodhimit vendor dhe konkurrencën e prodhuesve vendas.
Nga AUV theksojnë se me reagimin në kohë është parandaluar një mashtrim serioz me ushqim, si dhe rrezik i mundshëm për konsumatorët.
Sasia totale prej 40 tonë e 410 kilogramë vezësh është shpallur e pasigurt dhe më pas është asgjësuar në mënyrë të kontrolluar në deponinë Drislla.
Agjencia vlerëson se ky rast është një tjetër dëshmi e rëndësisë së koordinimit institucional në parandalimin e mashtrimeve me ushqim dhe në mbrojtjen e shëndetit publik. Njëkohësisht, theksojnë se do të vazhdojnë me kontrolle të shtuara në terren dhe me një luftë pa kompromis ndaj të gjitha formave të veprimeve të paligjshme në tregtinë e ushqimit.
Për subjektet e përfshira në këtë rast, siç njoftojnë nga AUV, do të ndërmerren masa përkatëse, si dhe do të pasojnë kontrolle shtesë mbi aktivitetin e tyre të deritanishëm.